“21 Janari”, “zinxhirët” edhe kufomave

“21 Janari”, “zinxhirët” edhe kufomave
Që kur Zhan Zhak Rusoi shkruante, se “njeriu ka lindur i lirë, por gjithë jetën është në zinxhirë” kanë rrjedhur në tërë botën shumë ujëra, që gradualisht mbytën prirjet për sundime diktatoriale dhe nxorën në sipërfaqe nevojën për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të tij. Veçanërisht, pas Luftës II Botërore kjo nevojë u materializua në ligje kombëtare dhe në traktate ndërkombëtare, të cilat detyruan me fuqinë juridike shoqëritë demokratike dhe shtetet e tyre të pranojnë që qeniet njerëzore, pavarësisht nga mosha, seksi, raca, besimi fetar apo shkollimi, pavarësisht nga shtetësia, kultura, mendimi politik që përfaqësojnë apo nga kushtet e jetesës që i shoqërojnë, tek e fundit kanë një vlerë të brendshme, e cila duhet të respektohet në mënyrë të pakushtëzuar nga cilido dhe të mos cenohet për asnjë “arsye shtetërore”. Madje, edhe rastet për të njollosur kujtimin e njerëzve të pafajshëm, që nuk rrojnë më, të ndëshkohen me sanksione të ndryshme. Dhe, gjithçka e tillë të arrihet përmes së drejtës dhe jo nëpërmjet politikës.

     Prandaj edhe këtu, ndonëse me vonesë në krahasim me pothuajse të gjitha vendet evropiane, Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë e miratuar me ligjin  nr. 8417, datë 21.10.1998 u shpall solemnisht, veç të tjerash, “me zotimin për mbrojtjen e dinjitetit dhe personalitetit njerëzor...me bindjen e thellë se drejtësia, paqja, harmonia dhe bashkëpunimi ndërmjet kombeve janë ndër vlerat më të larta të njerëzimit”. Por, megjithëse ky sistem vlerash që i jep mbrojtje të veçantë juridike të gjithë individëve u pranua formalisht, deri tani është nëpërkëmbur shpesh herë në mënyrë të hapur dhe me tone arrogante. Ndërmjet këtyre shkeljeve, pa dyshim që masakra e 21 Janarit 2011 nuk mund të harrohet dhe të tolerohet nga askush dhe asnjëherë. Nuk mund të harrohet dhe të tolerohet nga askush dhe asnjëherë, për sa kohë që nuk janë ndëshkuar me dënimet e merituara jo vetëm ekzekutorët, por edhe ideatorët apo urddhëruesit e asaj ngjarjeje të dhimbshme, e cila nuk ka precedent në asnjë shtet të kontinentit evropian gjatë 70 viteve të fundit.

     Me zhvillimet e një harku kohor mbi trevjeçar që nga 21 Janari 2011, tashmë mund të thuhet pa ndrojtje, pa e tepruar që, nëse ajo ditë e ngrysur të bindte për aktualitetin këtu të thënies së vjetër të Rusoit, tashmë duket sikur zinxhirët nuk u janë kursyer edhe kufomave, për të mos u ngritur dot nga varri që të akuzojnë prej rrënjëve të kësaj toke ata që i qëlluan me armë zjarri drejt e në mish, dhe që dikush i komandonte, i urdhëronte. Pra, dikush që komandonte dhe urdhëronte edhe vetë komandantin e asaj force ushtarake, për të reaguar egërsisht ndaj mijëra qytetarëve të këtij vendi, të cilët po ushtronin në Tiranë, përpara Kryeministrisë, një nga të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, atë të organizimit, tubimit dhe protestës paqësore kundër poltikave regresiste e diskriminuese të qeverisë së asaj kohe.

Dhe, meqë për protagonistët e atij episodi makabër të asaj qeverisjeje me prirje diktatoriale ende organet e drejtësisë nuk po i bien me forcën e ligjit çekiçit që mbajnë në dorë, këto organe ua kanë hedhur zinxhirët kufomave të ngrata dhe jo atyre që i meritojnë ato.

Ndërkohë që shumica absolute e popullit shqiptar e dha verdiktin ndaj tërë mbrapshtësive të politikës së qeverisjes së Sali Berishës dhe klanit të tij (ku bëjnë pjesë edhe gjyqtarë e prokurorë), duke e gremisur dhe përmbysur me votimin e përgjithshëm të vitit të kaluar, i tërë faktori ndërkombëtar aleat i Shqipërisë vazhdon të theksojë me tone të ashpra domosdoshmërinë e zbardhjes së të vërtetës dhe përgjegjësive të asaj ndodhie të lyer me gjakun e njerëzve të pafajshëm. Le të kujtojmë që vetëm para rreth dy muajsh, një ditë përpara Takimit VI të Këshillit të Stabilizim – Asociimit BE – Shqipëri, nga Brukseli u deklaruan qëndrimet e përbashkëta të 28 Shteteve Anëtare të Bashkimit Evropian, në dokumentin e të cilëve nënvizohej, veç të tjerave, edhe që një proces i besueshëm gjyqësor për zhvillimet e 21 janarit merr rëndësi madhore. 

Ishte fjala për t’u kapërxyer dhe hedhur poshtë vendimet e Gjykatës së Shkallës së Parë dhe Asaj të Apelit në Tiranë, sipas të cilave, deri tanë të vetmit të pandehur që vranë demonstrues – Ish komandanti i Gardës së Republikës dhe një nga vartësit e tij u shpallën një herë të pafajshëm dhe, më vonë, të fajshëm për vrasje nga pakujdesia, duke u dënuar veçse me kohën e paraburgimit. Pra, fjala është për të kapërcyer dhe hedhur poshtë ato vendime, të cilat as gjyqtarët që i formuluan dhe i shqiptuan nuk besonin në vërtetësinë e pretendimeve të tyre dhe në “drejtësinë” e dhënë në mbrojtje të këtyre të të pandehurve në liri, përmes një procesi të besueshëm gjyqësor, në përputhje me praktikat më të mira. Kjo do të ndikonte sigurisht për besueshmërinë e të gjitha institucioneve shtetërore dhe veçanërisht për rritjen e besimit publik në sistemin gjyqësor. Qëndrimi i përbashkët i 28 Shteteve Anëtare të Unionit, për plotësimin e masave mbi këtë rast mbështetej atëhere, sikurse edhe tani pas akordimit Shqipërisë të statusit zyrtar të Shtetit kandiat për në BE, përpos të tjerash, edhe te fakti që prokuroria kishte safiduar përpara Gjykatës së Lartë dënimet e vendosura në dy shkallët më të ulta.           

     Por, fatkeqësisht, tek u bënë 7 muaj që kur organi i akuzës ka bërë rekursin pranë majës së piramidës gjyqësore të juridiksionit të zakonshëm, prej këtu asnjë reagim. Heshtje dhe vetëm heshtje, po të mos u vëmë shumë veshin justifikimeve për ngarkesën e madhe me një mal dosjesh që gjenden ende të pagjykuara në Gjykatën e Lartë. Dhe, të mos u vësh shumë veshin këtyre justifikimeve ka plot arsye. Një prej tyre shprehet te përmbajtja e Rregullores së kësaj Gjykate, miratuar unanimisht nga të gjithë anëtarët e saj, ku përcaktohet se kur Gjykata e Lartë vepron me procedurë të përshpejtuar. Që në fillim të shtrimit të rregullave të kësaj procedure përmendet, se ajo bëhet në bazë të një rradhe gjykimi, në përputhje me periudhën e regjistrimit të çështjes gjyqësore pranë Sekretarisë Gjyqësore. Por, një periudhë prej 7 muajsh, me gjithë ngarkesën e pretenduar të kësaj Gjykate, nuk është e paktë.

     Sidoqoftë, për raste penale Rregullorja përcakton gjykim të pëshpejtuar, përveç rasteve të amnistisë, të ekstradimeve, të pezullimit të ekzekutimit, të kundërshtit të vendimeve të ndërmjetme etj. edhe ato për prishje të vendimit dhe kthim për rigjykim. I kësaj natyre mund të konsiderohet edhe rekursi i Prokurorisë. Pra, nuk është fjala që Gjykata e Lartë ta shqyrtojë çështjen e 21 Janarit në themel, por ta kthejë atë për rigjykim në Shkallën e Parë apo edhe në Apel. Dhe, vendime të kësaj kategorie nuk duan shumë kohë.

