Ditën e sotme, filiali serb i agjensisë ruse të lajmeve, “Sputnik”, publikoi një artikull të ri me titullin “zgjedhjet në Shqipëri mund të përbëjnë një tërmet për stabilitetin në Ballkan”.
Ideja përshkruese e artikullit ishte se Rama, i cili duke cituar “Sputnik” “po del gjithmonë e më shumë në pah si lideri i natyrshëm i shqiptarëve të rajonit dhe një përkrahës i vendosur i integrimit europian, është duke u përballur me një betejë të fortë për mbijetesën politike në vendin e tij”. Po sipas kësaj agjensie, zgjedhja e Ramës do të ishte një fitore për përkrahësit e axhendës irrendentiste shqiptare, diçka që vendos në rrezik paqen në rajon. E megjithatë, “Sputnik” ngushëllon lexuesit duke thënë se fitorja e Ramës do të jetë shumë e vështirë, pasi PD i ka të gjitha shanset që të formojë e vetme qeverinë.
Përtej mesazhit të këtij artikulli, të cilin mediat opozitare në Shqipëri e qarkulluan sot si një provë të mbështetjes ndërkombëtare që gëzon Basha, ajo që bie menjëherë në sy janë një seri gafash të tmerrshme, që tregojnë se gazetari nuk ka asnjë njohuri mbi aktualitetin e ngjarjeve në Shqipëri.
Që në fillim, “Sputnik” argumenton se nga këto zgjedhje do të përcaktohet se kush do të zgjidhet president i vendit, që sipas gazetës është edhe roli më i pushtetshëm në Shqipëri. Që në paragrafin e dytë, në fakt artikulli bie i gjithi poshtë pasi shkruhet:“Zgjedhjet e përgjithshme parlamentare do të mbahen në Shqipëri në datën 25 qershor dhe nga rezultati i tyre do të përcaktohet se kush do të jetë presidenti i ardhshëm i vendit pasi kreut aktual të shtetit, Bujar Nishanit, po i skandon mandati i tij 5-vjeçar”.
Kjo gafë, si dhe shumë të tjera tregojnë qartë se asnjë gazetar i mirëfilltë nuk ka ardhur në Shqipëri për të bërë një reportazh të mirëfilltë. Artikulli është qartazi porositur dhe është hartuar nga një pseudo-gazetar, përmes të dhënave të mbledhura kuturu në internet.
Kjo nuk është hera e parë që në “Sputnik”, publikohen artikuj që sulmojnë personalisht Ramën. “Rama kërkohet të bëhet kryeministër I Maqedonisë”, “Platforma e Ramës në Maqedoni po nxit luftë në Ballkan”, janë vetëm disa prej titujve bombastikë të vendosur nga ky portal gjatë muajve të fundit.Ndonëse lidhja direkte midis kësaj agjensie dhe Bashës nuk është provuar asnjëherë me fakte, duket se ekziston qartazi një politikë e këtij portali dhe disa mediave të tjera ruse për të përkrahur opozitën në Shqipëri.
Ndërkohë, ajo që ama mund të provohet është një “flirt” I vazhdueshëm ndër vite i Bashës me sponsorët e influencës ruse në rajon. Si ministër I Jashtëm dhe si ministër I Brendshëm, Basha kultivoi një marrëdhënie të ngushtë miqësie me Gruevskin dhe lobin nacionalist maqedonas. Në të dy këto pozicione, Basha fermentoi një marrëdhënie të ngushtë personale, e cila u këmbye me një seri vizitash në Shkup.
Edhe më shqetësues është fakti se fushata e Bashës ka punësuar si manaxher të saj këshilltarin hebre Aron Shave, person që ka punuar ngushtësisht me opozitën e Mandiç në Malin e Zi dhe ka përkrahur fraksionin radikal që tentoi të vriste ish-kryeministrin, Milo Djukanoviç, pas zgjedhjeve të mbajtura disa muaj më parë.
Mediat perëndimore, të gjitha denoncuan njëzëri se atentati u organizua nga forca paramilitare të drejtuara nga Shërbimi Ushtarak Rus “GRU”, me qëllim shmangien “in extremis” të anëtarësimit të Malit të Zi në NATO.
Enigmatik mbetet edhe takimi midis Bashës dhe ambasadorit rus, Karpushin, në Tiranë në 14 mars, në kohën kur çadra kishte humbur të gjithë mbështetjen ndërkombëtare, me përjashtim, mesa duket të Kremlinit.
Në këto kushte, “fletë-rrufetë” e publikuara në “Sputnik” dhe në portale të tjera të ngjashme duken vetëm si maja e ajsbergut, e një influence që po shfaqet gjithmonë e me më shumë prepotencë në Shqipëri, si një alternativë e mundshme e rrugës së integrimit europian dhe euro-atlantik të vendit tonë.lexo.al
Redaksia Online
J.Sh Shqiptarja.com