Licensë “Njohës i Standardit” për
gjithë administratën

Licensë “Njohës i Standardit” për<br />gjithë administratën
TIRANE- Shqipja standarde mësohet në shkollë……
Pa mohuar arritjet e deritanishme, e vërteta është që cikli nëntëvjeçar nuk po arrin t’ua mësojë mirë nxënësve drejtshkrimin, gramatikën, drejtshqiptimin, pikësimin, fjalën shqipe në vend të fjalës së huaj të panevojshme, pra, të gjitha nënsistemet e shqipes standarde, si në të shkruar ashtu edhe në të folur, çka vërehet në shkeljet e shpeshta të normës në shkollë e në jetë.

Shkolla nuk arrin të zëvendësojë plotësisht jonormën, me të cilën nxënësit vijnë në shkollë, me nënsistemet normative të standardit. Kështu, në shkollë e pas shkollimit ata shpesh shkelin normat gjuhësore, nuk përdorin format e ndërtimet gramatikore normative, shprehen me një gjuhë të varfër e skematike dhe nuk dinë në shumë raste të përdorin fjalën shqipe në vend të fjalës së huaj të panevojshme. Në Shqipëri ka rreth dhjetë vjet që botohen tekste alternative për gjuhën, por dukuria  ka arritur përmasa të ekzagjeruara.

Përditësimi konceptual e terminologjik i teksteve herë-herë është spontan e i ngadaltë, metodat e të mësuarit janë jo gjithmonë frytdhënëse, niveli i përgatitjes e sidomos ai i kualifikimit të mësuesve lë mjaft për të dëshiruar. Gjithashtu, në shkollat e mesme gjuha shqipe nuk zhvillohet si lëndë e veçantë dhe e plotë (gjuha në të mesmet zhvillohet bashkë me letërsinë me një program pa synime të qarta, trajton çështje të parëndësishme e me shtrirje shumë të kufizuar).

Në universitete, në fakultetet e mësuesisë, lëndët kryesore të gjuhës shqipe, si leksikologjia, morfologjia, sintaksa etj., duke zbatuar formalisht orientimet e Procesit të Bolonjës, pa marrë parasysh moshën e re të shqipes standarde dhe zotërimin e kufizuar të saj në familjet e në shoqërinë shqiptare në përgjithësi, janë reduktuar mjaft, duke u bashkuar në grupe lëndësh semestrale. Në disa fakultete të gjuhës departamentet e pedagogët nuk u kërkojnë gjithnjë e me këmbëngulje studentëve të përgatiten me tekstet bazë të plota, akademike, të miratuara prej tyre, jo gjithmonë praktikohen seminaret teorike të nevojshme me literaturë teorike plotësuese të konspektuar dhe ka raste në të cilat kërkesat janë minimalizuar.

“Shqipja standard” (a “Kulturë e gjuhës”) vetëm në ndonjë universitet zhvillohet si lëndë e detyrueshme, zakonisht ajo është planifikuar si lëndë me zgjedhje, në një kohë kur vijon të zhvillohet Drejtshkrimi si lëndë e detyruar vetëm në fakultetet  e gjuhës e të letërsisë shqipe, në vend që të zotërohej një herë e mirë në arsimin parauniversitar për interesin e përgjithshëm që ka. Kualifikimi i mësuesve të gjuhës është bërë me ndërprerje, herë-herë është kryer në mënyrë formale dhe me programe të papërshtatshme.

Gjuha shqipe nuk është vlerësuar si lëndë me rëndësi të veçantë kombëtare, asaj nuk i është dhënë vendi që i takon në planin mësimor të shkollave të mesme. Gjuha shqipe nuk përfshihet ashtu siç duhet në provimet e pjekurisë e në provimet e konkurrimit për disa shkolla të larta; ajo nuk është shtrirë si lëndë e veçantë (si praktikum) në disa shkollat të larta të vendit, publike a private. Në fakultetet filologjike e të mësuesisë, përfshirë parashkollorët, zhvillimi i disa lëndëve gjuhësore bëhet me programe të papërshtatshme e të reduktuara në shkallë të lartë. Vëmendje të veçantë meritojnë tekstet alternative të gjuhës (organizimi për hartimin e tyre çalon mjaft), më shumë vëmendje i duhet kushtuar hartimit të teksteve shkollore të lëndëve të tjera jogjuhësore për redaktimin gjuhësor, drejtshkrimor e terminologjik.
               
