Lufta dhe paqja që duhen fituar njëkohësisht

Lufta dhe paqja që duhen fituar njëkohësisht

Bota tashmë ka ndryshuar dramatikisht dhe pyetja e vetme është ku do të ndalet kjo tatëpjetë deri ditën që të shpallet fitorja mbi armikun e padukshëm. Ata, që na thonë se do të përqafohemi e do ta vazhdojmë jetën njësoj si më parë, ose nuk e kuptojnë fare çfarë po ndodh, ose nuk duan të na e shtojnë edhe më shumë ankthin për të ardhmen.

Tri javë më parë shumë prej nesh u mërzitën shumë ngaqë ndeshjet e futbollit nisën të zhvillohen pa tifozë. Pas një jave jo pak u shqetësuan që në fillim ndeshjet dhe pastaj me radhë kampionatet nisën të pezullohen. Ndërsa sot mund të kenë ngelur shumë pak njerëz në botë që janë ende të merakosur nga perspektiva e zymtë e futbollit. Natyrisht, përveç lojtarëve, trajnerëve, arbitrave, menaxherëve etj, që e kanë jetën të lidhur drejtpërdrejt me këtë industri.

Do të mjaftonte vetëm ky shembull për të kuptuar se jemi realisht në luftë dhe se kjo nuk është thjesht një metaforë për të na sensibilizuar që ta marrim seriozisht koronavirusin. Mirëpo historia na ka mësuar se lufta ka ligje të tjera, të cilat jo domosdoshmërisht ka nevojë të shkruhen. Njerëzimi i ka hequr në kurriz me qindra herë, por të paktën në dy raste në mënyrë masive gjatë shekullit të kaluar. Dhe sa herë që ka ndodhur, shoqëritë janë përshtatur, duke nisur që nga shtetet më të mëdha, e deri tek ndividët më të thjeshtë.

Ata që në kohë paqeje shisnin traktorë, gjatë luftës filluan të prodhonin tanke, ata që merreshin me enë kuzhine, nisën të fabrikonin fishekë dhe predha, ndërsa shtëpitë e modës i lanë mënjanë veshjet estravagante dhe u turrën të qepin uniformat ushtarake.

Duhet ta kuptojmë një herë e mirë që lufta i ndryshon në mënyrë drastike prioritetet e shteteve dhe të njerëzve dhe se kjo nuk vlen vetëm për kohën, që ajo zhvillohet, duke pasur armikun përballë, por edhe gjatë fazës së rehabilitimit, e cila vjen pas fitores. Sot shëtitjet buzë detit, baret dhe pub-et e të shtunës, udhëtimet e zakonshme jashtë qytetit në fundjavë, ndeshjet e Champions League, koncertet e të famshmëve në stadiume, tubimet për të drejtat e kafshëve e shumë të tjera si këto tingëllojnë si shaka pa kripë dhe jo si ngjarje normale të dikur përditshmërisë sonë të tronditur.

Puna është se shumë prej këtyre zakoneve tona mund të jenë goditur aq fort, sa edhe pas luftës mund të mos kenë më për një kohë të gjatë të njëjtën rëndësi. Dhe gjithë sekreti është si të nisim të mendojmë që tani për atë që na pret nesër nesër.

Për shkak se bota është kapur e papërgatitur, për fat të keq, ka pasur kudo një ngathtësi të frikshme për t’u përshtatur, që nis nga shtetet më të fuqishme dhe përfundon tek personazhet më të famshëm të planetit. Dhe ta mendosh se gjithçka është rrokullisur në vetëm tre muaj.

Ata që na thonë më shumë se të tjerët që jemi në luftë, duhet të na e tregojnë në radhë të parë se po bëjnë gjënë e duhur që ajo të mbarojë sa më shpejt dhe me sa më pak kosto. A janë duke u përshtatur sa duhet qeveritë, organizatat ndërkombëtare, agjencitë, bankat, gjigandët e biznesit dhe të industrisë, mediat dhe të tjerët, në radhë të parë me rrethanat e luftës, dhe pastaj me atë që na pret pas përfundimit të saj?

Vështirë shumë të thuhet, ndonëse tani nuk ka shumë mundësi për t’u ndalur gjatë në analiza, sa kohë që armikun e kemi ende tek dera. Por që të jemi ushtarë të bindur të kësaj lufte, na duhen patjetër prova se edhe komandantët i kemi njësoj të përgatitur. Është shumë e vështirë të pranosh se gjithçka është nën kontroll, kur të thonë se është vënë një dispozicion vetëm një paketë masash, të cilat do të na mundësojnë të mos vdesim për bukë për një farë kohe. Ndërkohë ne sot kemi nevojë që i gjithë buxheti dhe çdo gjë tjetër që ka një shtet apo qeveri në dispozicion të jetë në funksion të luftës dhe të asaj që vjen mbrapa. Sepse, po aq sa rrezikohet mbijetesa në kushtet e luftës, aq vihet në pikëpyetje edhe vazhdimi i jetës më vonë.

Qofsha i gabuar, por unë mendoj se kjo është një sfidë më e madhe dhe me e ashpër se dy luftërat e fundit botërore. Dhe ky nuk është një perceptim që vjen nga paniku, të cilin, falë Zotit, nuk e ndjej ende. Sepse ajo mund të mos i ketë aq të shumta viktimat, nëse do të fitohet shpejt, por është e sigurt se do t’i ketë më të rënda pasojat.

Sepse është e para herë në histori që e gjithë bota po fiket njëkohësisht, pa e ditur askush me saktësi se kur do të ristartojë. Ndryshe, nga të gjitha rastet e ndodhura më parë. Gjatë luftërave botërore ka pasur hapësira të pamata me miliarda njerëz, që nuk kanë shkrepur asnjë pushkë dhe vazhdimi normal i jetës në ato vende ka qenë një garanci e madhe për ata që përgjakeshin me njëri-tjetrin, se pasojat e luftës do të kapërceheshin shpejt. Sot kjo garanci nuk ekziston, prandaj edhe bota po e vuan më shumë se çdo herë tjetër.

Por përtej kësaj, nuk ka asnjë dyshim se njerëzimi do ta fitojë këtë luftë dhe jeta do të triumfojë. Sfida është që gjithkush duhet të përshtatet pa humbur kohë me rrethanat e reja të luftës dhe me paqen, që do të vijë pas saj, duke u përgatitur që tani se shumëçka nuk do të jetë më si parë. Në radhë të parë, për ta pasur më të lehtë luftën, por edhe për të nisur që tani punën për rindërtimin, kur çlirimi të arrihet.

Merita është ta bësh sa më shpejt e të mos jesh në radhën e parë të atyre që do të kenë më shumë dëme apo viktima. Dhe kjo vlen, si për qeveritë, që nuk kanë pse presin apo ndjekin domosdoshmërisht njëra-tjetrën, ashtu edhe me çdo aktor tjetër, që nga kompanitë e bankat shumëkombëshe, e deri tek individët më të varfër dhe më të pambrojtur, kudo në botë.
Të parët që do ta fitojnë betejën e njëkohshme me armikun dhe me paqen e panjohur do të jenë ata që këtë ndalesë të papritur të botës do ta konsiderojnë si një mundësi për t'i bërë një remont kapital projekteve të tyre për vijimin e jetës.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja