Kuvendi i Maqedonisë së Veriut miraton riorganizimin e Qeverisë

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut miraton riorganizimin e Qeverisë

Maqedoni e Veriut

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ka votuar të hënën pasmesnate riorganizimin e Qeverisë, duke përfshirë në të edhe ministra të Aleancës për Shqiptarët, e cila është bërë pjesë e shumicës parlamentare.

Ministër i ri i Drejtësisë është zgjedhur Krenar Llogar, ministër i Shëndetësisë, Fatmir Mexheti, ministër i Administratës Publike dhe Shoqërisë Informatike, Azir Aliu, ndërsa Kaja Shukova për ministre të Ekologjisë. Ndryshimet janë miratuar me 65 vota nga 120 sa janë gjithsej.

Riorganizimi i Qeverisë së kryeministrit Dimitar Kovaçevski ka ardhur pas vendimit të partive në pushtet, Lidhjes Social Demokrate (LSD) dhe Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) për zgjerimin e shumicës parlamentare, duke përfshirë edhe Aleancën për Shqiptarët. Kryeministri Kovaçevski ka thënë se zgjerimi bëhet me qëllim të forcimit të shumicës për vazhdimin e kursit të integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut.

“Deputetët e VMRO-DPMNE-së për dy javë bllokuan zgjedhjen e ministrave dhe kështu penguan punën e ministrive të caktuara, në dëm të qytetarëve, që në fund, si shumë herë më parë, kur erdhi koha e votimit, as nuk votuan kundër propozimeve që ata kritikuan aq shumë”, është thënë në reagimin e LSDM-së.

Por, shumica është rritur me vetëm një deputet, pasi nga Qeveria është larguar partia Alternativa, për shkak të mosmarrëveshjes për ndarjen e posteve. Debati për zgjedhjen e ministrave të rinj ka nisur më 13 shkurt dhe ka zgjatur dy javë, për shkak të bllokimeve me fjalime të gjata nga deputetët e VMRO DPMNE-së. VMRO DPMNE-ja vlerëson se zgjerimi i shumicës është bërë për “shpëtimin e Qeverisë dhe jo për kursin evropian të vendit”.

Shumica parlamentare synon ndryshimin e kushtetutës maqedonase për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e saj.

Një ndryshim i tillë është obligim që del nga marrëveshja e Shkupit me Sofjen, për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes dy vendeve dhe zhbllokimin e procesit të integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut. Për të ndryshuar Kushtetutën, nevojiten dy të tretat e votave, apo 80 nga 120 vota të deputetëve, ndërkohë shumica tani ka vetëm 65.

Pa votat e partive opozitare, Alternativa, Besa dhe VMRO DPMNE, këto ndryshime nuk do të mund të miratohen, gjë që mund të rrezikojë nisjen e bisedimeve të Shkupit për antarësim në Bashkimin Evropian, pasi Sofja sërish mund të bllokojë këtë proces./ REL

F.D/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë