E keni dëgjuar atë thënien popullore për “drejtësinë” e të fortit: “Pleqnoje si ta pleqnosh, livadhin lerma mua”? Kjo fjalë e urtë të bie në mend sapo të kesh lexuar Raportin e Progresit të Komisionit Evropian të sivjetshëm për Kosovën, nga i cili - ndonëse ende draft dhe për aq sa e shpalosën gazetat ditore – përfundimi kryesor nxirret shpejt: pushteti kosovar nuk e ka bërë asnjë hap të vetëm, sa i duhet për ta kaluar pragun nga qeverisja arbitrare, me ligjin e forcës, në qeverisje sipas parimit të shtetit ligjor.

Meqë ky është parimi kryesor i qeverisjes në Evropën e sotme - e të cilin ne pa njëfarë procesi të përafrimit me Evropën zor se do ta arrinim ndonjëherë, duke e bërë kështu integrimin në Evropë një synim të pazëvendësueshëm - dështimi në këtë i pushtetit kosovar, në të vërtetë dëshmon se gjithë ato fjalë që thuhen për Evropën janë fjalë koti.

Se ky pushtet, në të vërtetë, nuk ka fare vullnet për vlera evropiane, më së miri e dëshmon fakti se, - cituar sipas “Kohës Ditore” - edhe kur përpilon ligje dhe kur vendos disa nga kapacitetet e nevojshme për të zbatuar politikat që dalin edhe si përgjegjësi nga procesi i integrimeve evropiane - gjëra që në raport thuhet se janë bërë, megjithatë mungon lufta e duhur kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, ndërsa është shqetësues trafikimi i qenieve njerëzore, i drogës, konflikti i interesit, mangësitë dhe dyshimet për korrupsion në prokurimin publik, ndikimi politik në gjyqësor dhe në shërbimin civil, kërcënimet ndaj gazetarëve dhe ndikimin politik në emërimet në Komisionin e Pavarur të Mediave.

Se pushtetarët janë kujdesur gjithnjë që “livadhi” t’u mbetet atyre, dëshmon kapitulli në raport për korrupsionin e zyrtarëve politikë, të cilët nuk e kanë deklaruar pasurinë dhe se madje 800 figura publike mbajnë në mënyrë të paligjshme më shumë se një vend pune, ndërsa disa syresh janë vërtet tepër të zënë: kanë edhe deri në pesë vende pune njëherësh. Meqë luftimi i korrupsionit është po ashtu ndër kushtet pa të cilat nuk bën në rrugën për Evropë, atëherë mund të shihet vërtet sa është demagogjike retorika proevropiane e pushtetarëve tanë.

Presioni politik mbi gjyqtarët, që vazhdimisht evidentohet në raportet nga Brukseli, po ashtu është akuzë e rëndë mbi pushtetarët e sotëm, meqë dëshmon për lidhjen e krimit të organizuar me pushtetin, ndërsa vërejtja se jepen dënime të lehta për trafikuesit me qenie njerëzore nxjerr dyshimin therës se, pos se gjyqtarët “nuk hanë kashtë”, mos ka edhe njerëz nga politika, të cilët i përziejnë duart në këtë krim të shëmtuar?!

Në gjithë këtë mal akuzash që rëndojnë mbi pushtetarët aktualë, tingëllon tepër ironik fakti se mbase e vetmja pikë “e ndritshme” në këtë raport përmendet “procesi i normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë”, i cili, sado të ketë qenë i domosdoshëm, megjithatë shpërfaq lakminë e këtij pushteti që, pa bërë asnjë hap të duhur në vend, sidomos jo duke cenuar “livadhin” e tij, megjithatë të lërë përshtypjen sikur është bashkëpunues më Evropën, qoftë edhe duke bërë lëshime për shumëkënd të papranueshme për këtë vend.

Por, këtë pushtet e njohim mirë tashmë. Ajo që është e çuditshme, ndërkaq, është se pse opozita kosovare luftën e saj politike nuk e bën në temën e integrimeve evropiane, duke sensibilizuar opinionin se, në të vërtetë, vlerësimi më objektiv dhe më së lehti i matshëm i një pushteti mund të bëhet nga rezultatet a dështimet në rrugën e integrimeve evropiane, një fazë të të cilit, sado të largët, megjithatë e kemi prekur. Pyetja e vërtetë, prandaj, duhet të jetë: sa është proevropiane opozita jonë?