“Një grua nga Tirana”,
romani më i ri i Helena Kadaresë

“Një grua nga Tirana”,<br />romani më i ri i Helena Kadaresë
Mesazhet e një romani që nisi në Tiranë dhe përfundoi në Paris. Një prezantim me prozën më të pjekur të autores...Është një vepër letrare e shkruar me dhembje të rëndë.

Tirana, ky kryeqytet i dashurisë, magjisë dhe joshjeve tona trishtuese, i shënuar për pesëdhjetë vjet si një bunker i mbyllur në atlaset e huaja, edhe sot e kësaj dite, pas përmbysjeve të thella që kanë ndodhur, me energjitë njerëzore që çliron dhe marrëzitë tronditëse, prej të cilave nuk heq dorë, me sa duket vazhdon të mbetet një nga kryeqytetet më të dallueshme e më të çuditshme të Europës.

Prej këtu fillon leximi i romanit “Një grua nga Tirana”, për të mos thënë se, ndoshta, edhe vetë shkrimtarja e ka shkruar këtë vepër pikërisht nga kjo optikë. Autorja e ka ngjizur brumin e dheut të vet duke përdorur mjetet e zakonshme që përdorin romancierët, por një mallëngjim i ndritshëm, shoqërues kapitull pas kapitulli e që kushedi përse të kujton shkëlqimin e lotit, të bën të besosh se tharmi i këtij brumi, para se të jetë vjelë si substrat i jetës, ka qenë mpiksur te Helena si tharm e acid shpirtëror.

Është një vepër letrare e shkruar me dhembje të rëndë, me kambana që bien për një funeral të madh e me jehona të tjera, kambana të brendshme, që hyjnë në rezonancë me të ardhmen si paralajmërim. Autenticiteti i veprës, i shpallur me guxim që në titull, është gjerësisht i pohueshëm. Kjo grua nga Tirana, me emrin Suzanë, vjen në spikamë jo se ka ndonjë gardërobë shqiptare, ndonjë jelek folklorik apo kostum kombëtar, përkundrazi, ia kërkon trupi e s’gjen në treg një rrobë moderne, por ajo bëhet distinktive sepse ka shpirt dhe fat shqiptar.

Në spektrin universal të fatit të njerëzimit, çdo popull ka pasur dhe do të ketë ngjyrimin individual të fatit të tij.
Jo sot, por prej vitesh e vitesh, mendoj se në letërsinë tonë Helena Kadare ka pasur dhe ka vendin e saj. Një vend për të cilin kurrë nuk është ndier, deri në atë shkallë sa thuajse kurrë nuk e ka ditur, në një kohë kur nëpër anekset e letërsisë bëhej sherr i madh, derdhej shumë lëng tëmthi dhe ngrihej zëri në kupë të qiellit për dy gisht vend (plus a minus) prej shkrimtarësh fantazma, të cilët nuk i shuan thjesht metoda e soc-realizmit, por sidomos skllavëria ndaj metodës, sidomos shpirti kreativ i cekët, sidomos gjuha artistike e vdekur.

Në këtë kamp djajsh, sipas meje, Helena Kadare rrezatonte shpirtin bujar të një ambicieje të përmbajtur dhe, ndonëse aq pranë mbretit të Letrave shqipe, asnjëherë nuk u dalldis e nuk kërkoi për vete kurora të rrejshme, duke provuar se, fundja më në fund, para letrës së bardhë e para letrës së shkruar, ashtu si në ditën e Gjyqit final, çdokush mbetet fillikat para Zotit. S’ka qenë e lehtë që me mundësinë e një pushteti të fuqishëm intelektual, jo vetëm të mos e keqpërdorësh atë, por të pozicionohesh në atë mënyrë, sa as të mos e përdorësh. Sepse kur përdoret, siç ka treguar realiteti, pushteti shpërdorohet.

E kështu, në vend të ledi Makbeth, Helena mbeti një ledi e mirë. Po të ndodhte ndryshe, nuk e di se çfarë mund të fitonte ajo, por di se Tirana diç do të kishte humbur. Janë qorra apo të pandjeshëm ata që nuk e kanë vërejtur se, me atë harmonizim të fortë të personalitetit të artistes e të gruas, me atë shkrirje të natyrshme të dinjitetit dhe të mirësisë njerëzore, modestja ledi Helena ka luajtur për shumë vjet një rol emancipues në jetën shoqërore e kulturore të kryeqytetit tonë.

Disa nga këto shenja i gjejmë te Suzana e saj, ato lexohen në rreshta e ndihen mes rreshtave. Është një figurë që shkrimtarja e ka krijuar duke i dhënë nga vetja po aq sa duke e larguar nga vetja. Ajo vjen prej një hapësire komplekse e të dridhshme, zonës që zakonisht ndan dritën e hijet, domethënë prej pjesës më të ndjeshme, por edhe më të vrashme të shpirtit njerëzor. A mos ishte Suzana një Anë Karenina e re, siç shtrohet dilema në roman, por e degraduar si çdo gjë tjetër nga shterpësia socialiste? E ku ta dish, edhe ndoshta. Prej vargjeve “Atje ku fushat janë bosh dhe hëna/ si një stoli e mbytur në pellg ndriçon plot faj”, Suzana rrëqethet, i vjen për të qarë dhe unazën e saj, me “një lloj ndriçimi fajtor”, e përfytyron “në fundin e një pellgu, diku në fushat e Belshit apo të Lezhës”, atje ku të panënshtruarit i çonin për dënim.

Ajo humb përballë një realiteti plot nofulla gërryese, natyrisht bjerr nga vetja, por sidoqoftë, sado vite shkojnë, mbetet tek ajo e papërlyer dhe ngushëlluese pjesa e paprekshme që kanë shpirtrat e thellë. Dhe kjo është ura e qëndrueshme, ura që i mbart njerëzit e vërtetë dhe veçanërisht figurat e pasura artistike, prej një kohe në një kohë. Edhe kjo bën pjesë në fatin shqiptar, e ndoshta nuk është vetëm fat, por edhe fatum i etnisë.
Në polifoton e romanit, vendosur në raporte me Suzanën, të mbesin në mendje edhe figura të tjera: Sara me antenat shpirtërore; Roberti i sinqertë dhe kokëkrisur që e pëson; përkthyesi monumental i frëngjishtes; çifti i intimitetit dhe çajit çehovian; Viktori meskin që mbart temën e tjetërsimit.

Por sidomos D. H., shkrimtari i njohur dhe i sulmuar, misterioz, i sertë, prometean e njerëzor njëkohësisht, një protagonist që na kujton se një komunitet shoqëror nuk prishet vetëm kur njerëzit harrojnë të qeshin, por edhe atëherë kur harrojnë të qajnë. Të dish të vëzhgosh e të marrësh nga jeta duke transfiguruar, nuk është mëkat, por dhunti e lartë e artit.

Ky roman është nisur në Tiranë dhe, me distancë kohe, është mbaruar në Paris. Ai vjen prej një metropoli ku shkruhet arti i madh, por ku nuk mungojnë në përmasa të dukshme as dështimet dhe eksperimentimet letrare boshe. Kush ndodhet mes të mëdhenjve dhe boshllëkut, shpesh rrezikon qoftë dhe për modë ta shpartallojë veten. Helena vjen përsëri si një ledi serioze, ajo e ka ruajtur individualitetin e saj dhe kjo është prapë merita e parë e një artisti. Ajo është zhvilluar brenda këtij individualiteti dhe kjo është prapë merita shquese e një artisti. Helena Kadare është autore që e ka dashur gjithmonë klasiken, klasiken që plekset pa bujë me modernen. Në këtë kahje e shoh edhe zhvillimin që ka arritur, ajo ka ecur drejt një kultivimi qelizor të prozës.

Është një përpjekje për të faktozuar të gjithë elementet e romanit dhe për të arritur, mundësisht faqe për faqe, një estetizim total të tekstit. Asnjë shkrimtar nuk e di se deri ku të çon rruga e zgjedhur, por nuk është e vështirë të kuptohet se sa dhe çfarë investon ai në këtë rrugë. Te “Një grua nga Tirana” autorja ka investuar pa rezerva, por edhe pa u ngutur. Si një shkrimtare e sensit, një sens i lindur dhe më pas i mprehur vazhdimisht, duket sikur edhe rrëfimin që ia ka besuar më tepër intuitës, edhe dialogun që ia ka besuar më tepër situatës, edhe përshkrimin e koloritin e spikatur qytetar, pikat e saj më të forta, çka ia ka besuar posaçërisht talentit, herë-herë i ka kaluar nëpër atë vizoren e shkallëzuar, që me kohë t’i jep kultura e asimiluar dhe përvoja prej artisti, me dëshirën e mirë që edhe nëse diçka mungon, të paktën asgjë të mos jetë e tepërt.

Ma merr mendja se ajo lojë e imtë dhe e mundimshme me fjalën, që për shumëkënd mund të ketë kaluar pa u vërejtur, është njëra prej betejave të fituara në këtë akt të gjatë artistik. Por nëse ky roman i ka marrë autores më shumë energji nga sa ka pandehur, dhe nëse ndoshta ende s’ia ka kthyer kënaqësinë që meriton, kjo është edhe punë e djallit. Nganjëherë, më duket se qyshkur është dëbuar në fillim prej viseve qiellore, djalli ka rënë në tokën tonë e ka mbetur midis nesh. Dhe kjo do të thotë se ne prapë duhet të ruhemi, sepse vërtet njerëzit tani mund të qeshin e të qajnë për vete, por ata prishen njëlloj kur harrojnë të gëzojnë për të tjerët. Në këtë Tiranën tonë, siç e kam thënë prapë, ose flitet pa lexuar, ose lexohet e nuk flitet. E prej këtu nis edhe një lëçitje tjetër e “Një gruaje nga Tirana”, romani më i ri i prozës më të pjekur të Helena Kadaresë.

ismail kadare

















Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 31 Gusht 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)  

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Media amerikane “CN Traveler”: Plazhet më të mira në Shqipëri

Media amerikane “CN Traveler”: Plazhet më të mira në Shqipëri