Mbahet Konferenca e parë Ndërqeveritare, Maqedonia e Veriut nisi zyrtarisht negociatat për anëtarësim në BE

Mbahet Konferenca e parë Ndërqeveritare, Maqedonia e Veriut nisi zyrtarisht negociatat për anëtarësim në BE

Flamuj të BE dhe Maqedonisë së Veriut

Maqedonia e Veriut ka nisur sot negociatat me Bashkimin Evropian. Delegacioni qeveritar i kryesuar nga kryeministri Dimitar Kovaçevski është në Bruksel. Me këtë Konferencë ndërqeveritare, më në fund pas 17 viteve pritjeje, vendi zyrtarisht i hap negociatat për anëtarësim në BE, pasi që e para mes vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor më 9 prill 2001 në Luksemburg e nënshkroi Marrëveshjen për Stabilizim dhe Asociim, e cila hyri në fuqi në vitin 2004, ndërsa një vit më vonë e mori statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE. Në Konferencë, kryeministri Kovaçevski deklaratën e hapjes do ta lexojë në gjuhën maqedonase.

Në përbërje të delegacionit qeveritar janë zëvendëskryeministri i parë dhe ministri për sistemin politik dhe marrëdhëniet ndërmjet bashkësive Artan Grubi, zëvendëskryeministri përgjegjës për çështje evropiane Bojan Mariçiq dhe ministrat për punë të jashtme dhe të brendshme Bujar Osmani dhe Oliver Spasovski. Para Konferencës Ndërqeveritare, kryeministri Kovaçevski do të ketë takim edhe me kryetaren e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

“Po hapim perspektiva të reja për shtetin dhe qytetarët dhe ngadalë por sigurt po i bashkohemi familjes së madhe evropiane, e cila ka qenë synimi ynë strategjik me dekada, tha kryeministri Dimitar Kovaçevski.

Sot, para konferencës ndërqeveritare në Bruksel dhe pas takimit me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe kryeministrin e Republikës Çeke, Petr Fiala, ai tregoi se beson se ky fillim i ri për rajonin do të thotë prosperitet dhe përparim.

“Në prag të Konferencës Ndërqeveritare me të cilën hapim negociatat për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, shpreh mirënjohjen time të sinqertë për të gjithë miqtë tanë të Bashkimit Evropian, për mbështetjen, përfshirjen dhe përkushtimin e tyre në integrimin evropiane të vendit tonë. Përkushtimi i tyre ishte vendimtar që ne sot në Bruksel të bëjmë hapin e parë që do të na çojë drejt anëtarësimit të plotë në Union”, deklaroi Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

Komisioneri Evropian për Zgjerimin dhe Politikën e Fqinjësisë së Mirë, Oliver Varhelyi, në fjalimin e tij në konferencën e përbashkët ndërqeveritare në mes Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian, theksoi se RMV ka bërë punë të mëdha për hapjen e negociatave. Varhelyi deklaroi se Komisioni Evropian është i gatshëm që menjëherë ta fillojë procesin e skriningut me RMV-në, duke shtuar se do të vazhdojnë ta këshillojnë dhe ndihmojnë vendin.

“Maqedonia e Veriut vazhdon t’i përmbush kushtet. Vazhduan me punën e fortë, me demokratizimin institucioneve dhe luftën kundër korrupsionit. Jeni shembull i shoqërisë multietnike. Është e rëndësishme që RMV mbeti e përkushtuar për këtë proces. Inkurajoj Maqedoninë e Veriut të vazhdojë me punën, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Komisioni është gati menjëherë të fillojë procesin e skriningut me Maqedoninë e Veriut, edhe atë që sonte”, tha ai.

Ndërkohë që në Bruksel zhvillohej konferenca e parë ndërqeveritare për hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, partia opozitare maqedonase, VMRO-DPMNE, përmes një komunikate për media ka reaguar duke thënë se e gjitha është një mashtrim dhe lojë e pushtetit.

“Maqedonia nuk i fillon negociatat, gjithçka është lojë e LSDM-së dhe BDI-së, VMRO nuk do të lejojë ndryshimin e Kushtetutës”, njoftoi partia opozitare.

Vendimi për mbajtjen e Konferencës Ndërqeveritare, që shënon edhe çeljen e negociatave, u mor ditën e shtunë pasi Kuvendi i Maqedonisë se Veriut miratoi propozimin francez, duke zgjidhur kështu ngërçin me Bullgarinë. Ky vendim u përshëndet edhe nga politika shqiptare dhe zyrtarët e lartë të Bashkimit Europian dhe të SHBA-së. E pranishme në Kuvendin e Shkupit ishte edhe presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen, e cila siguroi maqedonasit se gjuha e tyre do ruhet me 'fanatizëm'.

Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut prej kohësh, kishin mospajtime për çështjen e gjuhës, të identitetit dhe të së kaluarës historike, që bllokuan integrimin e mëtejshëm të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian si dhe të Shqipërisë. Franca doli me një propozim prej shtatë pikash, që kërkon lëshime nga të dyja palët. Shkupi, mes tjerash, duhet të angazhohet për ndryshimin e Kushtetutës, me qëllim njohjen e pakicës bullgare si komb i barabartë me të tjerët. Qeveria maqedonase e ka mbështetur propozimin, por opozita i doli kundër duke zhvilluar në më shumë se dy jave protesta.

Cili është 'Propozimi francez'?

Drafti tashmë i miratuar parashikon që së pari të garantohet hyrja e bullgarëve në kushtetutën e Maqedonisë së Veriut ku përmenden kombet e tjera dhe në baza të barabarta me këto kombe. Kusht tjetër është që të bëhet e qartë se asgjë në procesin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE nuk mund të interpretohet si njohje nga Republika e Bullgarisë të ekzistencës së "gjuhës maqedonase". Duhet të sigurohet që fqinjësia e mirë të mbetet një kriter horizontal deri në fund të negociatave të anëtarësimit të Shkupit në BE dhe Komisioni Evropian do ta mbajë Këshillin të informuar rregullisht për zbatimin e tij. Në kuadër të procesit negociator duhet të paralajmërohet edhe rishikimi periodik i zbatimit të marrëveshjes së fqinjësisë me Republikën e Maqedonisë Veriore.

Në të thuhet se Komisioni Evropian do të monitorojë dhe do t'i raportojë Këshillit Evropian për mënyrën se si Maqedonia respekton marrëveshjet. Propozimi "merr parasysh" synimet e të dyja palëve për të lëshuar "deklarata të njëanshme mbi çështjen e gjuhës maqedonase", me sa duket duke e lënë të hapur derën për veprim në Sofje dhe Shkup mbi këtë temë. Ai gjithashtu i imponon Shkupit një detyrim për të respektuar Traktatin e tij të Miqësisë të vitit 2017 me Sofjen, duke e drejtuar në mënyrë efektive Brukselin në monitorimin e pajtueshmërisë së asaj marrëveshjeje dypalëshe si dhe të të ashtuquajturës Marrëveshje të Sofjes të vitit 2018.

K.T./M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Pesë pyetje për 2025-ën

Pesë pyetje për 2025-ën