Sali Berisha nuk ishte sot në Kuvend, pasi privatisht ka shkuar në Strasburg. Siç Shqiptarja.com e raportoi, kreu i PD ka marrë pjesë dje në një për seancave të Asamblesë Parlamentare, duke i zënë vendin deputetes demokrate Albana Vokshi, anëtarja që përfaqëson Partinë Demokratike në delegacion, e cila për këtë ka marrë edhe pagesat nga Kuvendi.
Ndërkohë, vetë Berisha është anëtar zëvendësues në delegacionin e parlamentit shqiptar pranë Asamblesë. Ai nuk mund të jetë në seancë apo aktivitet e Asamblesë duke qenë e pranishme dhe Vokshi. Vetëm njëri nga të dy, mund të marrë pjesë, kështu që dje Vokshi i ka liruar vendin e saj kryetarit.
Ndoshta ajo e ka ndihmuar Berishën që të filmojë fjalimet e tij jashtë në foltoren në hollin e Asamblesë. Kreu i PD publikoi një tjetër fjalim sot, duke treguar edhe vetë se në Asamble ka nxirë imazhin e Shqipërisë duke e trajtuar atë si një “narkoshtet”, siç Berisha e quan rëndom tashmë.
“Dje gjatë ditës në debatin e zhvilluar në grupin parlamentar të EPP-së për zgjedhjet në Shqipëri dhe raportin e ‘Terapisë konvertuese’ paraqita para audiencës rrezikun e madh që përfaqëson narkoshteti shqiptar më në krye Edi Rama apo siç quhet rëndom Ramaduro apo Noriega i Europës për sigurinë e vendeve të rajonit dhe vendeve të Europës.
Në fjalën time, paraqita dominimin e tregut të drogës në Europës, marijuanës, heroinës, kokainës nga kartelet e drogës të lidhura direkt me Edi Ramën, të komanduara direkt prej tij, i cili e ka shndërruar Shqipërinë në një parajsë të larjes së parave të tyre, në qindra kulla, ndërtesa, resorte turistike.
Shpreha kërkesën që vendet anëtare të Këshillit të Europës, parlamentet e këtyre vendeve të ngrenë zërin e tyre ndaj këtij rreziku serioz që u vjen nga një vend i vogël i cili ka të gjitha potencialet e mëdha të zhvillimit dhe e ka zhytur regjimi në drogë, vetëm për qëllime elektorale”, tha Sali Berisha.
Urdhri i firmosur nga kryeparlamentari Niko Peleshi, tregon se pjesë e delegacionit shqiptar janë vetëm kryetarja e delegacionit Olta Xhaçka, anëtaret Ogerta Manastirliu, Iris Luarasi dhe Albana Vokshi, si dhe sekretari i delegacionit dhe stafi mbështetës teknik.

Komente










