Mbi “heronjtë” dhe alteregot

Mbi “heronjtë” dhe alteregot

Pluralizmi partiak nënkupton fundin e heroizmit politik, normalizimin e jetës dhe lënien përanash të atyre që, për partinë, “e marrin në ballë!”

Pluralizmi politik, ashtu siç kuptohet sot ky koncept në SHBA dhe Europën Perëndimore, nuk është “mejdan “ heroizmi por debat idesh që e shumta mund të përshkallëzohet në formë protestash paqësore kundër qeverisë, asgjë më tepër. (Revolta e Trampistëve në Capitol Hill nuk është shembull por përjashtim fatkeq nga rregulli, subjekt i një hetimi ende në proces.)

Pamjet e protestës me skenë selinë qëndrore të PD-së u bënë evidencë e qartë e një konflikti jopolitik, betejë brenda tribusë, pjesët e të njëjtit fis vendosën të nxirnin sytë e njeri-tjetrit…Berisha dhe Basha patën përballë vetveten, nisën luftën me alter-egon e tyre.

Basha është fëmija politik i Berishës, kopja e tij e keqe! Ashtu si Zoti mbi baltë, Berisha shkroi tek Basha fytyrën e vet, e gatoi dhe e votoi, para humbjeve dhe pas humbjeve, e ngjizi me pështymë, u përkujdes t’ja pastronte rrugën drejt majës gjer ditën kur e pa veten të humbur.

Berisha është Basha në moshë më të shtyrë…pjese e problemit por kurrsesi jo zgjidhje e tij.

Basha vetë kryeson një pakicë që nuk përputhet as me karriget e sallës së Pallatit të Kongreseve, nuk ka asnjë ide të qarte për të matur numrin e përkrahësve të vet. Logjika e tij e kuantifikimit ngjan me atë të një femije parashkollor: 1, 2, 3….shumë! Gaz Bardhi, Grida, Alibeu….mjaft!

Lider pa popull, rrethuar nga gardianë me hunj në dorë! Tragji-komedia e rradhës—eksporti ynë i pakonkurrueshëm në tregun mediatik të botës.

PD, veçanrisht pas vitit traumatik 1997, ka funksionuar si batalionet e mbrojtjes vullnetare—tipike për një popull me mentalitet zborist. Masa përherë ka pasur nevojë për tabelën e qitjes ku skicohej portreti i armikut të rradhës. Bateritë e rëna karrikoheshin me energjinë e urrejtjes politike e cila pastaj helmatiste tërë shoqërinë.

Në një pluralizëm të vërtetë qeveris mazhoranca por sundon opozita, ngaqë prej ditës së parë pas votimeve nis numërimi mbrapsht. Në Shqipërinë “e sodit” nuk ka opozitë por klane, nuk ka shtëpi lirie kundër tiranisë së mundshme por bunker interesash nga mujsharë të dhunshëm dhe qehallarë “heroikë!”

Zgjidhja e vetme duket themelimi i një lëvizjeje të re politike për të berë opozitën e duhur! E di që kërkoj shumë, ne jemi thjesht Shqiptarë—stilistë të servilizmit heroik!

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kulluri ironizon Korreshin: Që të bëhet deputet, duhet të bëjë vertikalen poshtë ballkonit të Berishës

Kulluri ironizon Korreshin: Që të bëhet deputet, duhet të bëjë vertikalen poshtë ballkonit të Berishës