Turizmi historik: Udhëtim nëpër kalatë shqiptare
Nuk ndodhen vetëm lart kodrave apo maleve. Shtrihen kudo, duke zbukuruar relievin e vendit. Madje edhe mes gadishujve te vegjël të deteve tona. Tregojnë në heshtje historinë e lavdishme dhe magjike të një vendi mesdhetar të vogël por të madh në epope.
Sot do të udhëtojmë nëpër kalatë me fantastike te Shqipërisë në territorin e së cilës gjenden një varg kështjellash, të cilat datojnë që prej periudhave antike e deri në mesjetë. E veçanta është se disa prej tyre vazhojnë të banohen edhe në ditët tona. (më e rëndësishmja në Berat). Kalatë kryesore janë Rozafa, Lezha, Gjirokastra, Butrinti, Porto -Palermo, Kruja, Petrela, Kanina.
Kalaja e Drishtit - Gjendet në një distancë prej 6 km nga Ura e Mesit mbi lumin Kir. Fshati i sotëm ndodhet poshtë vendgërmimit të Drivatiumit të lashtë. Ai u ngrit në periudhën romake si një vendbanim në rrugën Shkodër–Kosovë dhe në antikitetin e vonë ishte njëra prej fortesave zinxhir, të cilat mbronin Shkodrën. Në shek IX, Drishti u kthye në një fortifikim të rëndësishëm të Mbretërisë së Zetës dhe varej nga Dioqeza e Tivarit. Kalaja e Drishtit u ngrit në shek XIII si një fortesë bizantine.
(Në Foto: Kalaja e Drishtit)
Kalaja e Rozafës - Ngrihet mbi një kodër shkëmbore në perëndim të qytetit të Shkodrës. Ajo rrethohet prej ujërave të tre lumenjve: Bunës, Drinit dhe Kirit. Rozafa është një prej kështjellave më të rëndësishme në të gjithë Shqipërinë dhe objekti kryesor turistik në qytetin e Shkodrës. Kalaja ka origjinë ilire dhe historiani Tit Livi e përmend “si vendi më i fortë i Labeatëve” ( fis ilir në brigjet e liqenit të Shkodrës). Mbretëresha ilire Teuta e ka përdorur atë si bazë në luftërat kundër Romës. Emri “Rozafa” del në mesjetë. Me këtë emër lidhet legjenda e murimit, të cilën nuk ka vendas që të mos dijë t’ua tregojë. Formën e sotme kalaja e ka marrë gjatë periudhës së sundimit të familjes feudale të Balshajve (shek XIV). Objekte të tjera brenda kalasë janë çisternat e ujit, të shek XV, katedraleja e shek XIII, e cila pas pushtimit osman u kthye në xhami. Po kështu, aty ndodhet edhe muzeu i Rozafës, i cili shpjegon periudhat e ndryshme të kalasë.
(Në Foto: Kalaja e Rozafës)
Kalaja e Krujës - Është objekti kryesor turistik i qytetit të Krujës. Kështjella është ngritur gjatë shekujve V-VI. Ajo ka trajtë eliptike me një perimetër prej 804 metrash. Muret rrethuese janë të përforcuara nga 9 kulla. Në pjesën më të lartë në verilindje ngrihet kulla e Sahatit, e cila shërbente për vrojtim dhe sinjalizim me kalanë e Petrelës dhe Durrësin. Muzeu ndodhet në hyrjen kryesore të kështjellës. Muzeu është përuruar në vitin 1982. Krahas stendave të cilat shpjegojnë veprimtarinë e Skënderbeut, në muzeum ndodhen edhe bibloteka, dokumente dhe botime që lidhen me figurën e Skënderbeut. Muzeu ka karakterin e një memoriali dhe ka elemente të tilla si harqe guri, piktura në xham etj. Brenda mureve të kalasë gjenden disa shtëpi dhe Teqeja e Dollmasë. Në perëndim të kështjellës ruhet edhe hamami shek XV.
