Sali Berisha po luan kartën greke dhe antikombëtare, duke bërë aleancë me Fredi Belerin, ndërsa Kisha Autoqefale Ortodokse u përfshi në një provokim të tmerrshëm duke ofruar ambientet e saj në Tiranë për festën kombëtare të Greqisë.

Kështu deklaroi sot (1 prill) në “Studio Live” ish-deputeti demokrat Arben Meçe, duke denoncuar aktivitetin e nëndheshëm dhe vasal të ish-kryeministrit dhe aleancat e tij të fundit politike, ku po punon për shtetin fqinj.

I pyetur nga moderatori Arbër Hitaj, analisti shpjegoi edhe ngjarjet e fundit, duke i cilësuar deri në një tradhti kombëtare, teksa theksoi për Report Tv se vota më 11 maj për këtë aleancë është votë për Greqinë. I ftuar ishte edhe anëtari i PD-së, kandidat në Primare, juristi Skerdjan Dhuli.

“Politika e Berishës është e orientuar tërësisht drejt vasilitetit për shtetin grek, e ka lëshuar të gjithë territorin në favor të tyre. Por jo vetëm në Himarë, ke aktivitet në Korçë dhe deri në Tiranë. Ke një aktivitet në Kishën Autoqefale Ortodokse të Korçës është bërë aktivitet për festën greke, në prezencë edhe të përfaqësuesve grekë. Pasi u festua në Korçë erdhi edhe në Tiranë, është diçka e tmerrshme. Ndalohet në mënyrë absolute me literaturë fetare dhe liturgji, prania e politikës në ambientet e kishës e për më tepër kur organizohet nga strukturat fetare.

Në Tiranë janë kryer 3 shkelje. U shkel laiciteti i shtetit, shteti shqiptar është laik. Brenda atij aktiviteti janë përfshirë të gjithë njerëzit e opozitës, nën maskë fetare, por aktivitet i pastër politik, nga Beleri dhe Dule e deri te Berisha. Pra në ambiente politike aktivitet politik në qendër të Tiranës, pamjet dhe fotot janë të qarta lënie territori nga Berisha te Greqia. U zhvillua në ambientet e Kishës Autoqefale Shqiptare, është provokim, nuk jepen sallat apo ambientet e kishës që provokojnë, për aktivitete të tilla politike, festa kombëtare e Greqisë. Zyrtarisht bëhet me trupë diplomatike dhe salla me qira. Çfarë lidhje ka Autoqefalia Shqiptare me festën e Greqisë?”, shprehet Meçe për Report Tv, duke shpjeguar edhe disa nga detajet e lidhura së bashku, që nxjerrin edhe një panoramë të qartë politiko-antikombëtare.

Duke theksuar se ky ishte një akt i tmerrshëm antishqiptar, ish-deputeti këmbëngul se asgjë nuk ka ndryshuar me largimin nga kjo botë të kryepeshkopit Janullatos, sepse aktiviteti politik në atë sallë të kishës ishte i paprecedentë dhe antiligjor. Dhe i drejton thirrje qytetarëve se nëse votohet Berisha-Dule-Beleri më 11 maj, votohet kundër Shqipërisë.

“E kemi thënë që Autoqefalia shqiptare është e pushtuar nga Greqia, edhe pse iku kryepeshkopi i vjetër (Janullatos) përsëri ka mbetur e njëjta situatë, na transmetohet një arrogancë ideologjie greke. Na ndodh edhe kjo gjë e tmerrshme, në ambientet e Kishës festohet një ditë kombëtare e Greqisë në një aktivitet politik. Ky aktivitet duhej bërë në ambient neutral, hera e parë që bëhet në një Kishë. Ky është implikim dhe provokacion. Beleri përfaqëson strukturat ekstreme greke, Berisha përfaqëson pikërisht këtë gjë, lëshimin e territorit dhe vasalitetin, si dhe Dule.

Nga ky aktivitet mbeti një mesazh, fotografia e Berishës me Dulen dhe Belerin, nëse votohet Berisha më 11 maj, votohet Greqia dhe strukturat e saj. Këto nuk janë më zgjedhje politike, por kombëtare dhe sovrane. Votoni kundër këtyre tradhtarëve të vendit që për hir të pushtetit të tyre bëjnë veprime të tilla antikombëtare”, vijon ai.

Dhe jo vetëm kaq, pasi Meçe nënvizon se Beleri dhe miku i tij Mondi Kolila, i dënuar për aktivitet nacionalist antishqiptar, kanë gjak shqiptarësh në duar dhe nuk përfaqësojnë ortodoksinë shqiptare të vërtetë. Ai është kritik edhe ndaj diplomacisë dhe institucioneve shqiptare që nuk reaguan.

“Beleri ka gjak në duart e tij, ka gjak shqiptari. Nuk e krahasoj unë Belerin me ortodoksinë shqiptare të vërtetë të Kolonjës psh, që ka derdh gjak për vendin. Sepse Beleri dhe Mond Kolila janë antikombëtare dhe punojnë për Greqinë, janë antikombëtarë. Dhe Berisha është i lidhur me këtë aleancë antikombëtare dhe antishqiptare kudo në botë. Diplomacia jonë duhet të kishte reaguar, por qëndroi indiferente”, shprehet analisti në ‘Studio Live’.

Juristi i PD, Skerdjan Dhuli, kundërshtoi ish-deputetin demokrat në pohimin e tij, duke u shprehur se edhe kryeministri Edi Rama e ka pasur aleat Vangjel Dulen dhe madje aktualisht ka aleat koalicioni nga partia Mega dhe kandidatë ortodoksë në listë.

“Me ato që tha edhe Meçe e la Edi Ramën pa deputet në qarkun e Vlorës, sepse PS ka 5 a 6 kandidatë ortodoksë atje, përfshi edhe ministrin Pirro Vengu. Ana tjetër është se shumë kandidatë përfaqësojnë dhe janë nga zona e jugut dhe fshatrat me minoritet si Himara apo Piluri. Aleatët kështu janë, PD ka Dulen dhe Rama ka aleat ata të MEGA-s, Vasil Llajon. Nuk mund të hyhet në këtë banalitet. Edhe Dule dy mandate si deputet ishte aleat me Ramën në qeveri. Pothuajse aq sa kandidat minoritarë apo ortodoksë ka PS, ka edhe PD-ja”, tha Dhuli ndër të tjera.

Meçe reagoi duke i kujtuar se ai nuk ka përmendur ortodoksinë shqiptare, por Belerin dhe aktivitetin antishqiptar.

“Unë nuk jam kundër ortodoksisë, nuk e bëra këtë deklaratë. Unë përmenda Belerin dhe aktivitetin grek në Shqipëri”, tha ai.