Debati i zhvilluar në emisionin "Opinion" për konfliktin në Rrjoll ishte një shembull klasik i mënyrës se si funksionon propaganda në Shqipëri. Çështja u paraqit si një “konflikt pronësie mes banorëve”, një mosmarrëveshje që duhet ta zgjidhë gjykata. Madje, nga Blendi Fevziu u hodh edhe ideja absurde që punimet të vazhdojnë dhe më pas pronari që gjykata do t’i japë të drejtë të hyjë në marrëveshje me oligarkun Bashkim Ulajn.
Kjo narrativë e nxjerr të paprekur oligarkun, sikur ai të ishte thjesht një palë neutrale në një konflikt privat pronash dhe njëkohësisht e paraqet si fakt të kryer idenë se “resorti do të ndërtohet, pak rëndësi ka kush është pronari i tokës”.
Por rasti i Rrjollit nuk është një ngatërresë bashkëpronësie për një gardh apo një kufi toke. Ai është një shembull tipik i mënyrës se si funksionon oligarkia në Shqipëri, kapja e shtetit nga kapitali i madh për të akumuluar pasuri nëpërmjet shpronësimit.
Në vitin 2019 një person shpallet pronar i rreth 1.5 milionë metrave katrorë tokë në bregdet, dhe kjo procedurë përfundon brenda 11 muajsh. Në një vend ku qytetarët presin prej 35 vitesh për të marrë një pronë të vogël të trashëguar, kjo shpejtësi është më shumë se e dyshimtë. Pyetja është e thjeshtë: si është e mundur që një sipërfaqe sa një qytet të përfundojë kaq shpejt në duart e një individi?!
Pastaj shteti fillon të ndërtojë rrugë në një zonë që për dekada ishte lënë në harresë. Banorët nuk kishin rrugë, nuk kishin investime, nuk kishin shtet. Por sapo një oligark vendos syrin mbi tokën e tyre, shteti zgjohet papritur dhe fillon të ndërtojë infrastrukturë.
Më pas vjen faza më e rëndësishme: ndryshimi i ligjit. Më 22 shkurt 2024 qeveria ndryshon ligjin për zonat e mbrojtura. Më 24 dhjetor 2024 kompania e Bashkim Ulajt merr leje ndërtimi për një resort gjigant prej rreth 300 milionë eurosh, me firmën e Edi Ramës dhe Belinda Ballukut, brenda zonës së mbrojtur “Lumi i Bunës – Velipojë”.
Dhe kur banorët kundërshtojnë, kur thonë se nuk duan t’ia japin tokën e tyre Bashkim Ulajt, atëherë shfaqen policia e shtetit dhe presioni gjyqësor për të bërë një gjë të vetme: të krijojnë faktin e kryer. Sepse pasi resorti të ndërtohet dhe 1.5 milionë metra katrorë bregdet të mbulohen me beton, kthimi pas bëhet pothuajse i pamundur.
Kjo është arsyeja pse të flasësh për “konflikt pronësie” është një mashtrim publik. Sepse këtu nuk kemi dy palë të barabarta që zihen për një gardh. Kemi një sistem të tërë politik dhe ekonomik që punon për një njeri me kapital të madh kundër një komuniteti të tërë banorësh.
Pra është shumë e qartë: së pari prodhohet pronari (që paska qenë edhe drejtor hipoteke), pastaj ndërtohet infrastruktura, pastaj ndryshohet ligji, më pas jepet leja e ndërtimit dhe në fund përdoren policia dhe gjykatat për të mbrojtur oligarkun.
Dhe këtu qëndron e vërteta që propaganda mundohet ta fshehë: oligarkia nuk i shkel ligjet. Ajo ka mjaftueshëm pushtet për të bërë diçka shumë më të rëndë: ta shkruajë vetë ligjin!
Komente












Se si i ka bërë letrat e tokës pronari aktual është një çështje tjrtër, ndoshta për spakun. Ama mbetet fakt që banorët nuk kanë dokumenta pronësie.
Përgjigju