Raporti vjetor për 2016 mbi rendin dhe sigurinë në Shqipëri nuk ka kaluar pa u vënë re dhe nga media e huaj, siç raporton sot e përditshmja qipriote në anglisht, Famagusta Gazzette, në një artikull me titull “Shqipëria më e sigurt, me më pak ngjarje kriminale në 2016”.

Sipas gazetës e cila i referohet ministrit të Punëve të Brendshme Saimir Tahirit, në Shqipëri Policia e Shtetit ka marrë më shumë telefonata gjatë 2016, gjë që ka sjellë dhe uljen e krimeve dhe pasqyron rritjen e besimit publik tek Policia vetë.

Gazeta online i kushton vëmendje të veçantë shifrës së pasurive dhe aseteve kriminale të sekuestruara në Shqipëri, të cilat arrijnë një vlerë prej 47.6 milion euro gjatë 2016. “Tahiri tha se shifra vërteton që Policia e Shtetit ka ndjekur ‘peshqit e mëdhenj’, dhe u impenjua për të vazhduar operacionet ndaj krimeve në vitin 2017”, përmbyll artikullin e saj e përditshmja qipriote.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com