/ATSH-Z.Tosku/- Ministria e Arsimit dhe Sportit në bashkëpunim me Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë zhvilluan ditën e mërkurë një tryezë diskutimi mbi ligjin e ri të Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor.
Gjatë fjalës së saj, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla vuri në dukje se, "reforma e arsimit të lartë synon gjithpërfshirjen pasi vetë sistemi arsimor prek të gjitha kategoritë".
Debatet në lidhje me reformën e arsimit të lartë janë ndjekur me shumë interes nga ana e saj, pasi ky është një moment ku sytë drejtohen nga standardet me bazë meritën.
"Reforma e Arsimit të Lartë për herë të parë vendos në institucionet publike dhe private të arsimit të lartë, një skemë të re financimi, në bazë të performancës së tyre. Qasja e re konsiston edhe në kulturën e donacionit dhe të fondit të ekselencës e cila do t'i japë mundësi shumë studentëve që nuk kam mundësi të arsimohen por që janë të shkëlqyer në mësime, të mund të vazhdojnë studimet, duke krijuar një sistem cilësie dhe merite në arsim", tha Nikolla.
Gjatë diskutimit të hapur me grupet e interesit, nga përfaqësuesit e biznesit u vu në dukje se duhet të intesifikohen dhe krijohen më shumë hapësira për praktika profesionale për studentët.
Sakaq, duke diskutuar për ligjin e ri, përfaqësuesit e biznesit nënvizuan faktin se titujt që tanimë për profesorë të ndryshëm jepen nga një rreth i mbyllur, pra nga bordi i Universitetit  duhet të vendosen në një rreth më të gjerë dhe më të hapur.
Në përgjigje të një prej sugjerimeve që përfaqësuesit e biznesit paraqitën për
mungesën e studentëve për profesione si inxhinier transporti, përfaqësuesit e Ministrisë së Arsimit nënvizuan faktin se nxënësve që nuk do të mund të futen dot në universitet do t'u jepet një mundësi sekondare, për t'u bërë pjesë e kolegjeve 2-vjeçare.
Gjithashtu, përfaqësuesit e ministrisë së Arsimit vunë në duke se qeveria ka një plan kombëtar për intership-n e studentëve, për të sistemuar 10 mijë studentë të universiteteve pubike dhe private.
Ndërkaq, përfaqësuesit e biznesit dhe të ministrisë gjatë diskutimeve vunë në dukje se universitetet duhet të bëhen më praktike, duke nxjerrë më shumë studime praktike nga ana e studentëve dhe profesoreve, pra tema konkrete të cilat duhet të ndihmojë në shoqërinë shqiptare.
Paralelisht me tryezën e diskutimeve për ligjin e arsimit të lartë, studentët protestuan përpara ambienteve të kryeministrisë, ku theksuan se "Ligji për Arsimin e Lartë nuk duhet të kalojë, përndryshe protestat do të vazhdojnë çdo ditë".