Gjatë një deklarate për shtyp, Drejtoresha e Kabinetit e Prokurorisë së Përgjithshme, Fjorida Ballauri ka rrjeshtuar të gjitha rastet në të cilat organi akuzës ka gjetur shkelje ligjore në vendimarrjen e trupës gjyqësore, te cilat sipas Ballaurit, "këto vendime, në shkelje të ligjit, sjellin pasoja të pariparueshme. Për më tepër, në vlerësimin e organit të Prokurorisë, këto vendimeve përbëjnë edhe cënim të marrëdhënieve të besimit të mirë dhe reciprocitetit të institucioneve shqiptare me shtetet e huaja, veçanërisht me ato të Bashkimit Europian."
Më konkretisht, Prokuroria ka kërkura verifikimin e vendimit të trupit gjykues të Gjykatës së Apelit Vlorë, dt. 20.02.2014, e përbërë nga kryesues Alma Liçaj dhe anëtarë Skënder Damini dhe Gjinovefa Gaba, në caktimin e masës së sigurimit "arrest në shtëpi" për shtetasin Vangjel Zijaj (Arben Gropa) për efekt të shqyrtimit të kërkesës për ekstradim. Fillimisht, ndaj këtij shtetasi ishte vendosur masa e sigurisë "arrest në burg". Në vlerësimin e Prokurorisë së Përgjithshme, ky vendim është tërësisht i pabazuar në ligj dhe në prova.
Në bazë të këtij vendimi, shtetasit Gropa i është krijuar mundësi t'i shmanget drejtësisë. Në datë 24.07.2014, Ministria Drejtësisë ka lejuar ekstradimin e këtij shtetasit për në Itali, bazuar në vendimin e formës së prerë të Gjykatës së Apelit, dt. 03.07.2014. Ky shtetas, i cili gjendej në "arrest shtëpie" rezulton që është larguar nga vendi i qëndrimit dhe nuk është bërë e mundur ende të gjendet. Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Fier, në datë 30.07.2014, ka paraqitur pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier kërkesën për ndryshimin e masës së sigurisë, duke kërkuar rikthimin në 'arrest me burg" për këtë shtetas, si edhe është regjistruar procedimi penal ndaj tij për veprën penale të largimit nga vendi i qëndrimit.
Në bazë të vendimit të Gjykatës së Apelit Romë, Itali, ky shtetas është dënuar me 32 vjet burgim (pjesa e mbetur e pavuajtur e dënimit 29 vjet e 5 muaj e 27 ditë burgim), për kryerjen e veprës penale të "Prostitucionit dhe pjesëmarrjes në organizatë kriminale me qëllim trafikimin e drogës".
Së dyti, sqaron Ballauri, Prokuroria kërkon verfikimin e vendimit dt. 15.07.2014 të gjyqtares së Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, Igerta Hysi, e cila ka vendosur shuarjen e masës së sigurisë "arrest me burg" për efekt ekstradimi, për shtetasin Arben Isufaj, duke vendosur ndaj tij masën e sigurisë "arrest në shtëpi". Në vlerësimin e Prokurorisë së Përgjithshme, tha Ballauri ky vendim është tërësisht i pabazuar në ligj dhe në prova
Ky shtetas, sipas saj është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane të drejtësisë, për shkak se Gjykata e Torinos Itali, me vendimin nr. 14754/04, datë 22.06.2010, ka caktuar masën e sigurisë "arrest në burg", si edhe është lëshuar urdhër arresti ndërkombëtar për veprat penale të "Pjesëmarrjes në organizatën kriminale, me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike".
Së treti, organi akuzës kërkon verifikimin e vendimit dt. 16.07.2014 të gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, Laurent Fuçia, i cili ka vendosur shuarjen e masës së sigurisë "arrest me burg", për qëllime ekstradimi, duke urdhëruar lirimin e menjëhershëm për shtetasin Erjon Sadikaj.
"Në vlerësimin e Prokurorisë së Përgjithshme, tha Ballauri ky vendim tërësisht të pabazuar në ligj dhe në prova. Ky shtetas, aktualisht, i është shmangur drejtësisë dhe nuk gjendet.
Ndaj këtij shtetasi, Gjykata e Leçe-s, Itali ka lëshuar Urdhër-Arrestin datë 01.07.2011 për veprën penale të "Pjesëmarrjes në organizatë kriminale" dhe të "Trafikimit të lëndëve narkotike"
Ndërkohë që po shqyrtohej kërkesa e Prokurorisë për ekstradimin e këtij shtetasi, në Gjykatën e Vlorës po zhvillohej paralelisht gjykimi nga autoritetet shqiptare për "armëmbajtje pa leje" dhe "Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike". Në përfundim të këtij procesi, ndërkohë që ishin pezulluar afatet për shqyrtimin e kërkesës për ekstradim, gjykata e dënon me 5 vjet burgim, si edhe ka vendosur pezullimin e ekzekutimit të dënimit, duke e vënë këtë shtetas në periudhë prove me afat 4 vjeçar. Gjithashtu, gjykata ka vendosur gjithashtu lirimin e menjëhershëm të këtij shtetasi.
Në konsideratë të Prokurorisë së Përgjithshme, edhe vendimi i gjykatës për dënimin e të pandehurit me një dënim me kusht është tërësisht i pabazuar ne ligj.
Ky shtetas ndërkohë që mbahej në burgim për t'u ekstraduar në Itali për veprat penale "Pjesëmarrje në organizate kriminale" dhe "Trafikim të lëndëve narkotike", është hetuar dhe gjykuar në Shqipëri për dy vepra të tjera "Mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe "Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike". Pra, është e qartë rrezikshmëria e lartë e këtij personi, si në territorin e Republikës së Shqipërisë, ashtu edhe jashtë saj.
Prokuroria e Përgjithshme gjykon se, në asnjë rast, një personi të kërkuar nga autoritetet e huaja për një vepër me rrezikshmëri të tillë të lartë shoqërore dhe aq më tepër te dënuar në Shqipëri për dy vepra penale, nuk mund t'i pezullohet ekzekutimi i dënimit dhe të vendoset në provë.
Krahas kërkesave drejtuar Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe Ministrisë së Drejtësisë, organi i prokurorisë po vijon të ndjekë procedurat ligjore të ankimit në gjykatën më të lartë për këto raste.
"Prokuroria e Përgjithshme, tha Ballauri, shpreh bindjen për angazhimin maksimal të dy institucioneve, nisur edhe nga përvoja e mëparshme. Vlen të përmendim impenjimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe Ministrisë së Drejtësisë pas kërkesës pak muaj më parë të Prokurorisë së Përgjithshme për vlerësimin e procedurave të ndjekura nga gjyqtari i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat, Shyqyri Çobo. Pas kërkesës së organit të Prokurorisë, ndaj këtij gjyqtari ka nisur procedimi disiplinor. Në këtë kuadër, Prokuroria e Përgjithshme është e bindur në angazhimin e institucioneve të drejtësisë për vlerësimin e drejtë dhe korrekt të procedurave që ndiqen në vendimmarrjet e gjyqtarëve", përfundoi ajo./ATSH/