Dyshohet se 800 tonë mbetje toksike u nisën nga Porti i Durrësit drejt Tajlandës, anija fik sinjalin! 'Doganat': Po bashkëpunojmë me OLAF për ta lokalizuar

Dyshohet se 800 tonë mbetje toksike u nisën nga Porti i Durrësit drejt Tajlandës, anija fik sinjalin! 'Doganat': Po bashkëpunojmë me OLAF për ta lokalizuar

Anija e kontejnerëve 'Maersk Campton'

Një ngarkesë e nisur nga Porti i Durrësit ka vënë në alarm autoritetet në Tajlandë, pasi sipas organizatës “Basel Action Network” që gjurmon tregtinë e mbetjeve toksike, është e mbushur me pluhur të rrezikshëm që grumbullohet nga filtrat e furrave të çelikut. Bëhet fjalë për rreth 800 tonë mbetje të rrezikshme të cilat janë ngarkuar në 100 kontejnerë me dy anije. 

Lajmi ka qarkulluar ditën e sotme në mediat e huaja, ndërsa sipas asaj që shkruan “Bloomberg” një prej anijeve të linjës së transportit Maersk, Campton me 60 kontejnerë , ishte planifikuar të ankorohej në Cape Town, në Afrikën e Jugut dhe rreth datës 20 gusht do duhej të mbërrinte në Tajlandë. Por, pas paralajmërimit të dhënë nga grupi ndërkombëtar i mbikëqyrjes “BAN”, në datën 31 korrik u fik GPS-i i anijes dhe ankorimi nuk u bë i mundur.

Pas këtij lajmi që po qarkullon në media Drejtoria e Doganave informon se ka nisur një hetim ndërkombëtar dhe në bashkëpunim me OLAF po punohet për lokalizimin e anijes. Drejtoria e Doganave konfirmon se kjo anije për të cilën shkruajnë mediat është nisur nga Porti i Durrësit, ka pasur një ndalesë në Trieste dhe më pas ka nisur rrugëtimin për në Tajlandë.

“Ka nisur një hetim ndërkombëtar për rastin, pas një njoftimi të mbërritur nga Sekretariati i Konventës se Bazelit për trafik mbetjesh toksike nga Shqipëria drejt Tajlandës. Menjëherë drejtoria Antitrafik pranë doganës Shqiptare është bërë pjesë e hetimit në bashkëpunim me OLAF. Dogana konfirmon se anija që ka fikur sinjalin e vendndodhjes është nisur nga Durrësi dhe pas një ndalese në Trieste ka vijuar rrugëtimin e saj me destinacion Tajlandën”, thuhet në reagimin e Drejtorisë së Doganave.

Kompania Maersk konfirmoi se janë dy nga anijet e saj të mallrave, Campton dhe Candor, që po transportojnë kontenierë me origjinë nga Shqipëria. Në një reagim për Bloomerg, kompania Maersk nuk ka deklaruar se anijet përmbajnë mbetje të rrezikshme, përndryshe do të kishin refuzuar t'i transportonin ato, tha zëdhënësja Summer Shi. 

Sipas të dhënave të kompanisë, 40 kontejnerë u ngarkuan në anijen Contship Vow më 4 korrik në portin e Durrësit të Shqipërisë. Kontejnerët u transferuan më pas në ‘Maersk Campton’ në Trieste dhe do të transferohen përsëri në një anije të Maersk në Singapor më 18 gusht. Anija është planifikuar të mbërrijë në portin Laem Chabang të Tajlandës më 20 gusht. Ndërkohë, një tjetër ngarkesë prej rreth 60 kontejnerësh, të cilat u nisën nga Durrësi dhe u ngarkuan në një tjetër anije të Maersk jashtë Shqipërisë, po bëjnë gjithashtu rrugën e tyre për në Singapor për tu nisur më pas drejt Tajlandës.

Anija ‘Maersk Campton’ fiku sinjalin më 31 korrik. Drejtori ekzekutiv i “BAN”, Jim Puckett dyshon se mënyra e veprimit të kapitenëve të kësaj anije lidhet me faktin se duan t’i shmangen përgjegjësisë para ligjit. Dyshohet se me mjetin e tyre të lundrimit ata të jenë përfshirë në trafikimin e mbetjeve të rrezikshme. Ai deklaroi: “Nuk ka arsye tjetër për këtë sjellje përveç përpjekjes nga ana e MAERSK për të shmangur arrestimin ose vonesat për shkak të mundësisë që anija e tyre të jetë e përfshirë në trafikimin e mbetjeve të rrezikshme”. Më tej shtoi dhe i bëri thirrje kapitenëve dhe përfaqësuesve të saj: “Kërkojmë që MAERSK të bashkëpunojë menjëherë për të ndihmuar komunitetin ndërkombëtar në parandalimin e hedhjes së paligjshme të mbetjeve të rrezikshme”.

Mediat ndërkombëtare bëjnë të ditur se Kodi i Kuq është lëshuar në të gjithë botën, teksa grupet për Drejtësinë Ambientale kërkojnë ndalimin e anijes dhe kthimin e saj në Europë, pasi bëhet fjalë për 800 tonë mbetje të rrezikshme.

Po si është përfshirë Shqipërianë këtë histori?

Në fakt është e dyshimtë mënyra se si është bërë ky transportim i këtyre mbetjeve që sipas ekspertëve të BAN është i rrezikshëm. Shqipëria si vend eksportues nuk ka dijeni për këtë ngarkesë me lëndë të rrezikshme. Gjithashtu edhe vendi tranzit Afrika e Jugut ku duhej të ankorohej anija, sikurse dhe Tajlanda që është shteti importues, nuk kanë dijeni, sipas Bloomerg.

Basel Action Network thotë se transporti i mbetjeve të rrezikshme pa miratimin e vendit eksportues (Shqipëria), vendeve tranzit (si Afrika e Jugut) dhe vendit të planifikuar importues (Tajlanda) është trafik i paligjshëm i mbetjeve sipas kushteve të Konventës së Bazelit.

Faktet të çojnë të gjitha te kontrabanda dhe për më tepër, kapiteni i anijes ka fikur lokalizuesin me t’u njoftuar Afrika e Jugut për 100 kontinierët që po transportoheshin nga Shqipëria. Sipas Konventës së SOLAS, sinjali IAS (GPS) duhet të jetë gjithmonë i ndezur kur anijet janë në lëvizje ose të ankoruara. Vetëm në rastin e rrezikut të menjëhershëm, kur kapiteni është i sigurtë se transmetimi i vazhdueshëm i sinjalit dëmton sigurinë dhe mbrojtjen e anijes, vetëm atëherë mund të fiket.

Nëse vërtetohet që janë mbetje toksike do kthehen në Shqipëri 

 "BAN” ka kërkuar nga Afrika e Jugut që të japë alarmin në të gjithë Azinë Juglindore duke kërkuar nga qeveritë të ndërhyejnë për të ndaluar të dy anijet. Edhe linjës së transportit MAERSK i është kërkuar të ndalojë menjëherë transportin, në mënyrë që anijet të kthehen në vendin e origjinës, pra në Shqipëri.

Nuk dihet për momentin se ku është MAERSK CAMPTON, por ndërsa pritet të jetë në rrugën e saj drejt ndalesës së ardhshme të planifikuar, ekziston shqetësimi se anija që fsheh vendndodhjen e saj tani mund të shkojë kudo në rajon.

Nëse konfirmohet se janë mbetje të rrezikshme, sipas Konventës së Bazelit, Traktati i Kombeve të Bashkuara që rregullon tregtinë e mbetjeve të rrezikshme dhe të tjera, kontejnerët mund të sekuestrohen dhe të kthehen në Shqipëri. 

SI.E./M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?