Në varrezat e Shpalit, në Mirditë u përkujtua dje 77-vjetori i masakrës së Qafës së Valmirit, një prej krimeve më të rënda të kryera gjatë regjimit komunist në Shqipëri, njoftoi Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit 1944-1991.
Familjarë të viktimave dhe përfaqësues të komunitetit u mblodhën për të nderuar kujtimin e 14 burrave që u ekzekutuan publikisht më 17 gusht 1949, pas një hetimi vetëm njëjavor dhe mbi bazën e “indicieve, prezumimeve dhe provave indirekte”. Katër prej tyre u varën në litar dhe dhjetë u pushkatuan në prani të qindra banorëve. Viktimat ishin burra nga zona të ndryshme të Mirditës, ndërsa më i riu ishte 24 vjeç dhe më i moshuari 67 vjeç. Në litar u varën Preng Dedë Kola nga Oroshi, Pjetër Dedë Vila dhe Pjetër Paloka nga Kaçinari, si dhe Dodë Mark Biba nga Kthella e Epërme.
Ndërsa u pushkatuan Nikollë Bardhok Bajraktari nga Rrësheni, Llesh Gjon Mëlyshi nga Malaj, Nikollë Llesh Bajraktari nga Oroshi, Ndrecë Mark Ndoj dhe Frrok Mata nga Kaçinari, Bardhok Dodë Gjini nga Proseku, Gjok Gjin Kaçi nga Bukmira, Gjergj Beleshi nga Kthella e Epërme, Ndoc Gjet Çupi nga Blinishti dhe Preng Shkurt Nikolli nga Oroshi. Masakra ndodhi në një periudhë represioni të ashpër ndaj Mirditës, pas vrasjes së deputetit Bardhok Biba. Si pasojë, regjimi komunist ndërmori masa ndëshkuese kolektive ndaj banorëve të zonës, duke dëbuar me forcë qindra familje dhe duke i internuar, ndër të tjera, në kampin e Tepelenës. Familjet e internuara u përballën me kushte të rënda jetese dhe humbje të shumta, veçanërisht mes fëmijëve. 77 vjet pas ekzekutimit, 14 viktimat vijojnë të prehen së bashku në një varr të përbashkët. Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit 1944–1991 thekson se kujtimi i tyre mbetet një plagë e pambyllur për familjet, komunitetin dhe shoqërinë shqiptare. AIDSSH nënvizon nevojën që viktimat të trajtohen me dinjitet dhe që familjeve t’u krijohen mundësitë për t’i nderuar të afërmit e tyre në vendprehje individuale, sipas zgjedhjes së tyre. “Kujtesa është përgjegjësi. Dinjiteti i viktimave dhe e drejta e familjeve për t’i nderuar mbeten një detyrim i përbashkët”, thekson AIDSSH.
HAKËMARRJA PËR BARDHOK BIBËN
Më 17 gusht të vitit 1949 në Qafë të Valmirit në Mirditë, regjimi komunist ekzekutoi 14 burra nga disa zona të Mirditës, 4 prej të cilëve u varën në litar ndërsa 10 u pushkatuan. Ekzekutimi i tyre u bë nga shteti si hakmarrje për vrasjen e Bardhok Bibës, deputet i parlamentit të kohës dhe sekretar politik i komitetit të PP të kësaj krahine. Bardhok Biba u vra më 7 gusht 1949 në Qafë-Valmir nga Komiteti i Maleve (që e pranoi autorësinë duke lënë letër në trupin e pajetë), kundërshtarë të regjimit të cilët jetonin në arrati. Komiteti i Maleve ishte një grupim rezistence kundër regjimit, i përbërë nga kundërshtarë të regjimit që jetonin në arrati. Pas vrasjes së Bibës, autoritetet ndërmorën një fushatë represive në Mirditë, duke arrestuar disidentë gjatë natës nga disa fshatra, dhe duke dërguar dhjetëra familje në internim. Ndërsa gratë dhe fëmijët niseshin me kamionë drejt kampeve, burrat shkonin të lidhur me tela me gjemba drejt vdekjes. “Hapen dy gropa.
Ata ishin të lidhur me pranga dhe kur binte njëri tërhiqte dhe tjetrin, ranë të gjallë brenda”. Prokurori Misto Bllaci kërkoi 20 vendime me vdekje në fillim, ndërsa Gjykata e Lartë Ushtarake në fund të procesit që zgjati nga data 11 gusht, kur u kryen arrestimet, deri më datën 16, kur u dha vendimi, ra dakord për 14 dënime me vdekje. Në vetëm pesë ditë proces hetimor u pranua në dokumentet e lëna pas se asnjëri nuk ishte i përfshirë në vrasje. 14 të burgosurit u dënuan si bashkëpunëtorë të të arratisurve. Pas masakrës së Qafë Valmirit qindra familje të zonës u internuan në kampin e Tepelenës, ku pak prej tyre ia dolën t’i nxirrnin fëmijët të gjallë. Dhjetë ditë më pas, me urdhër të Mehmet Shehut, Gjykata e Lartë Ushtarake ishte vendosur në Rrëshen dhe bëri një proces gjyqësor duke vendosur në kohë rekord dënimin me vdekje të 14 vetave, ndonëse, siç dëshmohet nga dokumentet, asnjë prej tyre nuk kishte qenë i përfshirë në vrasjen e deputetit Biba dhe as nuk kishte lidhje të drejtpërdrejtë me vendimin për vrasjen e tij. Të 14 viktimat mbetën në dy varret masive të hapura gjatë ekzekutimit për 40 vite, derisa eshtrat e tyre u rivarrosën në një varr monumental me 1991.
DOSJA HETIMORE
Vete dosja hetimore pranon se asnje prej tyre nuk ishte fajtor per vrasjen e sekretarit politik te Partise Komuniste te Mirdites, por hakmarrja ishte e ashpër. Me c’eshtjen merret drejtpërdrejt Mehmet Shehu dhe ka vetem nje hetues per 26 te pandehur. Gjykata e larte ushtarake me në krye Bilbil Klosin, merr vendim te formes se prere. Te arrestuarit dergohen ne kembe drejt Qafe Valmirit ku i pret nje vdekje e vështirë. Dokumentet e Gjykatës së Lartë Ushtarake i akuzojnë se kanë bashkëpunuar me “banda kriminale t’arratisurish” dhe kanë ndihmuar këta të plotësojnë planin e tyre armiqësor për të rrëzuar Pushtetin Popullor. Në dosje, ku shumica e fletëve janë të palexueshme për shkak zbehjes së bojës së germave, thuhet: “… në vargun e krimeve si vrasje, djegie, plaçkitje etj., të kryera nga këto banda që janë ndihmuar nga të gjithë këta të pandehur, shtohet dhe akti i poshtër dhe i shëmtuar i vrasjes së deputetit të popullit dhe sekretarit Politik të Komitetit PPSH për rrethin e Mirditës, Shoku Bardhok Biba, ndodhur më 7.8.1949 në vendin e quajtur Qafa e Valmirit ndërmjet katundeve Peshqesh, Simon, Kaçinar.” Procesi gjyqësor u mbajt nga Gjykata e Lartë Ushtarake e formuar nga Nënkolonel Bilbil Klosi, Kapiten I Sotir Spiro, Kapiten II Nonda Papuli, ndërsa pranë tyre ishte edhe prokurori i ushtrisë, Misto Bllaci.
Vendimi u dha më më 16 gusht 1949 dhe siç zbardhet prej tij, të 14 viktimat janë të pafajshëm për vrasjen e Bardhok Bibës. Gjykata komuniste barazon autorin me bashkëpunëtorin dhe i dënon në bazë supozimesh. “Me veprimtarinë e tyre gjithë këta të pandehur kanë treguar në fakt se ata bëjnë edhe vetë këtë pjesë me këto banda, janë bashkëpunëtorë të tyre. Pjesëmarrja në banda nuk asht një akt formal por konsiston në vullnetin për të qenë pjesë e saj, vullnet i cili manifestohet me veprime te pajtueshëm me planet e bandës. Këtë vullnet e kanë treguar me punën e tyre të pandehurit dhe prandaj pavarësisht nga fakti i mosarratisjes konsiderohen si bashkëpunëtorë të bandave,” thuhet në vendimin e Gjykatës së Lartë Ushtarake. Gjykata bën me përgjegjësi civilët, ndërsa thotë në vendim se “sipas nenit 27 të P.P të gjithë të pandehurit janë përgjegjës për krimet e kryera nga këto banda, duke u dënuar secili konform nenit 57 të PP, simbas rrezikshmërisë personale”. Masat që u ndërmorën nga regjimi komunist pas vrasjes së Bardhok Bibës rezultuan në shkatërrimin e organizimit të brendshëm të Mirditës, lidhjeve të bajraqeve dhe familjeve të mëdha që drejtonin jetën shoqërore të krahinës pothuaj duke injoruar shtetin komunist. Paralajmërimi për atë që do të ndodhte shihet në vendimin e Gjykatës së Lartë, ku pranohet dënimi i të afërmve e miqve të atyre që regjimi i kërkonte dhe i njihte si autorë të vrasjes:
Padija e të pandehurve dhe rrethanat e tjera të ngjarjeve si dhe rrezikshmëria e secilit të pandehur vërtetohet me këto prova:
1. 1. Lidhjet personale me të arratisurit, lidhje gjaku ose miqësije.
2. Me të kaluarën e tyre të keqe dhe plotë aktivitet kundra pushtetit
3. Me faktin se nji pjes e tyre është hedhur për pak kohë në arrati dhe ashtu bashkuar me bandat kriminale
4. Me procesverbalet e mbajtura nga organet e hetuesisë.
5. Me dëshmitarët e thirrur e dëgjuarë para gjyqit dhe
6. Me pohimet e pjesshme të të pandehurve
Në bazë të dispozitave të përmendura, Gjykata, simbas kërkesës së Prokurorit, Vendos:
Deklaron fajtor për bashkëpunim me bandat e arratisura dhe i dënon:
1) Pjeter Dedë Vila, 2) Dod Preng Kol Gjomarkaj, 3) Dod Llesh Paloka, 4) Dod Marka Biba, 5) Ndrec Mark Ndoi, 6) Nikollë Bardhok Bajraktari, 7) Nikollë Llesh Bajraktari, 8) Llesh Gjon Melyshi, 9) Frrok Ndue Mata, 10) Bardhok Dod Lleshi, 11) Gjin Gjok Keçi, 12) Preng Shkurt Nikolli, 13) Gjergj Keq Beleshi, 14) Ndoc Gjergj Çupi 15) Ndue Gjon Fusha me vdekje
Ekzekutimi i dënimit për Pjetër Ded Vila, Dod Gjon Markaj, Ded Llesh Paloka dhe Ded Mark Biba do të bëhet me varje në litar, të tjerët do të ekzekutohen me pushkatim.
CITIM NGA VENDIMI:
“… ky akt i poshtër brenda kompleksit të veprimtarisë së tyre kriminale çmohet se është jashtëzakonisht i rrezikshëm dhe imponon për Pushtetin Popullor të marrë masa urgjente dhe të rënda, si dhe detyron Gjykatën e këtij pushteti të çmojë me drejtësi revolucionare rreziqet e veprës kriminale dhe të dënojë fajtorët konform me rrezikshmërinë e tyre.”. Ndërsa jep një vendim të formës së prerë më 16 gusht 1949, ku dënon me vdekje pa faj 14 shtetas, Gjykata e Lartë Ushtarake vendos t’i përjashtojë nga sekuestrimi i pasurisë meqenëse nuk kishin pasuri.
Të gjithë të dënuarit me vdekje humbasin të drejtat civile të përhershme. Të tjerët humbin të drejtën elektorale për 5 vjet. Përjashtohen nga konfiskimi i pasurisë të dënuarit mbasi nuk i rezulton Gjykatës të posedojnë pasuri. Ky vendim është i formës së prerë.
Rrëshen 16.8.1949
Pas 10 ditësh, të dënuarit u çuan për t’u ekzekutuar në të njëjtin vend ku ishte vrarë Bardhok Biba, rreth 2 orë nga Rrësheni. Për të parë ekzekutimin e tyre, ishte kërkuar të kishte sa më shumë njerëz. Të 14-të u futën në dy varre të përbashkëta ndërsa pranë tyre përgjatë gjithë regjimit komunist, do të vihej një përmendore e Bardhok Bibës. Sot, 77 vjet më pas, historia e tyre nuk është mbyllur. Ajo vazhdon në arkiva, në dëshmitë e familjeve, në kujtesën e Mirditës dhe në pyetjen se çfarë duhet të bëjë një shoqëri me një të kaluar të tillë. 14 burrat e Qafës së Valmirit janë pjesë e kujtesës së një vendi që ende përpiqet të kuptojë, dokumentojë dhe përballojë krimet e diktaturës. Dhe ndoshta pikërisht këtu qëndron kuptimi më i madh i përkujtimit./Gazeta Panorama











Komente
Komento