Kombëtarja shqiptare e futbollit ka kryer sot stërvitjen e parë nën drejtimin e trajnerit të ri Edy Reja. Në Durrës, nën urdhërat e 73-vjeçarit italian kanë qenë 10 lojtarët paraprakë të cilët kanë mbyllur angazhimet me klubet e tyre dhe po stërviten për të qenë në formë. Ndërkohë që së bashku me ta janë edhe një numër prej 12 lojtarësh nga U-21.

Mediat kanë qenë prezente vetëm në 15 minutat e para të stërvitjes, kur  lojtarët bënin disa ushtrime me topin, dhe pikërisht për këtë gjë, ishin ndihmësit e Rejës që kërkonin më shumë shpejtësi në lëvizjen dhe pasimet e topit.

Gjatë stërvitjes ekipi ka qenë i ndarë në tre grupe të cilët kanë kryer ushtrime të ndryshme. Në mbikëqyerje të grupeve kanë qenë Hamdi Salihi, tashmë ndihmës-trajner në përfaqësuese, një tjetër nga Ervin Bulku, edhe ky po në të njëjtin pozicion, ndërsa grupi i tretë vëzhgohej nga Serxhio Porrini, ish-mbrojtësi i Juves, tashmë në stafin e Rejës.

E veçanta e kësaj stërvitje ishte se ajo është monitoruar nga një dron i cili kishte për qëllim për t’i ofruar pamjet në një moment tjetër trajnerit Edy Reja, për të bërë një analiz më të detajuar të lojtarëve.

Ndërkohë vetë trajneri gjatë stërvitjes i është drejtuar lojtarëve duke iu thënë: “Merrni kohë dhe bëjini ushtrimet sa më mirë”.