Kushtetuta gjermane mbush 70 vjet: Njeriu në epiqendër

Kushtetuta gjermane mbush 70 vjet: Njeriu në epiqendër

"Dinjiteti i njeriut është i paprekshëm". Në vend të pasazheve të komplikuara për shtetin qëndron në krye një fjali e tillë, e qartë, e parelativizueshme. Dinjiteti i njeriut nuk kishte asnjë vlerë në kohën e nacionalsocializmit: Miliona vetë u denigruan, u torturuan, dhe vranë. Tanimë ky dinjitet duhej të vihej në epiqendër. Kushtetuta e Vajmarit, pararendësja e ligjit themelor ishte moderne për kohën e saj. Edhe ajo përmbante të drejta bazë dhe bëri të sajën të drejtën e grave për të votuar. Por ajo nuk e pengoi diktaturën nacionalsocialiste. Profesori i shkencave juridike, Ulrich Battis beson se "Vajmari nuk dështoi për shkak të kushtetutës së tij, por sepse kishte shumë pak demokratë". Kushtetuta e Vajmarit kishte dobësi të mëdha, të cilat do duhej të shmangeshin në ligjin themelor të mëvonshëm.

President federal i dobët - për shkak të Vajmarit

Problematike ishte për shembull pozicioni tepër i fortë i presidentit të rajhut, perandorisë. Ai mund ta shpërbënte parlamentin e rajhut sipas dëshirës dhe të qeveriste pa e marrë atë parasysh me dekrete të jashtëzakonshme. Kjo e ndihmoi në fund edhe ngjitjen e Adolf Hitlerit në pushtet. Presidenti federal gjerman sot prandaj ka një pozicion më shumë reprezentativ. Ligji themelor ka forcuar më shumë pushtetin e parlamentit, Bundestagut dhe kancelarit të zgjedhur.

Autorët e ligjit themelor ishin dyshues edhe tek tema e demokracisë së drejtpërdrejtë. Edhe kjo kishte të bënte me përvojat e historisë. Presidenti i Rajhut zgjidhej drejtpërdrejt. Në kohë politike e ekonomike të trazuara kjo mund të sillte rreziqe, sidomos kur ishte e lidhur me pushtetin e madh të postit. Ligji themelor gjerman kërkon një president të zgjedhur nga politikanët. Në ditët e sotme ky dyshim mund të jetë i ekzagjeruar, por për Ulrich Battis, një zgjedhje e drejtpërdrejtë e presidentit është si edhe më parë e gabuar. Sepse presidenti mundet që "zgjedhjen e tij të drejtpërdrejtë ta përdorë kundër parlamentit" dhe me këtë të vihet përballë të zgjedhurve nga populli. Për Battis edhe referendumi në Britaninë e Madhe për Brexit nuk "ishte patjetër reklamë për demokracinë e drejtpërdrejtë."

Në fillim "një periudhë e ndërmjetme"

Por për ligjin themelor nuk kishte rëndësi vetëm përvoja nga Republika e Vajmarit dhe ajo e nacionalizmit. Rol luajtën edhe rrethanat e lindjes së tij: Në vitin 1949 u çimentua ndarja e Gjermanisë. Ligji themelor vlente vetëm për Republikën Federale, por ai i mbetej besnik synimit të bashkimit. Ai do duhej të vlente vetëm për një "periudhë tranzitore", deri sa të gjithë gjermanët të jepnin kontribut për një kushtetutë. Prandaj u quajt ligji themelor dhe jo kushtetuta.

Me ribashkimin në vitin 1990 ky qëllim u arrit. Por në vend të një kushtetute tërësisht të re, forcat kryesore politike vendosën që "pranimi i Republikës Demokratike Gjermane të kryhej brenda sferës së ligjit themelor". Ligji themelor mbeti në fuqi. Por u hoq elementi provizor i tij. Në vend të nenit bashkues nr. 23, nga viti 1992 ekzsiton neni i Europës, që parashtron "zhvillimin e një Europe të bashkuar".

Sot flitet gjithnjë për baballarët dhe nënat e ligjit themelor. Katër nënat në fillim mezi u përmendën krahas 61 burrave. Në një kohë që u dedikohet grave, sidomos juristes, Elisabeth Selbert që pasazhi "burrat dhe gratë kanë të drejta të barabarta" u fut në ligjin themelor. "Kjo tregon, se çfarë mund të arrijnë gra të vendosura", thotë Ulrich Battis.

Megjithatë mes ligjit dhe realitetit kishte një hendek të madh. Gratë deri në vitin 1977 nuk lejoheshin të shkonin në një punë që dëshironin pa vullnetin e burrit. Vetëm në vitin 1997 u konsiderua si vepër penale përdhunimi në martesë. Nga viti 1994 vendoset në ligjin themelor shtojca se "shteti mbështet zbatimin e vërtetë të barazisë në të drejta të grave dhe burrave dhe ndikon në mënjanimin e disavantazheve ekzistuese."

Ato që u bënë për "përjetësinë"

Ky shembull tregon, se si u zhvillua gjithnjë e më shumë ligji themelor, ai është ndryshuar deri më sot 60 herë. Një shembull tjetër është ai për azilin. Në fillim thuhej qartë "të përndjekurit politikë gëzojnë azil". Në fillim të viteve 90-të, kur numri i kërkesave të azilit u rrit shumë, Bundestagu e kufizoi të drejtën e azilit dhe me shumicën e kërkuar të dy të tretave ndryshoi ligjin themelor. Nga kjo kohë ata që hynin nga një vend tjetër i BE në Gjermani e kërkonin azil nuk mund të bazohesin më tek ky nen.

Por ka edhe një thelb të ligjit themelor që është i mbrojtur përmes "një klauzole të përjetshme" nga ndryshimet dhe kufizimet. Demokracia ("I gjithë pushteti i shtetit buron nga populli") dhe shteti ligjor ("Pushteti ekzekutiv dhe ligjvënës i detyrohen ligjit dhe të drejtës") bëjnë pjesë këtu, po ashtu si neni 1 për dinjitetin e njeriut. Edhe konstrukti federal gjerman është tabu.

Ligji themelor i miratuar në 23 maj 1949 u miratua si zgjidhje e përkohshme. Por deri më tani është kushtetuta më jetëgjatë gjermane. Bashkë me Gjykatën Kushtetuese, që mbron kushtetutën dhe nganjëherë "të drejtat bazë i interpreton kundër shtetit", sipas Ulrich Battis ajo gëzon besim të madh tek gjermanët.

Ky ligj themelor është simbol për mësimin më të rëndësishëm nga e kaluara: "Nuk është qytetari që i nënshtrohet shtetit, por shteti është aty për qytetarin." DW

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Plagosja e 50-vjeçarit shqiptar në Greqi, zbulohet dëshmia e shitëses: Thirri për ndihmë, i dilte shumë gjak dhe i vura një peshqir!

Plagosja e 50-vjeçarit shqiptar në Greqi, zbulohet dëshmia e shitëses: Thirri për ndihmë, i dilte shumë gjak dhe i vura një peshqir!