Disa propozime konkrete
 (1) Rregullat e drejtshkrimit, të pikësimit, të drejtshqiptimit të shqipes standarde dhe fjala shqipe në vend të fjalës së huaj të panevojshme të mësohen jo vetëm gjatë ciklit nëntëvjeçar, por edhe gjatë ciklit të shkollës së mesme, d.m.th. gjatë gjithë arsimit parauniversitar. Në ciklin nëntëvjeçar rregullat e drejtshkrimit, të pikësimit, të drejtshqiptimit të përvetësohen nga nxënësit kryesisht nëpërmjet lëndëve gjuhësore, nëpërmjet leximit letrar, nëpërmjet shtimit të leximit brenda e jashtë shkollës, zgjerimit të punëve me shkrim e punës praktike dhe herë-herë nëpërmjet disa rregullave të shpërndara në tekste, ku njohuritë të rimerren në trajtën e rrathëve sipas cikleve dhe jo për çdo vit.

Në shkollën e mesme rregullat e drejtshkrimit të mësohen në një mënyrë teorike më të plotë e më të argumentuar, por edhe me regjistrime në video, me recitime të zgjedhura etj. Rregullat e drejtshkrimit duhet t’i njohin që të gjithë nxënësit, pra, si gjimnazistët ashtu edhe nxënësit e shkollave të mesme profesionale, pavarësisht shkollimit të mëtejshëm të tyre a punësimit të ndryshëm në jetë. Si rrjedhim, rregullat e drejtshkrimit, të pikësimit, të drejtshqiptimit etj. të mësohen një herë e mirë në arsimin parauniversitar, në ciklin nëntëvjeçar e të mesëm.
(2) Gjuha shqipe në shkollë të mesme të jetë lëndë e veçantë, e ndarë nga letërsia.

Shkëputja e gjuhës shqipe nga letërsia e kalimi i saj si lëndë e veçantë në shkollë të mesme nuk duhet parë si dobësi e vetë standardit a si rezultat i punës së pamjaftueshme të gjuhëtarëve dhe të autorëve të teksteve. Gjuha shqipe e njësuar, si tipari më themelor i identitetit tonë kombëtar, pasuria më e madhe mbarëkombëtare, ka arritur një shkallë të lartë kodifikimi e qëndrueshmërie dhe zotërimi i saj  sa më i mirë, sa më i shpejtë e nga të gjithë shqiptarët kërkon më shumë përkujdesje e përpjekje dhe shtrirje kohore më të gjatë në shkollë.

Shqipja standarde, duke qenë ende shumë e re (ajo u ligjësua në Kongresin e Drejtshkrimit më 1972, d.m.th. vetëm rreth 40 vjet më parë), nuk ka arritur të zotërohet plotësisht nga çdo individ, nga çdo familje, në çdo trevë. Në rrethanat e tanishme, siç u tha, mjedisi familjar, shoqëror, parashkollor dhe cikli shkollor nënëtëvjeçar nuk arrin dot gjithmonë që jonormën gjuhësore ta zëvendësojë me sukses me normën, prandaj gjuha shqipe duhet të përfshihet si lëndë e veçantë edhe në kurrikulat e shkollës së mesme.

Standardet, siç na tregon përvoja e huaj, mësohen në shkollë (madje në ato vende ku variantet letrare largojnë shumë më tepër sesa largojnë toskërishtja letrare nga gegërishtja letrare të shqipes, standardet mësohen në shkollë gati si të ishin gjuhë të huaja). Ciklit nëntëvjeçar aktualisht i bie një barrë e rëndë për t’ua nxënë fëmijëve shqipen standarde; asaj duhet t’i vijë në ndihmë cikli trevjeçar i shkollës së mesme.

Të mësuarit njëherazi teorik e praktik i shqipes standarde në shkollë, përfshirë shkollën e mesme, do të vazhdojë në Shqipëri, ndoshta, edhe nja dy breza (60 vjet), deri kur çdo individ do ta mësojë shqipen standarde në familje nëpërmjet prindërve, në mjedisin shoqëror në kontakt me të tjerët, në arsimin parashkollor në çerdhe e kopshte nga edukatorët e nga shokët, vetëm atëherë secili do të futet në shkollë me standard gjuhësor, sigurisht të mësuar në rrugë spontane e pa qenë i ndërgjegjshëm; vetëm atëherë mësimdhënia e lëndës së gjuhës do të lehtësohet disi në shkollë dhe do të marrë përparësi  mësimi teorik i saj.

(3) Gjuha shqipe në shkollat e mesme të zhvillohet me një program të ri dhe me tekste të reja. Ky program i ri dhe këto tekste të reja duhet të jenë të njëjta për të gjitha shkollat e mesme, për gjimnazet e shkollat profesionale, mundësisht në të gjitha të mesmet e trevave shqiptare. Programet e tekstet aktuale të gjuhës, konceptuar bashkërisht me letërsinë, janë të papërshtatshme.

