Mbetjet që lejohen, plani Rama për
plehrat, 12 garancitë e ligjit të ri 

Mbetjet që lejohen, plani Rama për<br />plehrat, 12 garancitë e ligjit të ri 
Ka një ndryshim themelor mes ligjit të miratuar nga qeveria “Berisha” në vitin 2011 dhe ligjit të miratuar së fundmi, për importin e mbetjeve. Ligji i propozuar nga qeveria “Rama” dhe i miratuar në Parlament, në nenin 2, ndalon në mënyrë kategorike dhe në të gjitha rastet importimin e mbetjeve të rrezikshme në Shqipëri.

Po ashtu, neni 2, shton një pikë 3, ku ndalon edhe importin e mbetjeve jo të rrezikshme, për qëllim ruajtjeje, asgjësimi ose incenerimi në Republikën e Shqipërisë. Ky është edhe parashikimi më i rëndësishëm i ligjit të ri, i cili ndryshe nga ligji i 2011, nuk lejon asgjësimin e mbetjeve në Shqipëri.

Mbetjet që importohen dhe lista e gjelbër
Ligji i ri, në nenin 3, parashikon që në Republikën e Shqipërisë importohen vetëm mbetjet e ngurta jo të rrezikshme, të listës së gjelbër, si lëndë e parë dytësore, për të plotësuar nevojat dhe kërkesat e industrisë ricikluese të vendit, për qëllime riciklimi. Neni 3, ka shtuar nenin 48/1 në ligjin e shfuqizuar, duke kufizuar mbetjet që do importohen. Aktualisht, Shqipëria nuk ka një listë të gjelbër mbetjesh, por do t’i referohet BE. Kjo e fundit ka një direktivë të vitit 2008, për menaxhimin e integruar të mbetjeve, ku parashikohet lista e kuqe, portokalli dhe e gjelbërt. Shqipëria do t’i referohet listës së gjelbër. Konkretisht, do të importohen vetëm kartonët, plastika, kanaçet dhe mbetjet drusore, ndryshe nga ligji i 2011, i cili parashikonte importimin e rreth 26 lloje mbetjesh. Por, ligji thotë se lista do të miratohet nga Këshilli i Ministrave.

Masat e tjetra
Ligji parashikon forcimin e sanksioneve për personat që importojnë mbetje të rrezikshme apo mbetje të parrezikshme në kundërshtim me autorizimin e dhënë. Do ketë gjithashtu një laborator për kryerjen e analizave specifike të përbërëve të mbetjeve. Gjithashtu është parashikuar instalimi i pajisjeve për matjen e radioaktivitetit, ndërsa personeli kontrollues është trajnuar si brenda ashtu edhe jashtë shtetit.

Kontrolli nga shoqëria civile
Ligji i ri për menaxhimin e integruar të mbetjeve parashikon masa dhe garanci shtesë të kontrollit në dogana. Në pikën 3 të nenit 3 të ligjit, parashikohet që organizatat e shoqërisë civile kanë të drejtën e monitorimit në pikat doganore të caktuara për kontrollin dhe zhdoganimin e mbetjeve. Ato paraqesin kërkesë me shkrim për pajisjen me autorizimin nga ministri përgjegjës për mjedisin, që lejon kryerjen e këtij monitorimi. Drejtuesit e pikave doganore kanë detyrimin e lejimit të kryerjes së monitorimit pa kufizim.

Pikat doganore
Pika 2 e nenit 3 e ligjit parashikon që procesi i kontrollit dhe zhdoganimit përfundimtar të mbetjeve, kryhet në jo më shumë se tre pika doganore që kanë kapacitetet teknike dhe njerëzore për monitorimin e tyre. Këto pika caktohen nga ministri përgjegjës për financat dhe ministri përgjegjës për mjedisin. Por, kryeministri ka deklaruar se mbetjet do të kalojnë vetëm në një doganë, në atë të Durrësit.

Autorizimi nga ministri
Në pikën 4 të nenit 3 thuhet se importimi mbetjeve, është i mundur vetëm me autorizim të ministrit. Përcaktimi është jo i rastësishëm, pasi nëse autorizimi do të jepej me VKM, nuk do të kishte një autoritet që do të mbante përgjegjësi. Ndërsa, autorizimi për importin e mbetjeve jo të rrezikshme është i vlefshëm për një periudhë kohe deri në dy vjet dhe lëshohet nga ministri përgjegjës për mjedisin.

Kushti
Ligji propozon që autorizimi për import mbetjesh do t’i jepet vetëm atyre subjekteve të cilat janë licencuar për ushtrimin e veprimtarisë së riciklimit dhe që posedojnë infrastrukturë riciklimi. Autorizimi i nënshtrohet kushteve të përgjithshme, të përcaktuara në rregulloret e miratuara në zbatim të këtij ligji, si dhe çdo kushti specifik që lidhet me rastin konkret. Në autorizim përcaktohen lloji i mbetjeve për importin, standardet që lidhen me ambalazhimin, kërkesat për monitorimin dhe raportimi i lëvizjeve të mbetjeve. Po ashtu, projektligji parashikon që Këshilli i Ministrave ndër të tjera do të miratojë edhe rregullat e transparencës në lidhje me importin e tyre.
 
Monitorimi
Ligji i ri për menaxhimin e integruar të mbetjeve parashikon masa dhe garanci shtesë të kontrollit në dogana. Sipas ligjit, organizatat e shoqërisë civile kanë të drejtën e monitorimit në pikat doganore të caktuara për kontrollin dhe zhdoganimin e mbetjeve.
 
Ndalimi
Ligji i propozuar nga qeveria “Rama” ndalon në mënyrë kategorike dhe në të gjitha rastet importimin e mbetjeve të rrezikshme në Shqipëri. Po ashtu, ndalohet edhe importi i mbetjeve jo të rrezikshme, për qëllim ruajtjeje apo asgjësimi.
 

Mbetjet që do importohen
Kartonët
Plastika
Kanaçet
Mbetjet drusore.
 
 
Garancitë e ligjit të ri për mbetjet
 
  1. Monitorim nga shoqëria civile në pikat doganore.
 
  1. Ndalohet në mënyrë kategorike importimin e mbetjeve të rrezikshme në Shqipëri.
 
  1. Ndalohet importi i mbetjeve jo të rrezikshme, për qëllim ruajtjeje, asgjësimi ose incenerimi.
 
  1. Importohen vetëm mbetjet e ngurta jo të rrezikshme, të listës së gjelbër, për t’u ricikluar.
 
  1. Mbetjet jo të rrezikshme do të kalojnë dhe kontrollohet vetëm në një doganë, Doganën e Durrësit.
 
  1. Laborator për kryerjen e analizave specifike të përbërjeve të rrezikshme të mbetjeve.
 
  1. Pajisje për matjen e radioaktivitetit.
 
  1. Trajnim i personelit kontrolluar si brenda dhe jashtë shtetit.
 
  1. Autorizimi për importin e mbetjeve jo të rrezikshme është i vlefshëm për një periudhë kohe deri në dy vjet.
 
  1. Qeveria do miratojë rregullore të posaçme për transparencën e procesit.
 
  1. Forcimi sanksioneve për personat që importojnë mbetje të rrezikshme.
 
  1. Autorizimi nuk do jepet me VKM, por nga ministri, i cili do të mbajë përgjegjësi.
 
Ligji i ri për mbetjet
 
Neni 2
Në nenin 48, “Ndalimi i importeve dhe kalimeve transit të mbetjeve”, bëhet ndryshimi
dhe shtesa e mëposhtme:
a) Pika 1 riformulohet si më poshtë:
“1. Ndalohet në të gjitha rastet importimi i mbetjeve të rrezikshme në Republikën e Shqipërisë.”.
 
b) Pas pikës 2 shtohet pika 3 me këtë përmbajtje:
“3. Ndalohet importi i mbetjeve jo të rrezikshme, për qëllim ruajtjeje, asgjësimi ose incenerimi në Republikën e Shqipërisë.”.
 
Neni 3
Pas nenit 48 shtohet neni 48/1 me këtë përmbajtje:
“Neni 48/1
Importi i mbetjeve jo të rrezikshme
1. Në Republikën e Shqipërisë importohen vetëm mbetjet e ngurta jo të rrezikshme, të listës së gjelbër, si lëndë e parë dytësore, për të plotësuar nevojat dhe kërkesat e industrisë ricikluese të vendit, për qëllime riciklimi dhe përdorimi si zëvendësues, të lëndëve të tjera nga burime jo të rinovueshme, që përdoren nga industria, përveç atyre të përcaktuara në pikën 3, të nenit 48, të këtij ligji.
 
 
2. Procesi i kontrollit dhe zhdoganimit përfundimtar të mbetjeve, sipas pikës 1, të këtij neni, kryhet në jo më shumë se tre pika doganore që kanë kapacitetet teknike dhe njerëzore për monitorimin e tyre. Këto pika caktohen nga ministri përgjegjës për financat dhe ministri përgjegjës për mjedisin.
 
3. Organizatat e shoqërisë civile kanë të drejtën e monitorimit në pikat doganore të caktuara për kontrollin dhe zhdoganimin e mbetjeve. Ato paraqesin kërkesë me shkrim për pajisjen me autorizimin nga ministri përgjegjës për mjedisin, që lejon kryerjen e këtij monitorimi. Drejtuesit e pikave doganore kanë detyrimin e lejimit të kryerjes së monitorimit pa kufizim.
 
4. Importimi mbetjeve, sipas pikës 1, të këtij neni, është i mundur vetëm me autorizim të ministrit.
 
5. Kërkesa për autorizimin e importit paraqitet në ministri.
6. Autorizimi i importit të mbetjeve jo të rrezikshme, sipas pikës 1, të këtij neni, lëshohet vetëm në përputhje të plotë me këtë ligj dhe akte të tjera në fuqi.
 
7. Autorizimi për importin e mbetjeve jo të rrezikshme, sipas pikës 1, të këtij neni, është i vlefshëm për një periudhë kohe deri në dy vjet dhe i jepet vetëm atyre subjekteve, të cilat janë licencuar për ushtrimin e veprimtarisë së riciklimit dhe që posedojnë infrastrukturë riciklimi. Autorizimi i nënshtrohet kushteve të përgjithshme, të përcaktuara në rregulloret e miratuara në zbatim të këtij ligji, si dhe çdo kushti specifik që lidhet me rastin konkret.
 
8. Në autorizimin e importimit të mbetjeve, sipas pikës 1, të këtij neni, përcaktohen:
a) lloji i mbetjeve për importin e të cilave lëshohet;
b) standardet që lidhen me ambalazhimin dhe etiketimin e mbetjeve dhe dokumentet shoqëruese gjatë transportit të tyre;
 
c) kërkesat për monitorimin dhe raportimin e lëvizjeve të mbetjeve.
 
9. Kërkuesi i autorizimit të importit të mbetjeve jo të rrezikshme duhet të provojë se janë shfrytëzuar të gjitha mbetjet, sipas llojit dhe kodit.
 
10. Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit, miraton listën e mbetjeve, sipas pikës 1, të këtij neni, që lejohen të importohen dhe rregullat për zbatimin e këtij neni, si dhe rregullat e transparencës në lidhje me këtë import.
 
11. Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit, miraton rregullat dhe procedurat për importimin mbetjeve për përdorim, përpunim, riciklim dhe si zëvendësues, për zbatimin e këtij neni.


Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kredimarrësit e këqinj s'do marrin më kredi, si e vlerësoni rregulloren e BSH?



×

Lajmi i fundit

Tiranë/ 39-vjeçarja godet policin dhe punonjësin e sigurisë në spitalin e Traumës, vihet në pranga

Tiranë/ 39-vjeçarja godet policin dhe punonjësin e sigurisë në spitalin e Traumës, vihet në pranga