Kush e shpëtoi dy herë nga shkarkimi gjyqtaren që po liron sot të dënuarit me burgim të përjetshëm

Kush e shpëtoi dy herë nga shkarkimi gjyqtaren që po liron sot të dënuarit me burgim të përjetshëm

Vendimet skandaloze të gjyqtares së Krujës, Enkeleida Hoxha, e cila po liron një nga një nga burgu të dënuarit me burgim të përjetshëm, para se të përballet me procesin e Vetingut, janë pasojë e veprimtarisë së Këshillit të Lartë të Drejtësisë, i shkrirë në fund të vitit 2018, në kuadër të reformës në drejtësi. Çështja e gjyqtares Enkeleida Hoxha, e cila me vendimet e saj ka alarmuar sot institucionet shtetërore, ka qenë objekt diskutimi në mbledhjen e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, së datës 14 prill 2014. Nasip Naço, në atë kohë ministër i Drejtësisë i propozuar nga Lëvizja Socialiste për Integrim, i kërkoi KLD-së shkarkimin nga detyra të gjyqtares Enkeleida Hoxha, për shkelje të rënda disiplinore, duke mos respektuar një vendim unifikues të Gjykatës së Lartë dhe për pasojë duke cenuar liritë individuale të shtetasve. Mbledhja e Këshillit të Lartë të Drejtësisë ku diskutohej për fatin e gjyqtares Hoxha, drejtohej nga Bujar Nishani, në atë kohë President i Republikës.

Një lëvizje e minutave të fundit e Nasip Naços ka ndikuar në shpëtimin nga shkarkimi në atë kohë të gjyqtares Enkeleida Hoxha. Naço, i cili ishte në atë kohë anëtar i KLD si ministër Drejtësie, është tërhequr befas nga propozimi i parë për ‘shkarkim nga detyra’, duke kërkuar një masë disiplinore më të butë ‘vërejtje me paralajmërim për shkarkim nga detyra’. Pas diskutimeve, ku e pranishme për të dhënë shpjegime ka qenë edhe vetë gjyqtarja, Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka vendosur të miratojë masën disiplinore ndaj gjyqtares Hoxha, duke e paralajmëruar me shkarkim nga detyra. Më vonë, në korrik të 2014, masa disiplinore e KLD-së ndaj gjyqtares Enkeleida Hoxha, është konfirmuar edhe nga Gjykata Administrative e Apelit Tiranë. Trupa gjykuese e përbërë nga Alkelia Gazidedja, Rilinda Selimi dhe Blerona Hasa kanë rrëzuar kërkesën e gjyqtares Hoxha për të hequr masën disiplinore të vendosur nga KLD-ja.

Tre vjet më vonë, në shtator të 2017, Enkeleida Hoxha është bërë sërish objekt diskutimesh në Këshillin e Lartë i Drejtësisë, tashmë nën drejtimin e Ilir Metës. Në këtë mbledhje të KLD-së, Hoxha kundërshtonte vlerësimin për veprimtarinë e saj gjatë viteve 2007-2009 si gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë. Inspektoriati pranë KLD, e drejtuar nga Kryeinspektorja në atë kohë Mardisa Xhaferllari e kishte vlerësuar me ‘mirë’, ndërsa gjyqtarja kërkonte të vlerësohej me ‘shumë mirë’. Megjithatë, pavarësisht ‘vullnetit të mirë’ të disa anëtarëve KLD nuk e ndryshoi vlerësimin e Inspektoriatit, pasi gjyqtarja Enkeleida Hoxha kishte një bilanc të frikshëm të vendimeve të saj, që ishin rrëzuar nga Gjykatat e Apelit. Nga 29 vendime të saj të ankimuara në 2017, 14 vendime ishin rrëzuar.

Dy muaj pas këtij vlerësimi, në nëntor të 2019, Enkeleida Hoxha do të bëhej sërish objekt diskutimesh dhe reagimesh të forta, për shkak të lirimit nga burgu të vrasësit komisarit të Policisë Arben Zylyftari. Presidenti Ilir Meta, njoftoi se “Presidenti i Republikës, me cilësinë e Kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, pasi u njoh me lajmin dhe reagimin publik të institucionit të Prokurorisë, për veprimtarinë e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, në lidhje me lirimin e shtetasit Genc Tafili, ka urdhëruar menjëherë Inspektoriatin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, që në përputhje me kërkesat e ligjit, të fillojë urgjentisht verifikimin e rastit në fjalë dhe veprimtarinë proceduriale të kësaj gjykate”. Megjithatë, pavarësisht këtij paralajmërimi, ndaj gjyqtares Enkeleida Hoxha, nuk u mor asnjë masë. Inspektoriati i KLD, i cili duhej t’i propozonte Këshillit ndëshkimin e gjyqtares, drejtohej nga Mardisa Xhaferllari, të cilën Meta e emëroi në fund të 2019 anëtare të Gjykatës Kushtetuese.

Në mes të muajit janar 2020, gjyqtarja e Krujës, Enkeleida Hoxha, pranoi kërkesën e ish-numrit dy të bandës së Durrësit Endrit Dokle duke i shuar dënimin përjetë dhe dënuar përfundimisht me 25 vite. Po meqenëse Dokle kishte kryer 3/4 e kësaj mase të re dënimi, gjyqtarja Hoxha e liroi nga qelia me kusht, pas 16 viteve në qeli. Për të argumentuar lirimin, gjyqtarja thekson në vendim se Dokle ka sjellje shumë të mirë, është penduar për vrasjet që ka bërë, vuan nga depresioni dhe se ka të atin sëmurë. Në 7 nëntor të vitit 2017, Enkelejda Hoxha liroi nga burgu Genc Tafilin, i dënuar për vrasjen e komisarit të Policisë, Arben Zylyftari, në vitin 2000, në Shkodër. Po në nëntor të 2017 Hoxha liroi edhe Ilir Pajën nga burgu, të njohur me nofkën ‘UFO’ nga drejtësia italiane, pasi ishte arratisur tre herë. Gjithashtu po në nëntor të vitit 2017, gjyqtarja Hoxha i njohu vjetërsinë e punës një gruaje nga fshati Bilaj i Krujës, Marjana Prenuca, që në moshën 5-vjeçare për efekt pensioni.

G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • MONSTRAT: 31/01/2020 16:48

    Kto jan monstrat e pd të qenit psikopat mal9kut salhe. Arqitekt i shkatërimit të Shqipris me themel. Ky spiun i Sërbis e kteu me sukses detyrën e dhën nga padroni vet Sërbi. Pastaj imagjinoni çfar tmerri jar kapterri me mustaqe pa mustaqe jar sakati president. Që jarri svlen për me e çu as te varri se jarri është i vdekur e i pa kallur jari tallur.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kamberi: Nëse protestat 'shuhen', Vuçiç do e çojë Serbinë në diktaturë

Kamberi: Nëse protestat 'shuhen', Vuçiç do e çojë Serbinë në diktaturë