/ATSH-AFP/ - Bashkëshortja e princit, William, Kate lindi një vajzë, 3,7 kilogramë, e katërta në rendin e vazhdimësisë së fronit, njoftoi sot pallati Kensington, një lajm që bëri menjëherë xhiron e botës dhe shkaktoi një gëzim të madh para spitalit St Mary të Londrës.

"Lartmadhëria e saj, dukesha e Kembrixhit lindi pa komplikacione një vajzë në orën 07:34 GMT. Foshnja peshonte 3,7 kilogramë", njoftoi pallati mbretëror duke shtuar se princi William ishte i pranishëm.

"Është vajzë!" kanë thirrur menjëherë dashamirësit e Monarkisë të mbledhur para spitalit, ndërkohë që rrjetet sociale janë mbushur me urime.

Informacioni u dha nga disa qindra gazetarë të mbledhur para maternitetit, ndërsa një lajmëtar jo zyrtar, me një veshje karakteristike mbretërore të stilit viktorian, dha lajmin e mirë para dashamirësve të shumtë.

"Princesha dhe fëmija e saj janë në gjendje të mirë", shtoi zëdhënësi i pallati mbretëror.

Fëmija e parë e çiftit mbretëror, princi George, lindi në po të njëjtën ndërtesë më 22 korrik 2013.