Përballja e Erion Veliajt me komisionin parlamentar të mediave nuk solli ndonjë gjë të re në debatin për teatrin kombëtar. Ashtu si shumë sherre të tjera të nxitura aty nga deputetët e opozitës, edhe kjo seancë pati si moment kulmor kapjen qesharake të tavolinave nga deputetët demokratë, që kërkonin ta nxjerrin jashtë kreun e bashkisë.
Përtej këtij episodi të parëndësishëm folklori politik, ajo çka tregoi përplasja e sotme, ishte temperatura e lartë që shkaktoi në rreshtat e opozitës, përballja me atë që mund të konsiderohet si problemi perspektiv i opozitës – Erion Veliajn. Kryetar bashkie me një bilanc që tashmë acaron nervat e PD dhe prish planet e saj për të pretenduar Tiranën në vitin e ardhshëm, Veliaj është shfaqur në krizën e teatrit Kombëtar si i vetmi element i spektrit politik që është përpjekur të afrojë, e jo të ndajë, opinionin publik dhe komunitetin teatror. Qeveria ka mbajtur pozicionin e saj të fortë, opozita i ka fryrë sa ka mundur zjarrit, kurse mediat kanë qenë gjithashtu të pozicionuara sipas interesave të tyre.
Duke ju deklaruar artistëve se projektin e teatrit do ta bëjnë bashkë javën, muajin apo vitin e ardhshëm, Veliaj ka hapur sërish një derë të mbyllur fort në dialogun mes aktorëve dhe qeverisë. E kjo e ka ekspozuar kreun e bashkisë së kryeqytetit si zjarrfikësin e një krize, ku ndërthuret moskuptimi, moskomunikimi dhe arroganca.
Paraqitja e kryebashkiakut Veliaj në parlament ka rrezikuar t’ja marrë shoun e përjavshëm nga duart opozitës. Dhe deputetët e kanë të vështirë të lejojnë dikë t’u marrë nga dora lodrën e përjavshme. Paçka se në parlament prodhohet prej shumë muajsh vetëm sherr dhe banalitet. Sjellja ndaj Veliajt e rikonfirmoi këtë gjë, duke na dhënë gjithashtu edhe provën se opozita po kërkon ta mbajë gjallë dhe të pazgjidhur, sa më gjatë, problemin e teatrit kombëtar.
Kriza e teatrit po mbahet me dhunë në suazën e emocioneve. Njerëzore dhe politike. Të cilat kanë gatuar së bashku një klimë përjetimesh sa të forta, aq edhe të deformuara. Spostimi i kësaj historie në terrenin e arsyes është e vetmja mënyrë për t’i dhënë fund një kalvari qesharak dhe dëshpërues. Duke u ulur paqësisht me artistët, Erion Veliaj ka cënuar monopolin që opozita kujton se ka mbi ta. Dhe kjo çdo gjë mund të provokojë, përveç zgjidhjes që kërkon sot me të drejtë Ndrenika, Kabashi dhe bashkë me ta, edhe të gjithë shqiptarët që sodisin prej javësh një spektakël që nuk krahasohet asfare me artin e madh që ka prodhuar skena e Teatrit Kombëtar në vite.