Me urdhër të Ministrisë së Drejtësisë, 33 të burgosur në Burgun e Durrësit janë transferuar mbrëmjen e djeshme në burgjet e sigurisë së lartë të Fierit dhe Peqinit. Report Tv me gazetaren Keti Banushi ka siguruar emrat e 33 të dënuarve dhe të paraburgosurve që janë emra të përzgjedhur të cilësuar si “VIP” për shkak të krimeve që kanë kryer apo akuzohen, referuar vrasës me pagesë, ‘koka’ bandash apo grupeve të trafikut ndërkombëtar të drogës, dhe që paraqesin rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Qartësisht emra si kreu i bandës së Durrësit Lulzim Berisha apo ai i Shijakut Astrit Avdyli, nuk paraqesin një rrezik bazë, për të qëndruar në një qendër izolimi si ajo e Durrësit ku siguria është jashtë standardeve minimale të sigurisë. Reflektimi nga ana e institucioneve përkatëse erdhi pas arratisjes spektakolare të të paraburgosurit Altin Ndoci dy ditë më parë nga spitali i Durrësit, i cili akuzohej gjithashtu për vrasje.
Kreu i bandës së Shijakut, Astrit Avdyli u arrestua në qershor 2024 me urdhër të SPAK. Nga zbardhja e komunikimeve në aplikacionin SkyECC dalin planet e ish-deputetit socialist Arben Ndoka me Avdylin dhe grupin e Ervis Martianjt për të ekzekutuar Durim Bamin.
Përfshirja e Astrit Avdylit në botën e krimit daton që në vitet 1996 teksa një sagë vrasjesh nisi në familjen e tij si dhe i përfshirë në trafikun e kokainës. Avdyli ka hyrë e ka dalë disa herë nga burgu, duke fituar lirinë pas raporteve që e diagnostikonin me “depresion dhe tentativa vetëvrasëse”. Një ndër kriminelët më të rrezikshëm në Shqipëri, Astrit Avdyli akuzohet edhe për porositjen e vrasjes së Edmir Bregut. Po për këtë vrasje, akuzohet edhe Enea Kume, vëllai i deputetit socialist Loer Kume, i cili po ashtu mbahej në qelitë e burgut të Durrësit.
Një tjetër personazh i njohur i botës së krimit, i cili vuante dënimin në burgun e Durrësit është dhe Lulzim Berisha, i njohur ndryshe edhe si ish-kreu i bandës së Durrësit. Ai u vendos në Burgun e Durrësit pas ekstradimit nga Spanja më 18 mars 2025, pas një beteje 1 vjeçare me autoritete spanjolle ku kundërshtonte ekstradimin e tij në vendin tonë. Ai ka dy llogari për të mbyllur me drejtësinë shqiptare. Lul Berisha akuzohet për vrasjen e Klodian Spahiut në 2005-ës, ndërsa Gjykata e Lartë me një vendim të 2021-shit prishi një vendim të Apelit të Durrësit që i kishte falur 5 vite burg për një dënim të tij për pjesëmarrje në organizatë kriminale, vrasje dhe trafiqe ilegale në vitet 1998-2000. Për këtë çështje Lulzim Berisha ishte dënuar fillimisht me burgim të përjetshëm, por mundi ta ul dënimin në 25 vjet burg.
Të izoluar në qendrën e paraburgimit të Durrësit ishin dhe vëllezërit biznesmenë Artur dhe Klevis Hoxhosmani të arrestuar në korrik të vitit 2025 në Palase pas goditjes së një grupi të sofistikuar kriminal që vepronin në fushën e trafikut të kokainës nga vendet e Amerikës Latine drejt Evropës. Vëllezërit Hoxhosmani akuzohen se në bashkëpunim me të tjerë eksponentë të botës së krimit, kanë trafikuar kryesisht gjatë vitit 2020 të paktën 6 ton kokainë me vlerë tregu 411 milionë euro. Dy biznesmenët njihen për jetën luksoze dhe të shfrenuar sa në Dubai, Monaco, Shqipëri e të tjera shtete.
Lajmi në përditësim...
Pas arratisjes spektakolare të të paraburgosurit Altin Ndoci, ka nisur zhvendosja e të dënuarve me rrezikshmëri të lartë nga Burgu i Durrësit drejt burgjeve të sigurisë së lartë. Mësohet se 27 të paraburgosur dhe 6 të dënuar, të gjithë me rrezikshmëri të lartë u zhvendosën nga burgu i Durrësit drejt burgut të Peqinit dhe të Fierit. Report Tv sjell edhe pamjet e zhvendosjes së tyre drejt burgut të sigurisë së lartë të Peqinit, nën masa të rrepta sigurie.
Emrat e të burgosurve nuk janë bërë publik, por në burgun e Durrësit qëndronin disa personazhe të botës së krimit, të konsideruar të rrezikshmërisë së lartë, mes tyre edhe personazhe si Lulzim Berisha. Ky i fundit bashkë me dy të tjerë, Orges Molla apo Juxhin Koka, ishin mes të transferuarve.
Komente











Meltaliteti mas 1992 mushet burgjet sote mre e jashte shqipnijet
Përgjigju