Programet e tekstet e gjuhës së shkollës nëntëvjeçare e të mesme duhet të hartohen duke u mbështetur në vetë problemet  e sotme e vështirësitë konkrete me të cilat ndeshen  nxënësit e shkollave dhe qytetarët shqiptarë në zotërimin praktik e teorik të gjuhës së njësuar, duke pasur parasysh shkallën e zotërimit e të përdorimit të standardit në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni etj., në qytet e në fshat, në Jug e në Veri, duke pasur parasysh rrethanat e zgjerimit të saj të jashtëzakonshëm në medien e shkruar dhe elektronike, rrethanat e përdorimit të saj në kuadrin e globalizmit e të zgjerimit të kontakteve me botën e ndikimet e mëdha të gjuhëve të tjera, si dhe zhvillimet e vetë shqipes në dhjetëvjeçarët e fundit.

Të gjitha këto janë argumente që e mbështesin zhvillimin e gjuhës shqipe si lëndë e veçantë në shkollë të mesme me një program të tillë ku të përfshihen rregulla nga këto fusha: rregullat e drejtshkrimit, rregullat e pikësimit, rregullat e drejtshqiptimit (ato rregulla që tashmë njihen), fjala shqipe në vend të fjalës së huaj (një fjalorth prej rreth 2000 fjalësh të huaja të panevojshme, me gjegjëset e tyre në gjuhën shqipe që mund t’i zëvendësojnë), si dhe disa njohuri stilistike me karakter kryesisht praktik për njohjen e stileve, të regjistrave e ligjërimin, fare pak njohuri të karakterit dialektologjik, njohuri informuese që të ndihmojnë leximin e autorëve tanë veriorë a jugorë.

Tekstet e reja të shkollës së mesme me një  program të tillë të ri jo vetëm do të ndihmojnë ciklin nëntëvjeçar për zhvillimin më normal të lëndës së gjuhës dhe për zotërimin më të mirë të standardit, por do ta shtojnë interesin e nxënësit për gjuhën, do t’i aftësojnë edhe më shumë ata në zotërimin e përdorimin korrekt të shqipes standarde gjatë e pas shkollimit, si dhe do të pastrojë fjalorin e tyre nga fjalët e huaja të panevojshme. Gjuha shqipe duhet të jetë provim pjekurie në përfundim të shkollimit parauniversitar dhe provim pranimi për disa shkolla të larta, si ato të mësuesisë, të gjuhëve të huaja, të gazetarisë etj.

 (4) Hartimi i teksteve alternative të organizohet, të kufizohet e të kontrollohet rreptësisht. Tekstet alternative nëpërmjet konkurrencës ngrejnë nivelin cilësor, por praktika jonë, përkundrazi, ka ndikuar në drejtim të kundërt: numri shumë i madh i teksteve alternative të gjuhës (shifra e ciklit ka arritur deri në tetë), të cilat hartohen shpesh herë nga autorë të paaftë, që nuk pasqyrojnë në botimet e tyre as arritjet më krysore në fushë të gjuhësisë sonë, ka krijuar pështjellime dhe pasoja negative, duke u përzgjedhur tekste në shkolla jo sipas meritës, por me ndërhyrje nga jashtë për interesa joshkencore.

Në të ardhmen numri i teksteve alternative të gjuhës për ciklet parauniversitare, duke filluar nga abetarja, të jetë shumë i kufizuar, zakonisht të mos e kalojë shifrën prej dy cikle tekstesh alternative, në raste shumë të rralla tre. Këto tekste të paraprihen nga programe të hartuara nga specialistë, të diskutohen gjerësisht e të miratohen nga një grup pune i përzgjedhur, i përbërë nga specialistë me përvojë, jashtë interesave personale.

Hartimi, përzgjedhja e miratimi i teksteve alternative të mos bëhet me nxitim, të mbështetet në praktikën e recensionimit (recensionet të njihen botërisht, duke u botuar), të miratohen ato tekste që plotësojnë kriteret e paracaktuara, me përparësi të shihet bashkëpunimi i autorëve nga shtete të ndryshme (Shqipëri, Kosovë, Maqedoni etj.).

5. Planet, programet e tekstet e gjuhës të shkollave të larta, kryesisht në fakultetet e mësuesisë, përfshirë fakultetet që përgatisin edukatorë për kopshte  e çerdhe, të rishikohen për disa lëndë të gjuhës së sotme shqipe. Lëndë kryesore të gjuhës së sotme, si: leksikologjia, morfologjia, sintaksa etj. vitet e fundit akademike zhvillohen në një shtrirje kohore mjaft të reduktuar; “Shqipja standard” (“Kultura e gjuhës”) vazhdon të jepet në disa fakultete si lëndë me zgjedhje; po ashtu, “Metodologjia e kërkimit shkencor në gjuhësi” zhvillohet si lëndë me zgjedhje në disa universitete, madje në të tria ciklet e arsimit universitar.

Tekstet janë shtuar, por diskutimet e vlerësimet e hapura e kontrollet për to herë-herë mungojnë. Mungon informacioni për shtrirjen e për nivelin cilësor të lëndëve të gjuhës shqipe në universitete private. Për disa lëndë të gjuhës së sotme rekomandohen tekste bazë joakademike, madje ka raste kur ato, megjithëse të përfshira në programe, as nuk kërkohen nga pedagogët, as nuk përdoren nga të gjithë studentët. Studentët përgatiten herë-herë me shënime e me literaturë të pjesshme e të pamjaftueshme.

Janë minimalizuar seminaret teorike, shoqëruar me konspekte, me literaturë teorike plotësuese të domosdoshme, ku diversiteti teorik, siç ndodh zakonisht në shkollat e larta evropiane, të zëjë vend e të mirinformohen studentët, pavarësisht nga opinioni i pedagogut. Si rrjedhim, në universitete mbizotëron nota e ulët mesatare. Bibliotekat universitare kanë vite që nuk marrin botimet e fundit në fushë të gjuhësisë. Në disa departamente nuk diskutohen leksionet e pedagogëve, sidomos kur këta pretendojnë se japin leksionet e veta origjinale.

Dukuri të tilla ndikojnë negativisht në përgatitjen e mësuesve të gjuhës. Lëndët kryesore gjuhësore, si fonetika, leksikologjia, morfologjia, sintaksa e ndonjë tjetër të zhvillohen në fakultetet e filologjisë e në fakultetet e mësuesisë, përfshirë sistemin arsimor të lartë të CU dhe atë të edukatorëve, si dhe atë të gazetarisë si lëndë të veçanta e me më shumë orë, pa u grupuar.

Lëndë të tilla si “Kulturë e gjuhës”, “Metodologji e kërkimit shkencor në gjuhësi” të jenë lëndë të detyrueshme në fakultetet e mësuesisë; madje, “Kultura e gjuhës”  të zhvillohet si lëndë e detyruar semestrale edhe në fakultetet e tjera, si në atë të gazetarisë, të gjuhëve të huaja, të juridikut dhe në fakultetet e mësuesisë të shkencave të ndryshme. Kjo do të përcjellë te studentët, krahas vlerave lëndore, edhe vlerat edukative kombëtare (sakrificat e punën e jashtëzakonshme të brezave për të arritur në këtë pasuri të jashtëzakonshme kombëtare).

(6) Akademia e Shkencave dhe universitetet e Shqipërisë t’u përgjigjen  nevojave të ditës në ndihmë të mësimdhënies së gjuhës shqipe në shkollë. Të  hartohet studimi “Fjala shqipe në vend të fjalëve të huazuara nga  anglishtja”, të hartohet  “Fjalori terminologjik shpjegues i gjuhës shqipe”, të hartohen e të botohen “Disa rregulla të drejtshqiptimit të shqipes standard” dhe “Fjalori i gjuhës shqipe me drejtshqiptimin e fjalëve”; të ndërmerren studime të tilla që ndihmojnë në mësimdhënien e shqipes në shkollë, si : “Intonacioni”, “Rendi”, “ Libra në ndihmë të mësueve”, “Fjalorë shkollorë”, “Gramatika praktike e shqipes”, “Termat gjuhësorë në shkollë”; gjithashtu, të ribotohen me fare pak ndryshime “Drejshkrimi i gjuhës shqipe,1973” , “ Fjalori drejtshkrimor i gjuhës shqipe” etj.

(7) Të vlerësohet gjuha shqipe si lëndë me rëndësi të veçantë kombëtare dhe të mbështetet ajo nga organet shtetërore përkatëse, si nga “Ministria e Arsimit dhe e Sporteve” dhe “Ministria e Kulturës”, së Shqipërisë. Zotërimi i gjuhës standarde në shkollë të vlerësohet si detyrë parësore dhe atdhetare nga të gjithë, që nga shteti e deri tek individi.

