Nga sherebela, trumza, dëllinja, çaji, rigoni e deri tek boronica e trëndafili i egër. Eksportet e bimëve mjekësore dhe aromatike gjatë vitit 2025 u rritën në raport me vitin paraardhës.
Shifrat e siguruara nga Report TV, pranë Institutit të Statistikave tregojnë se përgjatë vitit që lamë pas janë eksportuar drejt tregjeve globale më shumë se 12 mijë tonë bimë medicinale dhe aromatike. Një rritje me 322 tonë krahasuar me vitin 2024.
Por për shkak të zhvlerësimit të valutave, eksportuesit e këtyre produkteve kanë fituar më pak para. Me 600 mijë euro është ulur vlera e eksporteve të bimëve mjekësore, në vitin 2025 në raport me 2024.
Konkretisht eksportet e bimëve, pjesëve të tyre apo farave të përdorura kryesisht për farmaceutikë, parfumeri dhe qëllime të tjera të ngjashme zbritën në 49.5 milionë euro, nga 50.1 milionë euro që ishin në vitin 2024.
Harta gjeografike se ku janë tregtuar këto produkte është e gjerë, por kryesojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës me mbi 3800 tonë të eksportuara atje, dhe më pas vjen Gjermania me 2600 dhe Turqia me 1500 tonë. Ndërsa sasia tjetër është e shpërndarë në shtete të ndryshme të Evropës si Spanjë, Poloni apo Francë por edhe në vendet e rajonit.
Përveç kursit të këmbimit, ky sektor u trazua edhe në pranverën e 2025-ës, për shkak të tarifave të SHBA-së, të cilat më pas u pezulluan. Ndërkohë sektori vuan edhe mungesën e financimit si dhe të fuqisë punëtore për shkak të largimit të banorëve nga zonat ku kultivohen këto bimë. Sot nga buxheti i shtetit jepet si subvencion 30 mijë lekë për hektar për fermerët që merren me bimët medicinale.
Komente











