McCormack: Asnjë kompromis
në monitorimin e zgjedhjeve

McCormack: Asnjë kompromis<br />
në monitorimin e zgjedhjeve
TIRANE- Conny McCormack, kryevëzhguesja e misionit të OSBE-ODIHR në Shqipëri, në intervistën e saj të parë televizive dhënë gazetarit të “Top-Channel” Muhamed Veliu, përcjell mesazhin se ajo dhe ekipi i saj nuk do të influencohen nga askush. McCormack thekson se nuk do të ketë asnjë kompromis në deklarimin e fakteve gjatë ditës së votimit, për procesin e numërimit dhe rezultatin. Kryevëzhguesja e OSBE-ODIHR tregon se për momentin janë duke mbledhur informacion nga terreni bazuar në fakte, i cili është duke u përpunuar dhe do të paraqiten në raportin e ndërmjetëm pas dy javësh.
 
Zonja McCormack çfarë ju shtyu të aplikonit për pozicionin e kryevëzhguesit të misionit të ODIHR për zgjedhjet e 23 Qershorit në Shqipëri?
 
Gjithmonë kam qenë e interesuar të punoj me OSBE-në. Kurrë në të shkuarën s’kam punuar për ODIHR, kështu që ishte një mundësi e mirë për të patur një qasje të re me procesin, pasi kam kryer shumë misione vëzhgimi apo vlerësime paraprake zgjedhjesh për organizata të tjera. Mendova se do të ishte diçka e mirë që të kisha komponent në CV-në time.
 
Në këtë fazë të procesit zgjedhor, partitë politike dhe KQZ janë aktorët kryesorë të zgjedhjeve. Gjatë dy javëve të qëndrimit tuaj në Shqipëri, çfarë opinioni keni krijuar për mënyrën sesi po përgatitet procesi zgjedhor? A po e luajnë mirë aktorët rolin që u ka caktuar Kodi?
 
Siç edhe ju e dini ne kemi një prezencë të gjerë të ODIHR me një ekip prej 15 ndërkombëtarësh nga 14 vende anëtare. Ne kemi analistë të zgjedhjeve, të medias, për çështjet ligjore. Unë kam zhvilluar takime me liderët e partive kryesore. Ne jemi duke mbledhur informacion nga terreni bazuar në fakte, i cili është duke u përpunuar. Kjo është ajo që ne bëjmë pasi puna e ODIHR bazohet në fakte dhe evidenca. Ne nuk formojmë opinionin tonë kaq herët, por natyrisht tani jemi duke mbledhur të dhëna të mjaftueshme, të cilat do t’i publikojmë në raportin e ndërmjetëm pas dy javëve. Do të gjeni në këtë raport të ndërmjetëm shumë informacione.
 
Ku do të fokusohet më së shumti ky raport?
 
Kjo është ajo që ODIHR bën. Ne do të qëndrojmë këtu për dy muaj me qëllim mbledhjen e informacionit që nga fushata elektorale, për trupën elektorale ku përfshihet natyrisht edhe KQZ-ja, administrimi i zgjedhjeve, regjistrimi i votuesve, lista e kandidatëve, procesi paszgjedhor. Pra ne jemi këtu deri me 9 Korrik për të ndjekur edhe procesin e ankimimeve. Gjithashtu jemi duke ndjekur edhe dy projektet pilot që lidhen me përdorimin e elektronikës në këto zgjedhje. Është një proces gjithëpërfshirës dhe i detajuar.
 
Ju keni zhvilluar takime me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, në fakt me një pjesë të tij, pasi ky institucion nuk është i plotë. Në çfarë konstatimesh keni arritur gjatë këtyre dy javëve për punën që po bën KQZ si administruese e procesit zgjedhor?
 
Natyrisht që aspekti i zbatimit të ligjshmërisë së Kodit Zgjedhor është një tjetër aspekt që ne shikojmë. Është njëri prej shumë aspekteve që ne shikojmë. Deri në këto momente ka situata të cilat nuk janë ekzaktësisht në përputhje me Kodin.
 
Në këndvështrimin tuaj, a mund të realizohen zgjedhje të lira dhe të ndershme me një KQZ të cunguar, ku opozita nuk është e përfaqësuar?
 
Natyrisht që problemi me shumicën e cilësuar të KQZ-së është në mendjen e të gjithëve, përfshi çështjen e pasjes së votave për ato vendime që kërkojnë 5 vota dhe tani nuk është e mundur. Ne jemi duke mbledhur informacion. Po vëzhgojmë vendimet që merren, për të parë se cilat prej tyre janë në përputhje me kodin dhe cilat duhet të kenë 5 vota, pra një shumicë të cilësuar. KQZ-ja do të jetë pjesë e raportit tonë të ndërmjetëm. Ne padyshim do të flasim qartësisht për këtë, pasi siç e thashë, KQZ-ja është në mendjen e të gjithëve, pasi është komponenti kryesor dhe ky aspekt do të vlerësohet.
 
