TIRANE-Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha zyrtarisht është i pandehur për lobimin rus në SHBA në periudhën zgjedhore të vitit 2017. Lideri opozitar së bashku me ish-sekretarin e përgjithshëm të PD-së, Arben Ristani, por edhe Ilir Dervishin sipas prokurorisë akuzohen për falsifikim dhe fshehje të financimeve. Kryedemokratit i është dërguar ditën e djeshme një fletë-thirrje për t'u paraqitur ditën e hënë në prokurorinë e Tiranës ku do i komunikohet edhe zyrtarisht akuza.

Shqiptarja.com ka siguruar shkresën e firmosur nga prokurorët e çështjes Ervin Karanxha, Gjergji Tako dhe Kole Hysenaj, ku theksohet se nëse Basha nuk paraqitet ditën e hënë në orën 09:30 në prokurori do të bëhet shoqërimi i detyrueshëm. Vendimi i prokurorisë së kryeqytetit vjen pas letër-porosive nga SHBA. Lulzim Basha dëshmoi në 25 mars në prokurorinë e Tiranës për rreth një orë për lobimin në SHBA (lexo ketu). Lulzim Basha akuzohet se ka fshehur financimin prej 650 mijë dollarë në SHBA për fushatën e elektorale të vitit 2017.

Pak muaj më parë, prokuroria deklaronte se njëra nga këto pagesa rezulton të jetë bërë nga "Biniatta Trade". Por kush është kjo shoqëri?  “Biniatta Trade LP” rezulton e regjistruar në Edinburg të Skocisë dhe është në pronësi të një zinxhiri kompanish të regjistruara në Belize, një shtet i Amerikës Qendrore i njohur si “parajsë fiskale”. “Biniatta Trade LP” është një partneritet i krijuar nga dy kompani: “Asverro Corp” dhe “Liminez Commerce”. Pronarët e vërtetë që qëndrojnë pas “Biniatta Trade LP” janë Victoria Valkovskaya dhe Natasha Radysheva, që të dyja shtetase ruse (lexo ketu)

Fletë-thirrja e prokurorisë së Tiranës

Ja sa vite burg rrezikon Lulzim Basha
Por sa vite burg rrezikon kryedemokrati Basha dhe dy zyrtarët e tjerë të PD nëse provohen akuzat për falsifikim dhe fshehje të financimeve ndaj tyre? Neni 190/3 bën fjalë për falsifikimin e formularëve ose me paraqitjen e rreme të tyre nga personi që ka për detyrë hartimin e tyre, që u drejtohet organeve shtetërore dhe dënohet me burgim nga 3 deri në 7 vjet burg. Ndërkohë Neni 287/ç në kodin penal ka të bëjë me pastrimin e parave. Kryerja e veprimeve financiare ose transaksioneve të copëzuara për shmangien nga raportimi, sipas legjislacionit për parandalimin e pastrimit të parave dënohet nga pesë deri në 10 vite burg.

Historia e lobimit te PD-se ne SHBA
Më 14 nëntor 2017, “Stonington Strategies” raportoi në Departamentin e Drejtësisë se ka marrë dy pagesa nga Partia Demokratike me vlerë totale 500 mijë USD dhe një pagesë të tretë nga “Biniatta Trade LP” në vlerën e 150 mijë USD. Asnjëra prej këtyre pagesave nuk rezulton e deklaruar në raportin financiar të dorëzuar nga PD në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për zgjedhjet e 25 qershorit, çka ngre dyshime serioze për origjinën e parave.

Gjithashtu, mbetet e paqartë se cila është marrëdhënia mes Partisë Demokratike dhe kompanisë “Biniatta Trade LP,” e cila është në pronësi të një zinxhiri kompanish të regjistruara në Belizë- nje shtet i Amerikës Qendrore i njohur si parajsë fiskale. Përveç dy kontratave të lidhura me “Stonington Strategies,” gjatë të njëjtës periudhë PD ka lidhur edhe një kontratë me kompaninë lobiste “Barnes and Thornburg LLP” në fillim të prillit me vlerë 150 mijë USD.

Formulari i dorezuar nga PD-ja ne KQZ


Formulari i dorezuar nga PD-ja ne KQZ per burimin e financimin ne fushaten e zgjedhjeve te 2017/ Mungojne 650 mije dollaret e lobimit ne SHBA