Kalaja e Rozafës vazhdon të mbetet një nga pikat më tërheqëse turistike në veri të Shqipërisë. Vetëm gjatë muajit maj, monumenti historik është vizituar nga më shumë se 29 mijë turistë shqiptarë dhe të huaj.
Të dhënat janë bërë publike nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër, sipas së cilës numri i vizitorëve në Kalanë e Rozafës ka arritur në 62.748 persona për periudhën 1 janar – 31 maj.
E vendosur në një pikë dominuese mbi qytetin e Shkodrës, kalaja tërheq vizitorë jo vetëm për historinë dhe legjendën e saj të njohur, por edhe për pamjet panoramike që ofron drejt Liqenit të Shkodrës, lumenjve dhe maleve përreth.
Shkodra mbetet një nga destinacionet më të frekuentuara turistike në vend, duke kombinuar trashëgiminë kulturore me natyrën. Të dhënat tregojnë se përveç Kalasë së Rozafës, vizitorët ndalojnë edhe në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi”, Liqenin e Shkodrës dhe Urën e Mesit.
Qyteti shërben gjithashtu si një pikënisje e rëndësishme për turistët që zgjedhin të eksplorojnë Alpet Shqiptare. Destinacione si Thethi, Vermoshi, Razma dhe Shiroka vijojnë të tërheqin vizitorë gjatë gjithë sezonit, falë peizazheve natyrore, bujtinave tradicionale dhe aktiviteteve në natyrë.
Komente








