Në prag të publikimit të listës së lojtarëve për ndeshjen e fazës play-off ndaj Polonisë më 26 mars, futbollistët e kombëtares shqiptare të futbollit kanë dhënë sinjale mjaft pozitive me klubet e tyre në kampionatet ku aktivizohen.
Një nga protagonistët e fundjavës së shkuar ishte Taulant Seferi, i cili vazhdon të jetë vendimtar për Bodrumsporin në Turqi. Sulmuesi shqiptar gjeti rrugën e rrjetës në ndeshjen ndaj Igdir FK, duke realizuar nga pika e bardhë e penalltisë.
Lajme të mira vijnë edhe nga Italia, ku Stiven Shpendi shënoi për Empolin, duke arritur shifrën e 11 golave këtë sezon dhe duke konfirmuar formën e tij të mirë para ftesave për grumbullimin me Kombëtaren.
Një tjetër zhvillim pozitiv është rikthimi në fushë i Armando Brojës me Burnley. Sulmuesi kuqezi u aktivizua pas një dëmtimi që e kishte mbajtur jashtë për pesë ndeshje radhazi, duke shtuar zgjedhjet në repartin sulmues të Kombëtares.
Gjatë kësaj jave, minuta si titullarë me skuadrat e tyre morën edhe Thomas Strakosha, Berat Gjimshiti, Arlind Ajeti, Ardian Ismajli, Mario Mitaj, Kristjan Asllani, Ylber Ramadani, Ernest Muçi, Juljan Shehu, Nazmi Gripshi, Myrto Uzuni, Cristian Shpendi dhe Klisman Cake. Ndërkohë, nga stoli u aktivizuan Arbër Hoxha, Armando Broja dhe Indrit Tuci.
Rey Manaj luajti vetëm gjashtë minuta të dielën me Sivassporin, pasi la fushën e lojës i dëmtuar.
Performancat pozitive të futbollistëve shqiptarë vijnë në një moment kyç, vetëm pak ditë përpara publikimit të listës nga trajneri Sylvinho dhe përballjes së rëndësishme ndaj Polonisë në fazën play-off. Nëse tanët kalojnë polakët, atëherë më 31 mars do ndeshen në finalen play-off kundër fituesit të çiftit Ukrainë - Suedi, aty ku do mësohet edhe skuadra që do sigurojë grupet e Botërorit 2026 që do zhvillohet nga 11 qershori deri më 19 korrik në SHBA, Meksikë dhe Kanada.
Komente










