Lulzim Basha, 48 orë për të fshirë gabimet e rënda me vdekje dhe morg

Lulzim Basha, 48 orë për të fshirë gabimet e rënda me vdekje dhe morg

Në 48 orët e fundit, Lulzim Basha e ka modifikuar jo pak sjelljen e tij në publik. Dje ka nxjerrë ekspertët e kryesisë që të flasin në televizione, ndërsa sot ka dalë vetë me një grup mjekësh, siç i quan ai. Ajo që bie në sy në 48 orëshin e fundit, është energjia e madhe që po shpenzon kryetari i PD dhe këshilluesit e tij, për të zhbërë dëmin e madh që i shkaktuan vetes, me dy seritë e serialit më të fundit me regji në SHQUP. Javën që kaloi, të enjten dhe të premten, Lulzim Basha që prej pak ditësh në rrjete sociale ka merituar edhe emrin Lulzim Morgu, guxoi të luajë me diçka që shqiptarët e kanë shumë të shenjtë: vdekjen.

Pasi hodhi të enjten akuza të rënda për fshehje të numrit të të vdekurve me Covid, Basha sipas shumë dëshmitarëve që punojnë në media, u kujdes personalisht një ditë më vonë që të shpërndante disa fotografi të morgut të mbingarkuar, foto që ishin publikuar vetëm pak më herët në portalin e Sali Berishës. Ishin dy autogola të njëpasnjëshëm, të një politikani që me sa duket, e ka shumë të vështirë të kontrollojë entuziazmin fëmijëror dhe që, në botën e llogarive, qoftë atyre aritmetikore, qoftë atyre politike, ka treguar se çalon keq. Autogolin e parë e pësoi kur mjekët e Spitalit Infektiv, me në krye profesoreshë Najada Çomon, iu kthyen me një deklaratë profesionale, në të cilën i kërkonin të ndalte përbaltjen e tyre, dhe i kujtonin se kartela e të ndjerëve plotësohet nga ata, pra mjekët dhe askush tjetër.

Autogolin e dytë e pësoi nga qytetarët, të cilët iu kthyen me një irritim dhe neveri në rrjetet sociale, që nuk ishin parë prej kush e di se kur. Lulzim Basha nuk është budalla. Ai i dëgjon këshilltarët që i kurojnë imazhin, dhe që në raportet e fundjavës, ia kanë bërë të qartë se dy lëvizjet e fundit e kanë ulur ndjeshëm pikaverazhin politik të tij dhe të forcës që përfaqëson. Në sytë e njerëzve, ai po shihet gjithnjë e më shumë si njeriu që dëshiron të marrë pushtetin duke ndjellë frikë, si politikani që dëshiron të bëhet kryeministër duke folur për vdekjen.

Problemi është se në një kohë pandemie si kjo, njerëzit duan të dëgjojnë për shpresën dhe për jetën, dhe Lulzim Basha, ashtu si shpesh herë gjatë karrierës së tij politike, ka qenë në anën e gabuar. Pasi e ka kuptuar këtë, ka nxituar që të përshtatë agjendën e fillimit të javës, dhe t’i dedikohet ekskluzivisht përmirësimit të një imazhi, që fjalët e tij për vdekje dhe fotografitë e tij në morg, ia kishin nxirë jo pak. Ka 48 orë që ai dhe të dërguarit e tij nëpër televizione, edhe kur nuk i pyet kush, përsërisin se nuk kanë asgjë me mjekët dhe se mjekët janë aleatët e tij. Por, në sytë e qytetarëve, Basha është po i njëjti gënjeshtar që Presidenti i Republikës e përshkruante fort qartë, kur thoshte se të gënjen edhe kur e pyet për orën. Sepse, si mund të pretendosh që je aleat i mjekëve, kur i akuzon se kanë manipuluar kartelat mjekësore?

Edhe kur përpiqet të justifikohet duke deklaruar se akuzat i ka për qeverinë dhe jo për mjekët, Lulzimi i fotografive nga Morgu, harron se edhe kjo është një akuzë indirekte për mjekët. Sepse sipas tij, i bie që ata shkelin integritetin e tyre, dhe zbatojnë urdhërat që u ardhkan nga lart. Dhe ky mund të jetë autogoli i tretë, i një njeriu që nuk mëson kurrë nga gabimet.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë