Lehtësirat ndaj biznesit, Basha
Rama po kopjon propozimet e PD

Lehtësirat ndaj biznesit, Basha<br />Rama po kopjon propozimet e PD
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se po kopjon propozimet e opozitës në lidhje me lehtësirat e biznesit të vogël. Sipas tij certifikata e detyrimit të shlyer është propozuar nga PD-ja para një muaji.
 
"Bandat e tatimorëve nuk do të shkojnë më sa herë t’i teket të dhunojnë sipërmarrësit në dinjitetin e tyre, siç po bëjnë prej muajsh. Qeveria do të vendosë në derë  çertifikatën e detyrimit të shlyer dhe pas kësaj mund të punojnë të qetë. Siç e kuptojnë menjëherë gjithë sipërmarresit e vegjël në vend, qytetarët me të cilin kemi qenë dhe jemi në një bashkëbisedim intensiv, ky është thelbësisht propozimi që unë dhe Partia Demokratike kemi bërë prej më shumë se një muaji", tha Basha. 

Por sipas liderit të opozitës e rëndësishme është zbatimi konkret për pullën fiskale. “Si çdo kopjim i keq, dhe ky që kryeministri i rrëzuar i ka bërë paketës sonë është i bastarduar, i pjesshëm, demagogjik dhe inefiçentë. Kryeministri i rrëzuar e përvetësoi propozimin tonë dhe e shpalli sot para biznesit të vogël. Akoma më e rëndësishme është zbatimi konkret për pullën fiskale, apo certifikatën siç e quajti kopjaci për të mos u dukur kopjac. I intereson vetëm propaganda, vetëm të shtyjë ditët. PD dhe unë do të shtyjmë dhe do të ngulmojmë me forcë në bashkëpunim me sipërmarrjen e vogël për çlirimin e saj ndaj dajakut e kusarisë qeveritare të Edi Ramës”, u shpreh kreu i PD-së.
 
Sipas tij paketa e PD-së për biznesin e vogël është shumë më e gjerë dhe do të jetë pjesë e programit të opozitës në zgjedhjet e ardhshme. "Sigurisht, paketa jonë për bisnesin e vogël është shumë me e gjerë dhe më e plotë se kaq. Ajo përmban përcaktime të reja, realiste dhe nxitëse, se çfarë duhet  konsideruar biznes i vogël duke e rritur tavinin deri në 120 milionë lekë të vjetra; përmban taksa proporcionale në vartësi të xhiros, 20 deri në 120 milionë lekë, përmban uljen e cmimit të energjisë dhe naftës dhe të tjera masa lehtësuese. Megjithë peshën e veçantë që ka, pulla fiskale është vetëm një element i paketës që do të çlirojë, frymëzojë dhe lançojë sipërmarrjen e lirë në Shqipëri. Opozita e ka ketë paketë, të cilën po e konsulton dhe po e konsolidon në  komunikim të hapur me sipërmarrjen e lirë, me qytetarët para se ta paraqesë në formë institucionale si programin qeverisë së Partisë Demokratike, u shpreh Basha.

Më tej kreu i PD-së shtoi se me këtë akt Rama ka pranuar dështimin e tij dhe se rruga për zgjidhjen e krizës ekonomike është ajo e propozuar nga opozita.

"Përtej anatemimit nervoz dhe në panic, ky është konfirmimi zyrtar nga Edi Rama për vlerat e Partisë Demokratike si alternativë  politike, po afirmon çdo ditë të ofertës tonë, për taksën e sheshtë më të ulët në Ballkan prej 9 %, për biznesin e vogël deri në 120 milionë lekë që do të paguajë midis 10-60 mijë lekë të reja në vit taksë në varësi të xhiros të evidentuar me pullë fiskale, që është edhe tabela ndalim-kalimi për tatimorët, për ulje e çmimit të energjisë, për uljen e çmimit të naftës dhe për faljen e kamatvonesave për të gjithë shqiptarët", përfundoi kreu i opozitës.

Po dy ditë më parë gjatë një takimi me sipërmarrësit për luftën kundër informalitetit, ku Rama tha se do të heqin taksën vjetore për biznesin e vogël dhe zanatçinjtë, prej 250 mijë lekëhs të vjetra, PD-ja reagoi duke thënë se kjo masë lehtësuese ishte pjesë e programit të opozitës për uljen e taksave.

Fjala e plotë e kryetarit të PD-së Lulzim Basha

Pasi u lëshoi rrufetë e arrogancës dhe injorancës, pasi ua ka nxirrë jetën të gjithëve dhe pasi ua ka mbyllur qepenat mijëra prej bizneseve, kryeministri i rrëzuar nga gremina  e ekonomisë dhe mali i skandaleve të korrupsionit me tenderat publikë, u kujdes sot të inskenonte një komunikim me përfaqësuesit e biznesit në një seminar të mbyllur.

Nuk dua të ndalem te ilariteti që shkaktoi përballja e tij me pyetje dhe probleme që nuk ja ka haberin. Që nuk u dha mundësi të shpaloseshin, sepse brenda tyre gjendet e ngjizur revolta e sipërmarrjes së vogël dhe biznesit në tërësi me këtë qeveri dhe këtë kryeminister. 

Do të ndalem te “sihariqi” që dha në përgjigje të njërës prej pyetjeve. Bandat e tatimoreve nuk do të shkojnë më  sa herë t’i teket të dhunojnë sipërmarresit  në  dinjitetin e tyre, siç po bën prej muajsh. Qeveria do të vendosë në derë  çertifikatën e detyrimit të shlyer dhe pas kësaj  mund të punojnë të qetë. Siç e kuptojnë menjëherë gjithë sipërmarresit e vegjël në vend, qytetarët me të cilin kemi qenë dhe jemi në një bashkëbisedim intensiv, ky është thelbësisht propozimi që unë dhe Partia Demokratike kemi bërë prej më shumë se një muaji. 

Sigurisht, paketa jonë për bisnesin e vogël është shumë me e gjerë dhe më e plotë se kaq. Ajo përmban përcaktime të reja, realiste dhe nxitëse, se çfarë duhet  konsideruar biznes i vogël duke e rritur tavinin deri në 120 milionë lekë të vjetra; përmban taksa proporcionale në vartësi të xhiros, 20 deri në 120 milionë lekë, përmban uljen e cmimit të energjisë dhe naftës dhe të tjera masa lehtësuese.

Si çdo kopjim i keq dhe mekanik, edhe ky që kryeministri i rrëzuar i ka berë paketës sonë është i bastarduar, i pjesshëm, demagogjik, inefiçent. Ndonëse si autorë të  propozimit  për vendosjen  e pullës fiskale në xhamin e  çdo biznesi të vogël, që do të jetë  dokumenti i  sprapsjes së çdo tatimori që urdhërohet të bëjë apo do të dojë të bëjë xhandarin, garipin dhe zhvatësin, ne nuk mund të mos na vijë mirë që edhe pse në kushtet e panikut kryeministri i rrëzuar e përvetësoi propozimin tonë dhe e shpalli sot para biznesit të vogël.

Etika minimale sigurisht e donte që ai të njihte autorësinë e këtij propozimi në realitetin shqiptar të debateve  të freskëta mes opozitës dhe qeverisë,  pse jo të falenderonte Partinë Demokratike dhe opozitën. Jo se kemi nevojë për falenderimet e tij, por  kjo është një normë elementare në sjelljen politike dhe njerëzore.

Në mungesë të saj, në mungesë  të etikës, na mbetet të themi  bashkë me gjithë sipërmarrjen se një kryeministër, të cilit nuk i dridhet dora  të destinojë miliarda lekë të shqiptarëve për miqtë dhe ministrat e tij të korruptuar, nuk është problem fare që kopjoj  një propozim, vjedh një propozim dhe të hiqet sikur e ka të tijin. Çfarë është e rëndësishme?! E rëndësishme është se sot gjithë sipërmarrësit dhe qytetarët e mirëinformuar gjithashtu kanë mësuar e kuptuar akoma më mirë se rruga e zgjidhjes, rrugët e zgjidhjes për nxjerrjen e ekonomisë nga gremina ku e ka zhytur  Edi Rama dhe  për  vendosjen e saj në kursin e ringritjes , është rruga që propozon Partia Demokratike dhe unë.

Akoma më e rëndësishme është zbatimi konkret dhe pa humbur kohë i propozimit për pullën fiskale, apo për çertifikatën, siç e quajti kopjaci për të mos u dukur kopjac.  
Sepse, e dimë të gjithë: ky kryeministër ka zakonin e keq që  bën atë që nuk thotë dhe thotë atë që nuk bën; premton atë që do të braktisë dhe “mban” fjalën e padhënë, e pathënë; i intereson vetëm propaganda, i intereson vetëm të shtyjë ditët.

Partia Demokratike dhe unë ne do të shtyjmë  dhe do të ngulmojmë me forcë,  në bashkëpunim me sipërmarjen e vogël, për çlirimin e saj nga trysnia poshtëruese e   arrogancës, dajakut  dhe kusarisë qeveritare të Edi Ramës.

Megjithë peshën e veçantë që ka, pulla fiskale është vetëm një element i paketës që do të çlirojë, frymëzojë dhe lancojë sipërmarrjen e lirë në Shqipëri. Opozita e ka ketë paketë, të cilën po e konsulton dhe po e konsolidon në komunikim të hapur me sipërmarrjen e lirë, me qytetarët para se ta paraqesë në formë institucionale si programin qeverisë së Partisë Demokratike.

Unë deklaroj sot se kapja apo kacavarja pas një elementi të veçantë të paketës së ringritjes dhe dinjitetit të sipërmarrjes, siç është pulla fiskale, duke injoruar  elementët e tjerë,  është tregues i qëndrimit prej të mbyturi, i politikave  demagogjike dhe improvizuese, që nuk të çojnë askund, që nuk e nxjerrin ekonominë nga gremina.
Qeveria dhe kryeministri i rrëzuar kanë treguar qartë këto dy vite se u mungon vizioni, u mungojnë zgjidhjet, u mungon aftësia, u mungon përgjegjësia, u mungon integriteti dhe ndershmëria për të qeverisur shqiptarët.

Edi Rama me qeverinë e tij në një anë  dhe ekonomia në anën tjetër janë  në armiqësi permamente. Kjo marrëdhënie ka lindur kështu qysh ditën e parë dhe  vetëm është përkeqësuar. Me  dajakun në një dorë dhe duke grabitur pasuritë publike me dorën tjetër, kjo qeveri nuk mund të prodhojnë kurrë as paqe, as zhvillim, por vetëm rrokullisje dhe përkeqësim.

Tani që  mandati  i saj ka hyrë në fazën e kompromentimit dhe degjenerimit të përshpejtuar, i shtrënguar në darën e skandaleve, gafave, injorancës  dhe arogancës  të tij, Edi Rama po përpiqet të marrë pak frymë duke kopjuar si një nxënës i keq opozitën. Por nuk kalohet klasa me kopje. Megjithëse në thelb kopjimi është dhe mbetet forma më e lartë e vlerësimit.

Jo vetëm biznesi por me këtë akt tashmë edhe kryeministri ka pranuar dështimin e tij, rrëzimin e tij, mungesën e vizionit, vullnetit, padrejtësinë dhe arbitraritetin e tij, ka pranuar se ai është problemi dhe ka pranuar se propozimet e bëra nga ne, nga  Partia Demokratike, nga unë, janë zgjidhja dhe rruga e daljes nga kjo krizë.
Përtej anatemimit nervoz dhe në panic, ky është konfirmimi zyrtar nga Edi Rama për vlerat e Partisë Demokratike si alternativë  politike, po afirmon çdo ditë të ofertës tonë, për taksën e sheshtë më të ulët në Ballkan prej 9 %, për biznesin e vogël deri në 120 milionë lekë që do të paguajë midis 10-60 mijë lekë të reja në vit taksë në varësi të xhiros të evidentuar me pullë fiskale, që është edhe tabela ndalim-kalimi për tatimorët, për ulje e çmimit të energjisë, për uljen e çmimit të naftës dhe për faljen e kamatvonesave për të gjithë shqiptarët.

 Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)
 
 

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Kickbox/ Skandal në Malin e Zi, arbitri godet me trofe në fytyrë trajnerin kosovar (Video)

Kickbox/ Skandal në Malin e Zi, arbitri godet me trofe në fytyrë trajnerin kosovar (Video)