(Në Foto: Kalaja e Krujës)
Kalaja e Lezhës - Ngrihet në majë të një kodre me lartësi 186metra, në lindje të qytetit. Kalaja ka origjinë ilire. Në vitin 1440 ajo iu nënshtrua një rindërtimi nga venedikasit, ndërsa në vitin 1522 pas pushtimit osman u rindërtua edhe nga ana e tyre. Këtu mund të shikohen gjurmë të arkitekturave ilire, romake, bizantine dhe osmane. Objektet më interesante për t u vizituar janë rrënojat e ndërtesave osmane brenda kalasë, xhamia, kulla në murin juglindor me një hark romak dhe kulla ilire në murin jugor. Kalaja e Lezhës është monument kulture. Prej saj shihet një pamje mjaft e bukur e fushës së Lezhës dhe e detit Adriatik.
(Në Foto:Kalaja e Lezhës)
Kalaja e Rodonit - Ndodhet në kepin e Rodonit. Princi Karl Topia dëshironte ta kthente këtë vend në një kantier detar, ndërsa Skënderbeu, duke synuar që të kishte një dalje të afërt në det, ngriti këtu një kështjellë. Kjo kala filloi të ngrihej mbas rrethimit të parë të Krujës në vitin 1450. Përfundimi i saj mendohet të jetë rreth vitit 1452. Muri i kështjellës së Rodonit arrinte në një gjatësi prej 400 metrash dhe në kulmet e saj kishte kulla të rumbullakëta. Në vitin 1500 kalaja u pushtua nga Venediku. Si rezultat i veprimtarive erozive të ujërave të detit, një pjesë e mureve janë zhytur nën ujërat e detit Adriatik. Sot vizitorët mund të shikojnë muret e jashtme të anës së djathtë, të cilat përfundojnë me një kullë të rrumbullakët.Pranë kalasë ndodhen edhe rrënojat e Kishës së Shën Pjetrit, të cilat konsiderohen nga banorët si vend i shenjtë.
(Në Foto:Kalaja e Rodonit)
Kalaja e Bashtovës - Ngrihet pranë fshatit të Bashtovës në një distancë prej 3-4 km, në veri të grykëderdhjes së lumit të Shkumbinit. Kështjella është ndërtuar në shekullin XV dhe u ka shërbyer venecianëve. Zona e Bashtovës është përmendur si një port lumor në Shkumbin si dhe një qendër e eksportit të drithërave. Kalaja ka trajtë katërkëndore me përmasa 60 x 90 metra. Pjesa perëndimore e saj është rindërtuar në shekullin XVIII. Muret e saj kanë një lartësi prej 9 metrash.
(Në Foto: Kalaja e Bashtovës)
Kalaja e Peqinit - Është një kala mesjetare e ndërtuar në shek XV, por mendohet mbi themele antike. Bien në sy frëngjitë për vendosjen e topave si dhe format e kullave, të cilat janë poligonale. Kalaja ndodhet pranë lumit të Shkumbinit. Ajo ka kaluar tre periudha rindërtimi.
(Në Foto: Kalaja e Peqinit)
Kalaja e Elbasanit - Është një kala fushore në qytetin e Elbasanit. Ajo përmendet për herë të parë nga Kristobuli, historian i Mehmetit II. Në shekullin XVIII, qyteti u vizitua nga kronikani ottoman, Evlia Çelepiu,i cili bëri përshkrimin e kalasë. Objekt studimi i plotë kalaja u bë nga arkeologët austriakë Prashniker dhe Shober, të cilët e vizituan gjatë Luftës së Parë Botërore. Ata konstatuan se poshtë mureve mesjetare kishte fortifikime të periudhës antike. Kalaja ka formë katërkëndore me përmasa 308 x 48 metra. Nga 26 kulla që ka pasur, sot ruhen vetëm 8 prej tyre. Në periudhën e vonë antike qyteti brenda kalasë me emrin Skampini nisi jetën e vet si qendër banimi pranë rrugës “Egnatia”. Rindërtimi i kalasë u bë nga turqit për qëllime strategjike. Sot muret brenda kalasë janë të banuara. Aty gjenden edhe objekte të rëndësishme kulti si të besimit mysliman ashtu edhe të atij kristian.
