Një orë mbledhje, Këshilli Politik diskutime teknike për marrëveshjen e arritur! 5 çështjet ende për t'u diskutuar

TIRANË- Një orë ka zgjatur mbledhja e zhvilluar pasditen e sotme të Këshillit Politik në Pallatin e Kongreseve, ku takimi ka qenë vetëm për çështje teknike dhe për të mbyllur formalisht marrëveshjen e arritur një ditë më parë.

Në mbledhjen e sotme në fokus ishte përshtatja në shqip e marrëveshjes së arritur, teksti i së cilës u firmos nga palët në anglisht si dhe plotësimi i kuadrit të plotë ligjor me ndryshimet ligjore për t'u votuar më pas në Kuvend. Teksti i marrëveshjes u formula nga ndërkombëtarët në gjuhën angleze që tregon edhe rolin e tyre përcaktues në këto negociata, ku në fund pas dakordësisë palët hodhën firmën.

Pas mbledhjes PD/LSI dhe Rudina Hajdari nuk u prononcuan për mediat, ndërsa Damian Gjiknuri tha shkurt se 'kjo mbledhje ishte teknike për të organizuar punën e ekspertëve sa i përket hartimit të draftit përfundimtar dhe brenda pak ditësh do të shkojë për votim në Kuvend"

Këshilli Politik do të vijojë të mblidhet për draftet që do të zbërthejnë marrëveshjen dhe 5 çështjet e dakortësuara më herët për përpilimin e saktë të tyre që janë:

-Financimi i partive: Për financimin e partive palët ranë dakord që të rritet financimi nga shteti dhe të ulet financimi nga privati, por ende nuk është arritur në një marrëveshje se sa përqind do të ndryshojë ajo.

-Kuota gjinore: Dakordësi është arritur edhe për kuotën gjinore ku 1 nga 3 emra në listat e kandidatëve është vendosur të jetë grua.

-Roli i policisë në zgjedhje: Konsensus është arritur edhe për rolin e policisë në zgjedhje, ku prania e saj do të jetë gjatë gjithë procesit zgjedhor edhe të numërimit të votave.

-Hetimi i krimeve zgjedhore nga SPAK: Gjithashtu është rënë dakord mes palëve që krimet zgjedhore të hetohen nga SPAK, ndërsa Kolegji Elektoral do të zgjidhet nga gjykatësit që kanë kaluar procesin e vettingut.

-Sistemi i monitorimit me kamera: Është dakordësuar edhe për sistemin e monitorimit të kamerave gjatë procesit të votimit dhe numërimit. 

Ndërsa për listat e hapura dhe ligjin e referendumeve, palët vendosët që do ta diskutonin në një fazë të dytë pas plotësimit të rekomandimeve të ODIHR-it, për të cilën Rudina Hajdari u shpreh se ka marrë dhe garancinë e ndërkombëtarëve.

Një tjetër pikë e rëndësishme është edhe vota e emigrantëve, që i është lënë në dorë KQZ për të vendosur mënyrën se si do ta organizojë atë.

Po çfarë u arrit në draftin e firmosur mbrëmjen e 5 qershorit nga palët e Këshillit Politik? Drafti i marrëveshjes i zbardhur nga Report Tv përmban 12 pika, ku çështjet janë nga identifikimi biometrik ku është rënë dakord që ajo të shtrihet në të gjithë territorin dhe do të jenë ekspertët ndërkombëtar që do të vendosin nëse ajo të jetë teknikisht i arritshëm, struktura e KQZ anëtarët e së cilës do të pranohen sipas raportit maxhorancë-minorancë ndërsa në grupet e numërimit do të jenë dy grupe zyrtarësh jo-politikë, një prej të cilëve numëron dhe tjetri asiston dhe ndërrojnë rolet me çdo kuti votimi. Anëtarët e tjerë do të jenë ose dy monitorues një nga pushteti e një nga opozita , ose një monitorues nga secila prej katër partive kryesore parlamentare nga zgjedhjet e 2017. Ndërsa një nga pikat që ndante palët që ishte depolitizimi i administratës zgjedhore, nuk do të ketë ndryshime.

