Rrugën drejt konsensusit 94 vota për ndryshime kushtetuese, PD e PS e nisin me sherr për oraret e mbledhjeve! Opozita largohet sërish nga mbledhja: Vazhdoni vetë nëse i keni numrat

TIRANË- Rrugën drejt konsensusit 94 vota për ndryshime Kushtetuese, që u duhen të dyja palëve për propozimet e tyre, PD-ja dhe PS-ja e nisën me sherr për oraret e mbledhjeve.

Mbledhja e sotme e Këshillit të Legjislacionit, ka përfunduar me largimin e opozitës nga tryeza e diskutimit dhe me debate që në fund nuk prodhuan asnjë vendimarrje konkrete.E gjitha ishte një mosdakordësi për kalendarin e punimeve të këtij Këshillit. Ajo që shkaktoi acarimin e opozitës ishte fakti se përse kryetarja Lindita Nikolla hodhi në votim propozimin e demokratëve për datën dhe orën se kur do të kryhen seancat dëgjimore për 3 propozimet e tyre për ndryshimet në Kushtetutë, sa i përket Vettingut të politikanëve, reformën zgjedhore dhe asaj territoriale. Kjo gjë sipas Bardhi, është e patolerueshme, pasi në këtë rast është opozita ajo që vendosë se kur do të zhvillohen këto seanca.

"Ne vijmë për bashkëpunim, ju thoni seancat dëgjimore të opozitës do i vendosë Toni Gogu dhe Ermonela Felaj, si mund të ndodhë kjo, nuk ndodh dot, seancat dëgjimore do i bëjmë kur të duam ne, jo kur i doni ju, si mund t'ia nënshtrosh votës se kur do bëjë opozita seanca dëgjimore, si duke rakorduar, nëse na doni në tryezë do duhet të bini dakord me ne. Nëse i keni votat për të ndryshuar Kushtetutën vetë atëherë vazhdoni", tha Bardhi. 

Opozitarët kërkuan sërish që ndryshimet në Kushtetutë të propozuara nga PS, për zgjatjen e afateteve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) dhe ato të propozuara nga PD, të trajtohen njëkohësisht, por kjo kërkesë për të dytën mbledhje radhazi nuk gjeti dakordësinë e maxhorancës.

"Ju doni të shqyrtohet nisma juaj apo jo, nëse doni të shqyrtohet na propozoni kalendarin. Nisma juaj nuk është e kundërvërvarur nga e jona, ashtu si e juaja nuk është e ku ndërvarur nga e jona. Këto janë dy nisma që do ndjekin rrugëtimin e tyre", tha përfaqësuesja e PS-së, Emonela Felaj.

"Kolegët kanë një kalendar të propozuar nga ne. Ai është kalendar që e trajton këtë mbledhje të komisionit, jo si mbledhje partizanësh, PS me vete dhe PD më vete. Ky është organ kuvendi, nuk jemi këtu për interesat e partive, por të qytetarëve. Kalendari nuk pengon shqyrtimin e asnjë propozimi ,por harmonizon interesat e secilës palë", tha Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi.

Ndërkohë, edhe më herët, në mbledhjen e kaluar të Këshillit të Legjislacionit, ku u diskutua për zgjatjen e afateve të vettingut,  pati sërish përplasje mes PD dhe PS. Partia Demokratike kërkoi që mbledhja duhet të shtyhet pasi kjo çështje duhet të diskutohet së bashku me propozimin e demokratëve për ndryshime kushtetuese, por nga ana e tyre socialistët që kanë kërkuar zgjatjet të afatit të KPK deri më 31 dhjetor 2024, thonë se kjo çështje nuk pret diskutimet e tjera pasi nuk ka kohë duke qenë se qershori i vitit të ardhshëm mbyll mandatin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, shkallës së parë të vettingut. Pasi nuk morën mbështetjen e socialistëve për këtë PD braktisi mbledhjen .

Kujtojmë se Partia Demokratike ka dorëzuar në Kuvend propozimet për ndryshime kushtetuese që kërkojnë në thelb zhbërje të ndryshimeve kushtetuese të korrikut 2020, që mazhoranca bëri me opozitën parlamentare që nuk ishte PD-LSI, kërkojnë ndryshime në hartën territoriale të Shqipërisë dhe me ndryshime për vettingun e politikanëve, që praktikisht bëjnë një Kushtetutë të re.  Propozimi më i rëndësishëm i PD ka të bëjë me propozimin për veting të politikanëve. Një nismë deri diku të ngjashme me vitin 2018, që u kritikua dhe u hodh poshtë nga Komisioni i Venecias, duke vënë në diskutim vlerën e propozimit dhe theksuar rrezikun për shkeljen e të drejtave të themelore.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:55
S'ka dakordësi për mbledhjen e Këshillit të Legjislacionit, opozita braktis mbledhjen! Bardhi: Keni vendosur që të hidhni në erë dialogun

1635951095_12.jpg

PD ikën nga mbledhja e Këshillit të Legjislacionit. 

"Keni vendosur që të hidhni në erë dialogun, seanca dëgjimore do i bëjmë klur të doni ne, si mund t'uia nënshtrosh votën se kur do të bëhen seancat dëgjimore, nëse na doni në në tryezë do duhet të bini dakord me ne", tha Bardhi. 

Ora 15:50
S'ka dakordësi për kalendarin në mbledhjen e Këshillit të Legjislacionit, Çupi: Njerëzit qeshin kur kujtojnë Ramën që tha 'me opozitën do ketë dialog'

1635951031_12.jpg

Në mbledhjen e Këshillit të Legjislacionit ka pasur debate sa i përket kalendarit të punës, ku palët nuk kanë rënë dakord. Nisur nga kjo mos dakordësi, deputetja e PD-së, Dhurata Çupi, solli në vëmendje deklaratën e kryeministrit Edi Rama për bashkëpunim me opozitën, gjë që sipas saj, nuk po ndodh.

"Njerëzit qeshin kur kujtojnë që Rama tha pas zgjedhjeve se me opozitën do të ketë dialog pa kufij, por para gjithë kohës na dilni dhe thoni kemi votat në komisione", tha deputetja.

Ora 15:21
Këshilli i Legjislacionit/ PD: Propozimet tona për ndryshimet kushtetuese dhe shtyrja e afateve të vetting-ut të ecin paralelisht! PS: Nuk duam të bashkojmë nismat

 

Shqyrtimi i nismës së propozuar nga PD për ndryshimet kushtetuese dhe nisma e PS për zgjatjen e afateve të vettingut është bërë sërish objekt përplasjeje mes opozitës dhe maxhoranxës. Deputetja e PS-së, Ermonela Felaj i kërkoi opozitës që të rishikojnë kalendarin e punimeve, pasi nuk dua që t’i bashkojnë të dyja nismat. Por ashtu siç ka deklaruar edhe më parë, PD nuk ka rënë dakord me këtë propozim. Sekretari i Përgjithshëm i demokratëve, Gazment Bardhi tha se dy nismat duhet të ecin paralelisht.

Pjesë nga debati: 

Ermonela Felaj: Kalendari i punimeve përkon pikë për pikë me kalendarin e punimeve për nismën që ka propozuar PS. Ne nuk duam të bashkojmë dy nismat. Unë iu ftoj kolegët që ta rishikojnë kalendarin dhe në mbledhjen tjetër ne ta miratojmë.

Gazment Bardhi: Ne nuk biem dakord që ndryshimet në kushtetutë kanë karakter teknik. Nuk është dokument teknik dhe si e tillë nuk mund të ketë ndryshime kushtetuese të karakterit teknik. Rregullorja e kuvendit e bën të qartë afatin. Të dyja nismat duhet të ecin paralelisht sepse momenti që miratohet raporti nga kjo mbledhje duhet ti nënshtrohet shqyrtimit në seancë. Nëse nuk ecin paralelisht i bie që në dhjetor të shqyrtojë çështjen e parë dhe pas dy javës të mbledhim prap në seancë plenare dhe të bëjmë një ndryshim në kushtetute. Kjo nuk është serioze. Nuk ka asnjë shpjegim që të martën ti thërrasim për një iniciativë, të mërkurën të vijmë prap për tjetrën.

Enkelejd Alibeaj: Ka diçka që nuk është keqkuptim, që nuk është se nuk janë marrë vesh, ka diçka që nuk shkon, që përderisa bëhet fjalë për të ndryshuar të njëjtin tekst ligjor që është Kushtetuta dhe ka paralelisht 2 iniciative dhe kur rregullorja thotë që shqyrtohen në një mbledhje të përbashkët, ka diçka, dhe duhet të jemi të sinqertë, pse e bëni juve këtë, pse nxituat juve dhe nuk pritët deri sot që të caktonit në mënyrë të njëanshme kalendarin e punimeve për punimet e iniciativës tuaj, që iniciativa juaj të diskutohet në ditët tek dhe e jona në ditët çift, për një arsye të thjesht, kur do të diskutojmë në ditën tek ju do thoni "kemi vetëm zgjatjen e afateve", po i fshiheni pa elegancë një qëndrimi, refuzoni që në fillim iniciativën tonë dhe nuk po e bëni këtë hapur, po i fshiheni duke thënë që kalendari ynë është ky, të hënë, të mërkurë të premte, nuk doni të diskutoni për iniciativën tonë, kjo është t'i fshiheni përgjegjësisë suaj, nuk iu kërkojmë që të pranoni që tani iniciativën tonë, jo, nuk e kemi mandej këtë dëshirë, në fund, pasi të diskutohet secili ka qëndrimin e vet politik dhe individual.

Lindita Nikolla: Duke i dhënë ton recitativ, jo domosdoshmërish është argument. Ky kalendar që ju keni propozuar, i mbyll rrugën nismës tuaj, kërkesa është që ne të rakordojmë datat që dhe përfaqësuesit e mazhorancës të jenë prezent në respekt të nismës suaj, nuk mund të ndodhen në 2 mbledhje për çështje të ndryshme një person. Çështja është shumë e thjeshtë, rakordojmë kalendarin, në mënyrë që të vijomë 2 nismat në mënyrë serioze.

Ora 15:18
Këshilli për Legjislacionin, Mediu: Kushtetuta s'është mall i deputetëve! Për të bërë ndërhyrje duhet të përfshijmë edhe konstitucionalistë ndërkombëtarë

 

Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, parimisht ra dakord me Partinë demokratike për ndryshimet kushtetuese të kërkuara, por theksoi se me rëndësi është të mendohet mënyra si do të kryhen këto procese. Gjatë fjalës së tij në Komisionin për Legjislacionin, Mediu u shpreh se Kushtetuta nuk është pronë e deputetëve dhe se duhet patur kujdes kur bëhen ndryshime në ligjin themeltar pasi mund të ketë pasoja afatgjata. Ai propozoi që për të bërë ndërhyrjet në Kushtetutë, të përfshihen edhe konstitucionalistë ndërkombëtarë.

"Nuk i heq asnjë presje qëndrimeve të PD, por dua të shpreh qëndrimin tim. Duhet të kuptojmë se cili është roli i deputetëve. Kushtetuta është pronë e qytetarëve, jo mall i deputetëve dhe duhet të konsiderojmë që nuk është një nen në vete dhe ndërhyrjet spontane nuk shërbejnë. Iniciativa e PD e PS kërkojnë një shqyrtim të përbashkët për mënyrën e funksionimit të kushtetutës. Duhet të kemi kujdes që kur fusim duart te ligji themeltar se mund të ketë pasoja afatgjata, se ndodh si me reformën në drejtësi. Në ndërhyrjet në kushtetutë duhet të përfshijmë konsitucionalistë ndërkombëtarë, të krijojmë një asamble kushtetuese që të miratojë ndryshimet kushtetuese një herë e mirë", tha Mediu.

I.K/KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Moti i keq, frika nga reshjet e dendura, bashkia Vlorë bën thirrje qytetarëve: Mos parkoni makinat në këto zona

Moti i keq, frika nga reshjet e dendura, bashkia Vlorë bën thirrje qytetarëve: Mos parkoni makinat në këto zona