GJKKO ka dënuar me 12 vite burg kreun e bandës së Shijakut, Astrit Avdyli alias Balliu i akuzuar për veprat penale “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, “Grup i strukturuar kriminal”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Çështja për të cilën është dënuar Avdyalaj i referohet një laboratori heroine të zbuluar në Has në vitin 2018, ngjarje për të cilën janë dënuar me 125 vite burg 17 persona të tjerë. Astrit Avdyli është dënuar më parë nga GJKKO me 12 vite burg, por Apeli i GJKKO-së e prishi si vendim dhe e riktheu përsëri për gjykim.

Laboratori i heroinës ishte ideuar nga Admir Hoxha dhe si bashkëpunëtor i tij ishte Astrit Avdyli e të tjerë anëtarë të bandës së tij. Këta persona janë përgjegjës për futjen e të paktën 161 pakove me heroinë nga Kosova që më pas përpunohej në laboratorin në fshatin Brenog të Hasit. Në atë kohë, sasia e drogës u gjet e fshehur në një shtëpi dhe prej këndej po planifikohej të transportohej në Durrës, më pas në Itali.

Avdyli u arrestua më 29 qershor 2024, me urdhër të SPAK, pas zbërthimit të komunikimeve në aplikacionin “Sky ECC”. Avdylaj u arrestua 1 muaj pas operacionit Revanshi dhe u kap në vilën e tij në Shijak me pistoletën e mbushur. Ndaj tij rëndojnë 3  akuza për këtë çështje, "Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale per te kryer vrasje"", Grup i strukturuar kriminal" dhe "Pjesëmarrje në grup të strukturuar."

Nga zbardhja e komunikimeve në aplikacionin SKY ECC, Avdyli bashkëpunonte dhe thurte plane me grupin e ish-deputetit socialist Arben Noka dhe grupin e Ervis Martinaj për të ekzekutuar Durim Bamin.

Vendimi i GJKKO-së:

1. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Gjykimin e çështjes penale në ngarkim të të pandehurit Astrit Balliu (alias Avdyli, alias Sulejmani)”.

2. Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të zakonshëm. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtaret Flojera Davidhi, Rudina Palloj dhe Elsa Ulliri, me vendimin nr. 13, datë 11.02.2026 vendosi:

1. Deklarimin fajtor të të pandehurit Astrit Balliu (alias Avdyli, alias Sulejmani), për kryerjen e veprës penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 283/a, paragrafi parë, 28/4 dhe në lidhje me nenin 334, paragrafi parë të K.Penal dhe dënimin e tij me 12 (dymbëdhjetë) vjet burgim.

2. Deklarimin fajtor të të pandehurit Astrit Balliu (alias Avdyli, alias Sulejmani), për kryerjen e veprës penale “Grup i strukturuar kriminal”, kryer në formën e pjesëmarrjes, parashikuar nga neni 333/a, paragrafi dytë, të K.Penal, dhe dënimin e tij me 3 (tre) vite burgim.

3. Deklarimin fajtor të të pandehurit Astrit Balliu (alias Avdyli, alias Sulejmani), për kryerjen e veprës penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga neni 278/1 të K.Penal dhe dënimin e tij me 5 (pesë) vjet burgim.

4. Në bashkim të dënimeve, sipas nenit 55 të Kodit Penal, dënimin e të pandehurit Astrit Balliu (alias Avdyli alias Sulejmani), përfundimisht me 12 (dymbëdhjetë) vite burgim.

5. Vuajtja e dënimit për të pandehurin Astrit Balliu (alias Avdyli, alias Sulejmani), të fillojë nga dita e arrestimit të tij, dhe të kryhet në një burg të sigurisë së lartë.

6. Bazuar në nenin 190, pika 1, shkronja “a” të K.Pr.Penale, në lidhje edhe me nenin 36, pika 1, shkronja “a” të K.Penal, prova materiale e sekuestruar, arma pistoletë, me mbishkrimin ËALTER-P.P.Q-Made in Germany, me numër ****, të kalojë në favor të shtetit.

7. Në mbështetje të nenit 485/3 të K.Pr.Penale, shpenzimet hetimore gjatë fazës së hetimeve paraprake në raport me të bashkëpandehurit e tjerë, ndërsa ato gjyqësore i ngarkohen të pandehurit.

8. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e komunikimit të vendimit gjyqësor të arsyetuar.