Sipas përvojës suaj, cila do të ishte zgjidhja më e mirë për këtë situatë?
 
Është njëri prej aspekteve të zgjedhjeve. Ne shikojmë të gjitha aspektet. Ne shikojmë të gjithë administrimin e zgjedhjeve që nga numërimi, procesi i votimit që është çelësi i të gjithë procesit përfshi transparencën në të cilën zhvillohet transmetimi i rezultateve, nëse shkon apo jo në mënyrë të saktë. Padyshim që aspekti ligjor është një aspekt me rëndësi i procesit. Këto momente janë shumë njerëz që po përpiqen të gjejnë një zgjidhje të situatës me KQZ-në. Natyrisht do të ishte shumë më mirë pasja e një trupe të plotë të KQZ-së. Po funksionon tani. Për ta vlerësuar punën e KQZ-së duhet të presim edhe gjatë procesit.
 
Ju keni vëzhguar me dhjetëra procese zgjedhore. Ju lutem, mund të më rendisni konkretisht se çfarë standardesh duhet të përmbushë Shqipëria që në raportin përfundimtar të OSBE/ODIHR të shkruhet se, Shqipëria përmbushi standardet më të larta demokratike për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme?
 
Ky është misioni i 11-të i ODIHR në Shqipëri. Kemi shumë eksperiencë këtu. Ne nuk bëjmë krahasime me zgjedhjet e shkuara për të thënë që këto ishin më të mira se ato të tjerat. Nuk kemi një peshore të bardhë apo të zezë për të thënë ishin të lira dhe të ndershme. Ne shohim angazhimet e OSBE-së, standardet ndërkombëtare përfshi legjislacionin kombëtar. Pra janë shumë aspekte për t’u parë, prandaj ODIHR ka një reputacion kaq të mirë, pasi ne bazohemi vetëm në fakte, jemi asnjanës duke parë çdo zgjedhje në bazë të meritës së tyre. Nuk kemi një peshore për të thënë ato zgjedhje ishin më të mira se këto. Shikojmë atë që ndodh me këto zgjedhje në këtë kohë.
 
Asambleja Parlamentare e OSBE-së, përfaqësohet në këtë mision vëzhgimi nga Roberto Batelli. Mund të çuditeni nga pyetja ime, por jam i detyruar t'ju pyes, për shkak të sensibiliteve qe ka shkaktuar ky emër. Zoti Batelli njihet si mik i ngushtë i një anëtari tjetër të asamblesë, Wolfgang Grossruck, i cili është mik personal i kryeministrit Berisha. Për shqiptarët të tilla njohje kanë rëndësi. Ndoshta nuk funksionon kështu në SHBA, Austri, Britani apo Francë. Por dua t'ju pyes hapur. A keni besim në paanshmërinë e zotit Batelli? Sa do të ndikojnë miqësitë e kryeministrit në raportin përfundimtar të OSBE-ODIHR?
 
Partneriteti mes Asamblesë Parlamentare të OSBE-së dhe ODIHR-it, është ndërtuar me ardhjen e një misioni të shkurtër dy javor vlerësimi prej tyre. Ata janë shtesë, ndërsa ne jemi për 8 javë. Ne shpresojmë të kemi një bashkëpunim të mirë dhe një qëndrim. Ky është synimi ynë që është gjithmonë një sfidë. Janë edhe grupe të tjera vëzhgimi përfshi atë të Këshillit të Europës, përfshi ata të Parlamentit Europian. Do të jetë një prezencë e gjerë ndërkombëtare vëzhgimi. Unë personalisht jam takuar me zotin Batelli. Ishte një takim i mbarë dhe unë u ndjeva se kemi nisur një bashkëpunim të mirë. Duhet të presim ende për të patur një përgjigje të pyetjes tuaj.
 
Kush do ta ketë fjalën e fundit vlerësuese për zgjedhjet. Ju apo zoti Batelli?
 
Kjo vlen për t’u parë apo jo? Le të presim kur raporti paraprak do të publikohet një ditë pas zgjedhjeve. Kuptoj nga njerëzit e ODIHR, se është një raport që lexohet fjalë pas fjale. Besoj se do të ketë një negocim për atë. Ne shpresojmë të prezantojmë një raport unanim gjatë konferencës për shtyp. Do të doja t’ju them ju se ODIHR nuk do të lejojë asnjë kompromis. Nëse do të kemi gjetje të cilat duam t’i themi ju do t’i dëgjoni ato.


Marre nga Top-channel

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës