Grupi prej 5 personave që mashtruan biznesmenin shkodran, 3 prej të cilëve të arrestuar, dyshohet të jenë pjesë e grupit të të shumëkërkuarit po për mashtrim, Florian Gjergji. Të dielën policia arrestoi Krenar Toromenin, Ilia Gjinin dhe Artur Lecinin.
Ata e kishin marrë biznesmenin në aplikacionin Viber me një numër të paregjistruar dhe i ishin prezantuar si miku i ngushtë i Tonin Marinajt, kryetarit të bashkisë në Malësi e Madhe.
Të arrestuarit i kanë kërkuar shumën prej 40 mijë euro, me pretendimin se do ua çonin Marinajt dhe do ia kthente brenda pak ditësh. Sipas biznesmenit, paratë ua ka dhënë me mirëbesim dhe në mbrëmje pasi ka marrë Tonin Marinajn në telefon për ta pyetur nëse i kishte marrë paratë, ka kuptuar se ishte mashtruar. Pasi bëri kallëzimin në polici, autorët u identifikuan nga kamerat e një biznesi pranë Rinasit, ku edhe ishin dhënë paratë.
Florian Gjergji prej kohësh është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet ndërsa dyshohet se fshihet në Gjermani. Skema me të cilën operon grupi i tij, është përdorimi i identiteteve të personazheve publikë, kryesisht figura të politikës, për t’i kërkuar para palëve të treta.
Përveç rastit të fundit ku është përdorur emri i kryebashkiakut të Malësisë së Madhe Tonin Marinaj, ky grup ka mashtruar dhe në emër të Taulant Ballës duke i marrë 100 mijë euro një biznesmeni si dhe në emër të Erion Veliajt. Ky rast dështoi, pasi biznesmeni e kishte kuptuar që bëhej fjalë për mashtrim.
Komente