(Në Foto:Kalaja e Elbasanit)
Kalaja e Margëlliçit - Ndodhet pranë qytetit të Patosit.Kjo është një kala e periudhës antike. Ajo ngrihet në majë të një kodre dhe i përket shek VII. Kalaja bënte pjesë në sistemin mbrojtës satelit të qytetit antik të Bylisit. Margëlliçi ka qenë gjithashtu edhe objekt i një beteje edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Kalaja e Kaninës - Ndodhet 6 km larg nga qyteti i Vlorës. Kjo kala është përmendur që në shekullin IV. Megjithatë aty janë zbuluar gjurmë që prej periudhës ilire. Mendohet se është ndërtuar që në shek III. Gjurmë të mëpasme janë ato të periudhave bizantine, veneciane dhe turke. Kalaja është rindërtuar nga Justiniani në shek V dhe meremetuar nga sulltan Sulejmani më 1531. Kalaja ngrihet në majë të një kodre me lartësi 380 metra mbi nivelin e detit. Ajo ka një sipërfaqe prej 3.6 hektarësh. Prej këndej hapet një pamje mjaft e bukur drejt Vlorës dhe gjirit të saj.
(Në Foto: Kalaja e Kaninës)
Kalaja e Ali Pashait në Gjirin e Porto Palermos, është një kala e vogël e vendosur në një pozicion mjaft të bukur në një gadishull në gjirin e vogël tektonik të Porto Palermos ( në antikitet e njohur si gjiri i Panormës). Kalaja ndodhet jo larg fshatit të Qeparoit. Kalaja ka formë trekëndore. Përmasat e saj janë 150 x 400 metra. Lartësia e mureve arrin në 20 metra. Ali Pashai e ndërtoi këtë kala për nder të së shoqes, Vasiliqisë.Në të njëjtën kohë ajo shërbente edhe si pikë kontrolli. Gadishulli ku gjendet kalaja është i mbuluar me shkurre mesdhetare gjithnjë të gjelbra, ndërsa nga bedenat hapet një pamje mjaft e bukur e detit ku dallohet edhe gjiri ku mendohet se lahej Vasiliqia.
Kalaja e Borshit I përket shek IV dhe është rindërtuar në mesjetë. Ajo ka një sipërfaqe prej 5 hektarësh dhe ka një bazament prej blloqe gurësh. Pas periudhës antike është përmendur për herë të parë në vitin 1258 me emrin Arkontea e Sopotit. Po në këtë vit kalaja i jepet si prikë bijës së Despotit të Epirit, Helenës. Në vitin 1417 u pushtua nga turqit, ndërsa në vitin 1441 u pushtua nga princi arbër, Kostandin Muzaka. Turqit e rimorën përsëri më 1848. Kalaja njohu edhe pushtimin nga ana e Ali Pashait.
(Në Foto: Kalaja e Ali Pashait)
Kalaja e Lëkursit - Gjendet 2 km në jug të qytetit të Sarandës. Kalaja ka formë katërkëndore ku në secilin kënd ngrihen kulla të rrumbullakëta. Sipas disa burimeve, kalaja është ndërtuar në vitin 1537 nga sulltan Sulejmani në kuadër të fushatës së tij për të pushtuar ishullin e Korfuzit. Kalaja ngrihet mbi një kodër mjaft dominante dhe ofron një pamje të mrekullueshme. Prej këndej mund të observohet një distancë me rreze deri në 60 km.
(Në Foto: Kalaja e Lëkursit)
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)