Sa shpejt e ktheu relatori Muskaj për rigjykim në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor të Fierit çështjen e ekstradimit në Itali të të dënuarit nga një gjykatë e Shtetit fqinj Arben Isufajn (alias Ben Qimja)?! Aq më tepër që në listën e çështjeve të depozituara në Gjykatën e Lartë parashikohet që në raste të veçanta, edhe brenda të njëjtës kategori çeshtjesh, duke pasur parasysh specifikën e saj, gjyqtari relator mund t’i propozojë trupit gjykues gjykimin e çeshtjes në mënyrë të përshpejtuar.

     A është specifike çeshtja e 21 Janarit? Sigurisht! E kush do të ishte ai që do ta mohonte veçantinë dhe rëndësinë e kësaj çeshtjeje, përveçse po të pranonte se ka lindur me hundë të zëna, që nuk ia shpojnë dot atë as dy vendimet e shkallëve më të ulëta, të cilat kutërbojnë erë të rëndë dhe të fortë edhe përtej kufijve të Shtetit tonë?! Por, zhvillimet e deritashme dhe përvoja negative e Gjykatës së Lartë për zgjidhje të padrejta dhe të papështatshme të shumë e shumë konflikteve gjyqësore, të lejojnë që të të shkojë mendja te prirja e ndonjë apo e disa gjyqtarëve sipërorë për ta zvarritur çeshtjen sa të jetë e mundur më shumë, në mënyrë që të mbajnë premtimet përpara atyre që i kanë zgjedhur në këtë post dhe që u kanë hapur fushë për të vënë pasuri të jashtëligjshme.

Në këtë rast, edhe korrupsioni - i përhapur gjerësisht nëpër gjykata – ka një veçori, ka formën e korrupsionit politik. Përkundër çka u mundua të justifikohet në një intervistë televizive të para rreth dy muajsh vetë Kryetari i Gjykatës së Lartë, i cili është shprehur se nuk mund t’i imponohet Kolegjit Penal, por se thjesht beson që kjo çështje mund të gjykohet deri në fund të këtij viti. Në një kohë, kur Rregullorja parashikon që mbi bazën e kërkesave të palëve ndërgjyqëse, për përshpejtimin e gjykimit të një çështjeje konkrete, në raste dhe rrethana të veçanta, mund të përshpejtohet gjykimi i çështjes me miratimin e Kryetarit të Gjykatës.

      Qëndrimet kundërthënëse, disa prej të cilave i vumë në dukje në këto rradhë, sidoqofshin nuk e ulin aspak rëndësinë e Dosjes së 21 Janarit. Përkundrazi, tek e mbramja tregojnë përpëlitjet e atyre që e pengojnë zbardhjen e plotë të përgjegjësive jo vetëm të ekzekutorëve, por sidomos të urdhëruesve të asaj masakre që nuk harrohet. Njëherazi, edhe kotësinë e pretendimeve të atyre gjyqtarëve të të gjitha shkallëve, që të frikur për fundin e turpshëm vetjak, ashtu si edhe të atyre që i mikluan dhe i promovuan për interesa të dyshimta, tashmë ngrihen e bëjnë thirrje publike, se reforma në Drejtësi kërkohet të bëhet për të sfumuar pavarësinë e pushtetit gjyqësor. Ndërsa, nevoja për të kryer një reformë në këtë sistem është pikërisht për t’u kthyer organeve të tij pavarësinë, paanshmërinë, transparencën dhe efiçencën e tyre, që janë elemente qendrore në vlerësimin e kriterit politik për anëtarësiimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Prandaj, reforma në Drejtësi vlerohet brenda dhe jashtë vendit, si kyçe për të gjitha zhvillimet e ardhshme.    


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 23 Korrik 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com) 

   

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë