Debate në Komisionin Hetimor për 25 prillin, PS del 2 herë nga mbledhja por PD vijon pa mazhorancën! Kuvendi i heq sinjalin e transmetimit televiziv

Edhe këtë herë e treta nuk ishte e vërteta! Edhe pse e nisën me diskutime me tona të qeta apo me premtime të ndërsjellta për respektim etike dhe morali sërish ndarja e madhe për një rend dite e prishi edhe mbledhjen e tretë të Komisionit Hetimor për zgjedhjet e 25 prillit.

PS hyri e doli 2 herë nga mbledhja, për shkak të mos-dakordësisë për rendin e ditës dhe rregulloren, teksa PD e vijonte e vetme, ndërkohë që mazhoranca dhe administrata e Kuvendit i kërkonte ndërprerje pasi nuk kishin kuorum. Pas debateve, në fund Kuvendi i ndërpreu sinjalin e transmetimit për mediat. Ishte vetë Drejtoresha e Shërbimeve të Komisioneve Parlamentare, Lefterie Luzi, ish-kryetare e KQZ, e cila i paralajmëroi fillimisht deputetët e opozitës që të linin mbledhjen.

Por kjo nuk i ndali 'stoikët' e opozitës që vijuan vetë diskutimet, duke e transmetuar mbledhjen në faqen zyrtare të PD në Facebook. Ata evidentuan gjetjet e tyre për shkeljet e 25 prillit dhe njoftuan se do të kërkojnë informacion nga instutucionet lidhur me përdorimin e të dhënave personale nga patronazhistët, përdorimin e fondeve publike në fushatë.

Pavarësisht diskutimeve pa prezencën e anëtarëve socialistë, Komisioni Hetimor nuk mundi të miratojë deri në fund rregulloren dhe zgjedhjen e sekretarit.

Kryeministri Edi Rama, zv.kryeministri Arben Ahmetaj, 4 ministra dhe drejtuesit e institucioneve kryesore ligjzbatuese në vend, do të thirren si dëshmitarë në Komisionin e Posaçëm Hetimor të ngritur këtë të hënë, për parregullsitë në procesin zgjedhor të 25 prillit.

Drejtorë e ish-drejtorë policie, drejtues të 61 bashkive, Agjencisë Shtetërore të Kadastrës dhe AKSHI-t, do të duhet të përgjigjen para 15 deputetëve, lidhur me pretendimet e Partisë Demokratike, për manipulim të vullnetit të zgjedhësve.

Ndër çështjet kryesore që do të trajtojë ky komision me afat 3-mujor do të jenë patronazhistët, shpërndarja e fondit të rindërtimit gjatë periudhës zgjedhore, tenderat publikë si edhe punësimi i 13 mijë individëve në administratë. Të gjitha këto, nga demokratët konsiderohen si përdorim i pushtetit në funksion të shit-blerjes së votës. Në funksion të këtij objekti hetimor, do të kërkohen informacione në 19 institucione shtetërore duke përfshire edhe medota e tjera hetimor, përfshirë kqyrjen, kontrollin apo sekuestrimin e akteve pranë institucioneve përgjegjëse.

 

VIDEO/ PD vijon komisionin

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:07
PS braktisi komisionin për 25 prillin, Alibeaj: Duan të minojnë hetimin! Administrata e Kuvendit u soll si kamikaz

Enkelejd Alibeaj, pas mbylljes së Komisionit Hetimor për zgjedhjet e 25 prillit, tha se PS e ka braktisur këtë komision 3 herë me qellin e vetëm për të penguar veprimtarinë e saj. Ai tha se dhe administrata e Kuvendit u sol si kamikaz duke i ndërpre punë dhe fikur sinjalin televiziv.

“Për të penguar punët e komisionit dhe veprimtarinë e saj për të hetuar iku për herë të tretë. Administrata e Kuvendit u fut në mënyrë kamikazë për të ndërprerë punën e komisionit.  Duan të minojmë procesin e hetimit, por nuk kanë për t’ia dalin, dëshmitarët dhe provat do të merren dhe do të thirren në bazë të ligjit. E drejta e çdo deputeti për te kërkuar prova dhe dëshmitarë miratohet pa votim, PS kërkon që këtë të bej më votim me shumicën e socialistëve”, tha Alibeaj.

Ora 14:00
Pas bojkotit në Komision, Gjylameti: Alibeaj po shkel ligjin, do kërkojmë masa disiplinore

Pas bojkotit të komisionit hetimor, anëtarja Partisë Socialiste në këtë komision, Blerina Gjylameti akuzoi kryetarin e komisionit Enkelejd Alibeaj se po shkel ligjin duke vendosur në rrezik veprimtarinë hetimore. Gjylameti tha se maxhoranca po konsultohet me ligjin dhe rregulloren, për të propozuar masa disiplinore për kryetarin e komisionit.

 'Jemi të gatshëm të hetojmë për të rritur besimin e qytetarëve shqiptarë në proceset zgjedhore. Por fakti që Komisioni Hetimor është iniciuar dhe është ngritur me kërkesë të Partisë Demokratike, nuk do të thotë që Kuvendi mund të kthehet në seli partiake.

Sot sikundër edhe e transmetuar në media, kryetari ka uzurpuar për të disatën herë kompetencat e komisionit duke vijuar në mënyrë arbitrare duke shkelur ligjin për Komisionet Hetimore, rregulloren e Kuvendit, duke mos hedhur në votim sipas radhës atë që ligji dikton. Së pari miratimin e Sekretarit.

Është mbledhja e katërt sot dhe ndërkohë ende nuk kemi votuar dhe nuk kemi miratuar Sekretarin e Komisionit Hetimor.

Së dyti miratimin e rregullores e mandej të vijonim me kërkesat për marrjen e provave.

Në kushtet e kësaj paligjshmërie kërkuam sipas rregullores 5 minuta pushim me shpresën që do të gjenim dakordësinë për të vijuar dhe për të kthyer Komisionin në shinat e ligjshmërisë.

Kërkesa jonë për pushim jo vetëm nuk u pranua por kryetari vijoi mbledhjen në kundërshtim të hapur me rregulloren e Kuvendit sa i takon kuorumit për vlefshmërinë e kësaj mbledhje.

Në këtë mënyrë jo vetëm vijohet nga ana e kryetarit arbitrariteti dhe paligjshmëria në drejtimin e Komisionit Hetimor, por rrezikohet seriozisht dhe veprimtaria e tij, pas çdo veprimi apo vendimi në kushtet kur mbledhja nuk ka kuorum.

Kryetari abuzon me procedurën në kurriz të asaj që pret i gjithë opinioni publik shqiptar. Një pyetje kemi: e kanë seriozisht hetimin e zgjedhjeve parlamentare këta? Apo e kanë si justifikim për të justifikuar humbjet e njëpasnjëshme?

Ne si maxhorancë po konsultojmë ligjin për komisionet hetimore, rregulloren e Kuvendit dhe kodin e sjelljes, për të propozuar masa disiplinore për kryetarin e Komisionit, në mënyrë që ky Komision të kthehet më në fund në shinat e ligjshmërisë.”- tha Gjylameti.

Ora 13:14
Kuvendi i ndërpreu sinjalin, PD transmeton në Facebook mbledhjen e Komisionit Hetimor për 25 prillin

 

Ndërprerja e sinjalit nga Kuvendi nuk ka penguar PD të vijoj me mbledhjen e Komisionit Hetimor për zgjedhjet e 25 prillit. Mbledhja po transmetohet live në faqen zyrtare të PD në facebook, ku deputetët e PD po bëjnë raportim mbi provat e mbledhura për shkeljet e pretenduara gjatë zgjedhjeve parlamentare.

Ora 12:35
PS u largua, Kuvendi i ndërpret sinjalin Komisionit Hetimor për 25 prillin, Alibeaj i paralajmëroi: Do ju kallëzoj penalisht (VIDEO)

Kuvendi i ka ndërprerë sinjalin e transmetimit Komisionit Hetimor për 25 prillin, pas largimit të PS nga mbledhja. Drejtoresha e shërbimeve të Komisioneve Parlamentare, Lefterie Luzi u fut në mbledhje duke i kërkuar Alibeaj ta ndërpriste pasi nuk plotësonte kuorumin pas largimit të PS. Nga ana tjetër, Alibeaj tha se çdo ndërprerje e sinjalit është e paligjshme duke kërcënuar se do të kallëzojë penalisht Luzin dhe ata që 'kanë dhënë urdhrin e paligjshëm'.

"Mbledhja ka filluar, e deklaron kryetari, keni detyrë ta transmetoni deri në fund kur ta deklarojë kryetari. Nëse merrni urdhra të paligjshëm për të ndërprerë sinjalin televiziv, do bëj deri kallëzim penal. Mos u bëni pengesë as ju administrata për pengimin e mbledhjes. Kush je ti që vjen këtu? Do të ketë kallëzim për të gjithë, nga i pari deri në fund. Zonjë po shkel ligjin, do të të çoj në kallëzim penal. Garda, zonja nuk është deputet , nxireni nga salla", tha Alibeaj.

Megjithatë kjo nuk u morë për bazë nga Kuvendi, duke ndërprerë sinjalin.

Debati me punonjësit e Kuvendit
Ora 12:00
Komisioni për 25 prillin, Bardhi bie dakord me propozimin e maxhorancës: Të votojmë për Klevis Xhoxhin si sekretar

 

Gazment Bardhi ka rënë dakord me kërkesën e maxhorancës në Komisionin Hetimor për 25 prillin, duke kërkuar që të zgjidhet Sekretari edhe pse nuk është miratuar ende rregullorja e brendshme. Ai ka kërkuar që të nisë votimi për emrin e Klevis Xhoxhit të propozuar nga PS dhe miratimi për rregulloren e Komisionit të lihet pikë e fundit, duke qenë që ka debat.

"Jemi marrë peng dhe nuk po vazhdojmë dot përpara. Të hedhim në votim sekretarin dhe më pas rezervoj të drejtën për të marrë fjalën. Ju kërkuat në zgjedhjen e kaluar, zonja Bushka që zoti Klevis Xhoxhi të jetë sekretari i komisionit, unë propozoj ta hedhim në votim dhe ta votojmë. Më pas rregulloren ta lemë si pikë të fundit duke qenë që ka debat. Të vendosim normat dhe rregullat. Qytetarët nuk janë të interesuar fare për shkeljet e nenit. Hajde të miratojmë planin e hetimit", tha Bardhi.

Ora 11:37
Komisioni për 25 prillin, Gogu-Alibeajt: Mblidhni veten dhe filloni drejtoni! Sot të zgjidhet Sekretari dhe të miratojmë rregulloren e brendshme

 

Me akuza, por të artikuluara me tone të qeta, ka nisur Komisioni Hetimor për zgjedhjet e25 prillit ditën e sotme, ku nënkryetari Toni Gogu iu drejtua kryetarit Enkelejd Alibeaj duke i kërkuar të 'mbledhë veten' dhe të drejtojë Komisionin. Ai ka kërkuar që rendi i ditës të hidhet në votim dhe pjesë e të jenë edhe zgjedhja e Sekretarit të Komisionit dhe miratimi i rregullores së brendshme.

"Mblidhni veten, vini rregull në këtë komision pasi nuk na ndaloni të përcaktojmë rregulloren e brendshme të këtij komisioni, Ky komision ka nevojë të miratojë rregullat e nevojshme për funksionimin e tij. E keni futur në udhëkryq veprimtarinë e këtij komisioni. Mblidhni veten dhe filloni të drejtoni. Nëse duam që hetimi për 25 prillin të bëhet realitet dhe jo show politik, nevojitet drejtim. Synimi juaj i vetëm duhet të jetë shterimi i rendit të ditësh dhe mbarëvajtja e mbledhjes, vetëm kështu do të largoni çdo njëanshmëri. Objektivi i këtij komisioni është hetimi dhe jo debati me ne. Hetimi që kërkohet nga ne është tërësi veprimesh pa marër të pandehur dh epa marrë të pandehur, vetëm duke hetuar mbështetur mbi prova do mund të verifikojmë veprimet tuaja. Nuk duhet të hyjmë në kompetencat e organeve të tjera. Duhet  t'i japim drejtim situatës ku ndodhemi duke respektuar njëri-tjetrin, por mbi të gjitha ligjin. Hidhni në votim rendin e ditës, aty të jetë zgjedhja e sekretarit dhe të hartojmë e miratojmë rregulloren e brendshme të komisionit", tha ai.

K.T./M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

Hetimet e SPAK mbi Kadastrën, arrestohen dy persona për ushtrim të ndikimit të paligjshëm

Hetimet e SPAK mbi Kadastrën, arrestohen dy persona për ushtrim të ndikimit të paligjshëm