A është protesta pvr Zvërnecin një lëvizje qytetare apo pjesë e një fushate masive që synon të godasë investimin më të madh turistik në vend? Kjo ishte tema për të cilën foli sot në Report TV deputeti socialist Ardit Bido duke bërë një lexim të detajuar të motiveve dhe qëndrimeve pas saj. 

Sipas tij, në njërën anë të konfliktit për Zvërnecin qëndrojnë banorët që pretendojnë pronësinë e tokave dhe kërkojnë zgjidhje për problemet e tyre, ndërsa në anën tjetër janë grupime që kundërshtojnë vetë zhvillimin e projektit për interesa të caktuara. Për Bidon, protestat në Tiranë kundër investimit 4 miliard dollarësh janë në dëm të Shqipërisë.

“Kemi 2 realitete. Një realitet është që banorët kanë pretendim pronësie se një privat u ka marrë tokën dhe ata e duan pronën që të zhvillohet. Kemi edhe realitete tjetër që nuk duan zhvillimin: janë ambientalistët që janë kundër zhvillimit, janë anti-kapitalistët me ideologjinë marksiste, kemi edhe një revoltë qytetare njerëzish që nuk u përkasin këtyre kategorive, të cilët sot e kanë kanalizuar keq protestën. Nëse është një protestë kundër një investimi 4 miliard dollarësh që i vjen Shqipërisë, atëherë kjo është në dëm të Shqipërisë”, tha Bido.

Sipas deputetit socialist, kundërshtimi ndaj projektit nuk mund të shihet i shkëputur nga interesat ekonomike të vendeve të rajonit që do të humbisnin turistë nga zhvillimi elitar në Shqipëri. Duke përmendur dhe listuar reagimet  nga Greqia dhe eurodeputeti Fredi Beleri, Bido tha se Shqipëria nuk mund t'i mbyllë sytë para sulmit që po bëhet ndaj projektit. 

“Këtu duhet të shohim kush janë ato vende që kanë interes. Kanë interes ato vende që kanë turizëm elitar dhe që do t’u merrej turizmi elitar. Greqia qahet sot se do t’i iki turizmi nga Korfuzi dhe Kefalonia, do t’i merret një 20% në Vlorë, ndërsa Shqipëria do të ketë miliona euro të ardhura përveç këtyre 4 miliard euro. Ne pamë një reagim të menjëhershëm të qeverisë, opozitës, eurodeputetit Beleri, që në mënyrë të ashpër folën për minoritet të dhunuar në Zvërnec e Nartë e folën kundër zhvillimit të projektit. Nuk mund t’i mbyllim sytë”, u shpreh ai.

Bido shkoi edhe më tej, duke pretenduar se opinioni publik po ndikohet nga një fushatë e organizuar në rrjetet sociale kundër investimit. Sipas tij, pas debatit online që shoqëron protestat fshihen qindra e mijëra llogari të rreme dhe interesa që synojnë bllokimin e projektit.

“Janë hapur mbi 1000 IP që ne na nxjerrin tradhtarë dhe patriot nxjerrin ata që luftojnë për karkalecin dhe për insektet e Nartës. Publiku është i gënjyer në kuadër të një lufte hibride që po zhvillohet nga rrjete dhe llogari të rreme në rrjete sociale, që pompojnë heqjen e investimit dhe interesin ekonomik të Greqisë. Unë jam kundër protestës sepse është kundër interesit kombëtar, kundër 4 miliard eurove se është çmenduri. Kjo luftë hibride po shfrytëzohet nga opozita dhe partitë e vogla oportuniste”, deklaroi ai.

Në fund të debatit, deputeti socialist ngriti pikëpyetje edhe mbi vetë organizimin e protestës. Duke iu referuar asaj që e quajti “Lëvizja e Pelikanëve”, Bido sugjeroi se pas sloganit dhe identitetit vizual të protestës qëndrojnë persona të tjerë dhe jo domosdoshmërisht aktivistët që shihen në terren.

“Mua nuk më intereson fare kush e bën investimin. Mua më intereson që në vendin tim të vijnë 4 miliard euro që rrisin mirëqenien e vendit tim. Sot ne e quajmë këtë protestë ‘Lëvizja e Pelikanëve’. Unë të sfidoj, shko gjeje kush e ka menduar këtë slogan, kush ka nxjerrë logon, është shumë e bukur por nuk ka lidhje me ata që protestojnë. Ai që e ka krijuar logon e pelikanëve, a merr dot certifikatë sigurie nga DSIK, jeni gazetarë, shkoni e gjejeni vetë”, tha Bido.