Drafti i plotë i reformës zgjedhore

1.Identifikimi elektronik: ODIHR rekomandon futjen graduale dhe ka sugjeruar në komentet për Këshillin se çdo tranzicion drejt identifikimit elektronik, votimit apo numërimit, duhet të nisë me një program pilot që përbëhet nga jo më shume se 20 % e votuesve të sugjeruar nga Këshilli. Gjithsesi palët zotohen të mbështesin implementimin e identifikimit elektronik të 100 % të votuesve në zgjedhjet e ardhshme, nëse është teknikisht i arritshëm. Kjo mundësi do të përcaktohet nga ekspertiza ndërkombëtare e mbështetur nga KQZ. Qeveria e Shqipërisë garanton fondet në kohë për zbatimin, aq sa është i mundshëm.

2.KQZ do të ketë një zv. komisioner që do të drejtojë përcaktimin e mundësisë për identifikimin biometrik të votuesve. Zv. komisioneri do të ketë përgjegjësi të përbashkët e të barabartë me kryetarin për zgjedhjen, monitorimin dhe zbatimin e identifikimit biometrik të votuesve. Zëvendësi do të monitorojë, mbikëqyrë rekrutimin e trajnimin e komisionerëve, i ndihmuar nga një ekspert ndërkombëtar. Një tjetër ekspert ndërkombëtar do të mbështesë KQZ në trajnimin për procedurën.

3.Struktura e KQZ do të përbëhet nga pesë anëtarët e rregullt, apeli nga pesë anëtarë, një zyrtar ekzekutiv dhe një zv. ekzekutiv. Anëtarët do të pranohen sipas raportit maxhorancë-minorancë në trupat e rregullt dhe ato të apelit. Komisioneri shtetëror do të zgjidhet me anë të konsultimeve.

4.Grupet e numërimit: Dy grupe zyrtarësh jo-politikë, një prej të cilëve numëron dhe tjetri asiston dhe ndërrojnë rolet me çdo kuti votimi. Anëtarët e tjerë do të jenë ose dy monitorues një nga pushteti e një nga opozita , ose një monitorues nga secila prej katër partive kryesore parlamentare nga zgjedhjet e 2017.

5.Qendrat e votimit: Dy anëtarë të komisionit me të drejta të kufizuara për monitorim dhe kontestim te drejte nga pushteti dhe opozita, dhe tre te emëruar me lotari nga KQZ, e cila do të veprojë si kryetare në marrjen e vendimeve. Dy të tjerë do të shërbejnë si asistente, pa të drejtë vote.

6.ZEZ do të jetë strukturë e njëjtë si qendra e votimit

7.Kolegji elektoral do të zgjidhet nga gjykatësit që kanë kaluar procesin e vetingut.

8.Procesi i Apelit: Kolegji Elektoral që dëgjon apelimet mbetet i pandryshuar (degjon apelimet që nuk nisin në Gjykatën Kushtetuese)

9.Depolitizimi: Nuk do të ketë ndryshime në administratën elektorale për zgjedhjet e ardhshme (parlamentare e lokale) Punonjësit e sektorit publik mund të jenë pjesë e administratës elektorale të zgjedhjeve duke nisur nga zgjedhjet e pritura. Reforma në vijim e administratës në Shqipëri do të përforcojë fokusimin e saj në depolitizimin e shërbimit publik.

10. Përshtatja: Të gjitha propozimet do të hartohen në amendamente ligjore që do të rivlerësohen e kontrollohen nga Këshilli Politik, në mënyrë që  të reflektojnë marrëveshjen para se ajo të kalojë në Parlament dhe pa ndryshime apo amendamente të tjera. Në rast të korrektimeve teknike të propozuara, ato duhet të aprovohen nga Këshilli Politik, para votimit.

11. Masa shtesë: Këshilli Politik do të vazhdojë të diskutojë me mirëbesim për të arritur zgjidhje të pranueshme dhe rekomandimet e ODIHR në lidhje me: blerjen e votës, presionin ndaj votuesve dhe administratës, keqpërdorimin e administratës, bashkëpunimin me grupet kriminale, lirinë apo fshehtësinë e votës  apo manipulimin e rezultateve

12. Pikat e 1,2,3 7,8,9, 10 e 11 dhe shënimet më poshtë hyjnë në fuqi për zgjedhjet e pritura parlamentare e lokale. Pikat 4,5,6, hyjnë në fuqi për zgjedhjet e ardhshme parlamentare e lokale

I.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • www.youngtribune.com: 07/06/2020 01:07

    Tryeze kur nuk perfshihet edhe ajo opozite qe miraton ligje ne parlament nuk e di.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Gili dhe Redoni tërhiqen nga gara, Egli në lot, ja si reaguan banorët e tjerë

Gili dhe Redoni tërhiqen nga gara, Egli në lot, ja si reaguan banorët e tjerë