Maqedonia e Veriut ka shpallur 30 ditë gjendje emergjence për shkak të flakëve që kanë përfshirë vendin. Në një lidhje për Report Tv, Bekim Maksuti, drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim u shpreh se në Maqedoninë e Veriut aktualisht janë 19 vatra aktive zjarri, ndërsa theksoi se vetëm 3 prej tyre janë vatra më kritike.
“Për momentin kemi dikur tek 19 vatra aktive, mirëpo mund të them që 3 nga ata mund të jenë në një shkallë më të lartë të rrezikshmërisë. Të gjitha gjenden në pjesën lindore të Maqedonisë së Veriut”, tha Maksuti.
Në ndihmë të Maqedonisë së Veriut për të përballuar situatën kanë mbërritur ekipet zjarrfikëse nga Serbia, Bullgaria, Austria e Sllovenia. Ndërsa drejtori Maksuti bëri me dije se ditën e sotme ka mbërritur një avion C27J i quajtur si “Spartan” nga Rumania, teksa pritet edhe një tjetër.
“Që nga shpallja e gjendjes së krizës në kemi arritur të aktivizojmë mekanizim e BE për emergjenca. Kemi marrë edhe ndihmat e para dhe në këto çaste një nga aeroplanët e Rumanisë ka zbritur në Shkup dhe tjetri pritet të zbresë. Është një aeroplan i adaptuar për shuarjen e zjarrit, shpresojmë të kemi një kapacitet së bashku me helikopterët e armatës që kemi në dispozicion që disa nga vatrat më të rrezikshme të zjarrit që kemi ti ulim rrezikun që t’iu afrohemi sa më afër dhe të veprojmë me trupa nga terreni. Që të vëmë në kontroll zjarret”, u shpreh Maksuti.
Në kuadër të nismës ‘ Open Balkans”, Maksuti deklaroi se ka patur diskutime për bashkëpunime me homologët e tij përpara situatës së zjarreve. Ndërsa shtoi se duhet menduar një strategji për të ardhmen sesi mund të vendosen në dispozicion kapacitete e përbashkëta për të përballuar situata të tilla.
“Vërtet është situatë që nuk na le komitetin që të merremi me strategji. Para kësaj situate unë kam pasur takime me homologët e mi nga Shqipëria. Mund të them që kemi iniciativa edhe koncepte se si te përballemi bashkërisht me këtë drejtim. Pikërisht aktivizimi i helikopterëve tonë nëse do ti kishim pasur në dispozicion edhe për zjarret në Shqipëri ngel si një nga alternativat e ardhshme e bashkëpunimit tonë tre ndërsjellët. Kemi bashkëpunime të mjaftueshme dhe ky bashkëpunim na zgjerohet apo po na jep akoma më shumë hapësirë nga iniciativa trelaterale Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Serbi në këtë drejtim që kryeministrat tanë kanë nënshkruar. Unë them që do duhet të mendojmë për të ardhmen më të mirë të mundshme sesi ti vendosim kapacitetet e përbashkëta për përballjen me situata të tilla dhe aty ka më shumë nevojë do të drejtohemi në fillim”, vijoi Maksuti.