Nga mësuesit e nxënësit kërkohet punë me përkushtim, me atdhetarizëm e pasion; nga shteti kërkohen akte ligjore, amendamente, kërkohet zbatimi i tyre në mbrojtje të gjuhës standarde, të luftohen ndikimet e huaja të panevojshme në gjuhë, sidomos në strukturën gramatikore; kërkohet mbështetje më e madhe financiare nga shteti për të lëvruar shkencërisht standardin, mbështetje financiare për tekstet e shkollës, për hartimin e botimin e veprave në të mirë të mësimdhënies së gjuhës në shkollë, si  “Librat për mësuesit” e “Fletoret e nxënësve”.

Të ngrihen organizmat (grupet qendrore të punës) pranë “Ministrisë së Arsimit  e të Sporteve” për të realizuar paketën e punës (kornizën) sipas radhës: plan, program, tekst, miratim, për të hartuar e për të drejtuar kështu programe integrale e tekste të kontrolluara e të vlerësuara, ndër të tjera edhe nëpërmjet mbledhjes së opinionit të mësuesve para miratimit përfundimtar. Gjithashtu, të mbështetet financiarisht kualifikimi shkencor e trajnimi sistematik i mësuesve, veprimtaria shkencore-kulturore, pasurimi i bibliotekave të shkollave me literaturën bashkëkohore, ngritja e një shtypshkronje të përbashkët të ShBLU dhe Akademisë. Të shihet mundësia për të lehtësuar ngarkesën mësimore të mësuesve të gjuhës, sepse atyre u duhet shumë kohë për korrigjime të punëve me shkrim.

Duhen kontrolle, ligje e masa administrative për mbrojtjen e gjuhës standarde në të gjitha fushat e veprimtarisë arsimore e kulturore, të kritikohen dhe të dënohen ashpër publikisht thyerjet sistematike të normës gjuhësore në medie, në administratën publike. Duhet të pajiset me një dokument universitar çdo gazetar e redaktor i punësuar në medie (të titulluar ‘Njohës i Standardit’), të bëhet një popullarizim i vazhdueshëm për gjuhën shqipe për të rritur  te brezi i ri dashurinë për gjuhën dhe respektin ndaj saj si një institucion i mbrojtur me ligj, me kushtetutë, ku çdo njeri duhet ndërgjegjësuar se shqipja standarde është gjuhë zyrtare e jo private, se është gjuhë shtetërore, d.m.th. gjuhë e shtetit, që mbrohet me ligj, se ajo është pronë e të gjithëve e duhet zbatuar me korrektësi nga të gjithë dhe jo vetëm nga mësuesit, zyrtarët e mediatorët.

(8) Të kemi një strategji kombëtare për shqipen standarde dhe për gjuhën në shkollë. Një strategji e tillë mjaft e rëndësisshme gati-gati mungon. Një strategji e tillë do të ndihmonte në disa drejtime: në bashkërendimin e forcave shkencore akademike, arsimore e kulturore mbarëkombëtare për zhvillimin, vlerësimin e kontrollin e arsimit të lartë e të arsimit parauniversitar, për lëvrimin e bashkëhartimin e veprave të mirëfillta shkencore, për hartimin e teksteve shkollore me autorë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, për shkëmbim përvoje në rrethanat e reja politike kur shqipja standarde ka filluar të përjetojë fazën e re gjithkombëtare të arsimimit të detyruar në gjuhë amtare në shkollë.

Mbi të gjitha, kanë rëndësi këto çështje: ngritja e nivelit cilësor të mësimdhënies së gjuhës në të gjitha ciklet shkollore, sidomos forcimi i shkollave të larta në përgjithësi dhe i fakulteteve të mësuesisë në veçanti; përcaktimi i kritereve për hartimin e teksteve të gjuhës e më gjerë; hartimi e përdorimi i teksteve të njëjta të përbashkëta të gjuhës në shkollë dhe të teksteve të lëndëve të tjera; hartimi i teksteve me bashkautorë nga treva të ndryshme; hartimi e botimi i teksteve të gjuhës dhe të teksteve të tjera pas një redaktimi cilësor konceptor, drejtshkrimor e terminologjik; dhënia gjuhës shqipe e statusit të provimit të pjekurisë dhe e pranimit në disa shkolla të larta; shtrirja e Kulturës së gjuhës si lëndë e detyruar në fakultetet e mësuesisë të shkencave të ndryshme dhe në fakultetet e gazetarisë etj.

Siç shihet, zotërimi i shqipes standarde nuk është problem vetëm i shkollës, por i gjithë shoqërisë, i gjithë kombit shqiptar, ku shkolla luan rolin kryesor, por edhe faktorë të shumtë jashtëshkollorë ndikojnë mjaft në zotërimin e gjuhës standarde.

SALLA

 

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 20Tetor 2015

Redaksia Online
(e.m/shqiptarja.com) 

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë