'Megjithëse iu kërkua që të ndihmonte Partinë dhe të hidhte dritë në këtë lëmsh agjenturor, ai…', publikohen dokumentet e panjohur për 40 vite, si akuzohej ish-ministri

'Megjithëse iu kërkua që të ndihmonte Partinë dhe të hidhte dritë në këtë lëmsh agjenturor, ai…', publikohen dokumentet e panjohur për 40 vite, si akuzohej ish-ministri

Janë publikuar disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), të cilat kanë qenë të panjohura për 40 vite me radhë dhe shohin për herë të parë dritën e botimit, ku ndodhet një dosje voluminoze me materiale sekrete e dokumente që i përkasin muajt tetor të vitit 1982, ku është pasqyruar materiali i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së me titull “Mbi mungesën e theksuar të vigjilencës dhe gabimet e rënda të shokut Kadri Hazbiu në kohën që ishte ministër i Brendshëm”, autokritika me shkrim e Kadri Hazbiut, “Vendimi i Plenumit të V-të të Komitetit Qendror të PPSh-së mbi përjashtimin nga Komiteti Qendror e nga Partia si dhe shkarkimi nga të gjitha funksionet shtetërore dhe shoqërore të Kadri Hazbit”, si dhe proces-verbali i Plenumit të Komitetit Qendror të mbajtur në datat 13 e 14  tetor të vitit 1982 në sallën kryesore të godinës së Komitetit Qendror, ku është diskutuar dhe është marrë në analizë puna dhe veprimtaria e ministrit të Mbrojtjes Popullore, Kadri Hazbiu, i cili akuzohet për “veprimtaria armiqësore” e tij për periudhën gati 30 vjeçare kur ai shërbente në funksionin e ministrit të Punëve të Brendshme.  Dosja e plotë e me të gjitha dokumentet që botohet për herë të parë nga Memorie.al, ku përveç materialit “Tepër sekret”, të Byrosë Politike me akuza ndaj ish-ministrit të Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu, publikohet edhe proces-verbali i Plenumit, ku Enver Hoxha dhe pjesa më e madhe anëtarëve të Byrosë Politike si: Ramiz Alia, Adil Çarçani, Foto Çami, Hekuran Isai, Manush Myftiu, Simon Stefani, Haki Toska, Pali Miska, Prokop Murra, Spiro Koleka, Rita Marko, Lenka Çuko, Muho Asllani, Llambi Gegprifti, Vangjel Çerava, dhe Komitetit Qendror të PPSh-së, si; Nexhmije Hoxha, Gafur Çuçi, Xhelil Gjoni, Pilo Peristeri, Sofo Lazri, Piro Kondi, Petro Dode, Behar Shtylla, Shefqet Peçi, Qemal Bregasi, Dritëro Agolli, Mine Guri, Themie Thomai, Mehmet Elezi, Lumturi Rexha, Tefta Cami, Vito Kapo, Harrilla Papajorgji, Anastas Kondo, Miti Nito, Sulejman Baholli, Halil Leli, Jashar Menzelxhiu, Enver Halili, Ali Vukatana, Tahir Minxhozi, Naunka Bozo, Luan Muhameti, Rexhep Kolli, Ndreçi Plasari, Sofie Çuadari, Nezir Gorica, etj., jo vetëm kanë akuzuar ish-ministrin Hazbiu, si bashkëpunëtorin me të ngushtë të ish-kryeministrit Mehmet Shehu, por edhe kanë debatuar ashpër me të gjatë gjithë mbledhjes së plenumit që zgjati dy ditë, duke i kërkuar atij që të jepte shpjegime për punën dhe veprimtarinë e tij që nga dita që ishte ulur në zyrën e ministrit, duke filluar nga marrëdhëniet e raportet me këshilltarët rusë, Konferencën e Tiranës në 1956-ën, e deri tek “bashkëpunimi i tij me grupet armiqësore” të kryesuara nga Teme Sejko, Beqir Balluku, Abdyl Këllezi dhe “poli-agjenti” Mehmet Shehu, si dhe vendimet shkarkimet nga detyrat dhe për përjashtimin nga Komiteti Qendror të Rexhep Kollit, Nazar Berberit, Veli Llakajt, Ndreçi Plasarit, etj.

Autokritika me shkrim i ish-ministrit të Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu, në Plenumin e V-të të Komitetit Qendror të PPSh-së, i mbajtur më 13 dhe 14 tetor të vitit 1982

 Me t’u larguar Mihallaq Ziçishti, erdhi në vendin e tij Feçor Shehu. Në këto kushte unë gjykoj se kam punuar e vepruar midis armiqsh, të cilët vepronin në një vijë e në koordinim të plotë vazhdimisht. Për rrjedhim, jo vetëm që Sigurimi dhe unë bashkë me të nuk mund të mos pengoheshim në çdo punë, por, para së gjithash, ish praktikisht e pamundur të zbuloheshin çështje të tilla të mëdha e me rrezikshmëri, të cilat i arriti Partia me forcën e saj.

Unë kam bindjen e plotë se Partia do të vërtetojë, se me anë të këtij mekanizmi u sabotuan e u shtrembëruan edhe zbulimet me anë të hetimit në mjaft procese, sidomos në atë të puçistëve e të sabotatorëve, procese këto që çonin në deshifrimin e këtij rrjeti spiunësh e konspiratorësh. Unë nuk di si u manipuluan gjërat për këto sabotime. Ato kurdoherë janë bërë në shpinën time. Këtë Partia, qoftë edhe vonë, do ta vërtetojë.

Jam i qetë përpara Partisë, se në punën time në tërësi kam qenë kurdoherë i ndershëm, pavarësisht nga gabimet e fajet e rënda, të cilat kurrë nuk i kam bërë me ndërgjegje që të dëmtoja Partinë. Ndaj Partisë e shokut Enver, nuk kam pasur në të gjitha kohët as rezervën më të vogël. Gabimet që kam bërë janë të mëdha e me pasoja të rënda për Partinë. Unë kështu i konceptoj ato dhe pasojat e tyre.

Kështu e realizoj unë edhe shkakun përse Sigurimi i Shtetit nuk mundi të zbulojë këtë rrjet spiunësh, si dhe të tjerë më parë me rrezikshmëri të madhe që kanë ndërmarrë armiqtë në të gjitha kohët. Kërkoj ndjesë nëse nuk kam arritur të reflektoj akoma thellë sa duhet. Kaq kam arritur deri tani. Gjithë jetën do të reflektoj mbi këtë problem kaq të madh të Partisë, me të cilën lidhet direkt puna e qëndrimi im.

Çfarëdo mase që të vendosin Plenumi e Partia, unë do të jem në gjendje ta përballoj si anëtar i saj. I lutem Plenumit dhe Partisë, që në gjykimin e tyre të më marrin kështu siç kam qenë e jam me gabime e faje, por gjithnjë i pandarë për asnjë moment e çështje nga Partia e shoku Enver.

                                                                                                                 Me respekt

                                                                                                              Kadri Hazbiu

 Tiranë, më 11.10.1982

VENDIM I PLENUMIT TË 5-TË TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH MBI PËRJASHTIMIN NGA KOMITETI QENDROR E NGA PARTIA SI DHE SHKARKIMIN NGA TË GJITHA FUNKSIONET SHTETËRORE E SHOQËRORE TË KADRI HAZBIUT

Plenumi i 5-të i Komitetit Qendror të PPSH-së në mbledhjen e datës 13-14 tetor 1982, mori në shqyrtim dhe diskutoi raportin e Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH “Mbi mungesën e theksuar të vigjilencës dhe gabimet e rënda të Kadri Hazbiut” dhe u njoh me autokritikën që bëri Kadri Hazbiu për Plenumin e Komitetit Qendror.

Plenumi i Komitetit Qendror arriti në konkluzionin se Kadri Hazbiu, jo vetëm s’e kish marrë parasysh ndihmën që i dhanë shokët e Byrosë Politike, por ai kishte bërë hapa prapa. “Autokritika” e tij jo vetëm që nuk ishte marksiste, por përkundrazi qe e mbushur plot shfajësime e dredhi, supozime e mohime dhe deri në akuza provokuese. “Autokritika” e tij në fakt përbënte një sulm kundër Partisë dhe udhëheqjes së saj. Pyetjet që i drejtuan shokët e Plenumit, ai i trajtoi fare përciptë dhe me mendjemadhësi.

Plenumi arriti gjithashtu, në përfundim se të gjithë komplotet e armiqve të Partisë në bashkëpunim me agjenturat e huaja, janë zbuluar nga Partia dhe asnjëherë nga Sigurimi i Shtetit dhe këtij fakti të njohur Kadri Hazbiu nuk i dha përgjigje, por i bëri bisht në mënyrë dredharake.

Kadri Hazbiu duke punuar për një kohë të gjatë në organet e Ministrisë së Punëve të Brendshme ka kryer veprime në kundërshtim me orientimet e normat e Partisë dhe interesat e larta të shtetit, siç janë fshehja e të dhënave që kanë dalë në periudha të ndryshme për anëtarët kryesorë të komplotit që kryesonte krye agjenti Mehmet Shehu, kultivimi në kuadrot e organeve të punëve të brendshme i frymës së familjaritetit, duke u krijuar kështu mundësi agjentëve të Mehmet Shehut, të vepronin lirisht në Ministrinë e Punëve të Brendshme, ku bënë çerdhen e tyre spiunë të shumtë.

Kadri Hazbiut, megjithëse i’u kërkua që të ndihmonte e të hidhte dritë në këtë lëmsh agjenturor që kishte vepruar në sfera të larta të Partisë e të shtetit, asnjëherë nuk dha gjë, bile, hezitoi për masat që duheshin marrë ndaj pjesëtarëve të komplotit, për të mos u zbuluar fajet e tij, për të “mos i’u hequr peta lakrorit”.

Plenumi i Komitetit Qendror krijoi bindjen e plotë se Kadri Hazbiu, me qëllim fsheh të vërtetën para Partisë, se ai është në dijeni të veprimeve armiqësore të grupit të Mehmet Shehut, bile se vetë Kadriu është pjesëtar i këtij grupi komplotist.

Për veprimtarinë e tij armiqësore, Kadri Hazbiu mban edhe përgjegjësi penale në të cilën është e nevojshme të ndalen organet kompetente sipas fakteve e dokumenteve që disponojnë e që do të dalin.

Për të gjitha këto Plenumi i 5-të i Komitetit Qendror të Partisë,

              Vendosi:

Kadri Hazbiu të përjashtohet nga Komiteti Qendror dhe nga Partia si dhe të shkarkohet nga të gjitha funksionet shtetërore e shoqërore.

PLENUMI I 5-të I KOMITETIT QENDROR TË PARTISË SË PUNËS TË SHQIPËRISË

 Tiranë, më 14.10.1982

VENDIM I PLENUMIT TË 5-TË TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH MBI PËRJASHTIMIN NGA KOMITETI QENDROR I PPSH TË REXHEP KOLLIT

Plenumi i 5-të i Komitetit Qendror të PPSH në mbledhjen e tij të datës 13 e 14 tetor 1982 mbasi shqyrtoi e diskutoi fajet e Rexhep Kollit arriti në përfundimin se duke qenë për një kohë të gjatë kuadër me përgjegjësi në Ministrinë e Punëve të Brendshme, ku u kurdis një komplot shumë i rrezikshëm për atdheun dhe Partinë, mban përgjegjësi të rëndë për ato faje e gabime që janë bërë në kundërshtim me vijën dhe normat e Partisë dhe me interesat e shtetit.

Për të gjitha këto faje Plenumi i 5-të i Komitetit Qendror me unanimitet të plotë,

Vendosi:

Rexhep Kolli të përjashtohet nga radhët e Komitetit Qendror të PPSH-së.

 PLENUMI I 5-të I KOMITETIT QENDROR TË PARTISË SË PUNËS TË SHQIPËRISË

VENDIM I PLENUMIT TË 5-TË TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH MBI PËRJASHTIMIN NGA KOMITETI QENDROR DHE NGA PARTIA SI DHE SHKARKIMIN NGA TË GJITHA FUNKSIONET SHTETËRORE E SHOQËRORE TË VELI LLAKAJT E NAZAR BERBERIT

Plenumi i 5-të i Komitetit Qendror të PPSH në mbledhjen e datës 13 e 14 tetor 1982 mbasi shqyrtoi e diskutoi raportin e Byrosë Politike të Komitetit Qendror “Mbi mungesën e theksuar të vigjilencës dhe gabimet e rënda të Kadri Hazbiut”, në vazhdim të analizës sinoptike mbi veprimtarinë agjenturore të armikut Mehmet Shehu, arriti në përfundimin se Veli Llakaj dhe Nazar Berberi, duke qenë prej kohësh në kundërshtim me vijën ushtarake të Partisë dhe në akord me komplotistët, kanë bashkëpunuar gjatë me ta kundër Partisë dhe shtetit. Për të gjitha këto faje, Plenumi i 5-të i Komitetit Qendror me unanimitet të plotë,

                     Vendosi:

  1.  Të përjashtojë nga Partia dhe nga Komiteti Qendror si dhe ta shkarkojë nga të gjitha funksionet e tjera shtetërore e shoqërore Veli Llakajn.
  2. Të përjashtojë nga Partia e nga Plenumi i Komitetit Qendror dhe ta shkarkojë nga të gjitha funksionet e tjera shtetërore e shoqërore Nazar Berberin.

PLENUMI I 5-të I KOMITETIT QENDROR TË PARTISË SË PUNËS TË SHQIPËRISË

VENDIM I PLENUMIT TË 5-TË TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH MBI PËRJASHTIMIN NGA KOMITETI QENDROR TË NDREÇI PLASARIT

Plenumi i 5-të i Komitetit Qendror të PPSH-së, në mbledhjen e tij të datës 13 e 14 tetor 1982, mori në shqyrtim propozimin e organizatës bazë të Partisë të Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste, për përjashtimin nga Partia dhe nga Plenumi i Komitetit Qendror të Ndreçi Plasarit.

Nga diskutimi i çështjes së Ndreçi Plasarit, rezultoi se ai me punën e tij studimore e botuese është përpjekur të mbulojë të vërtetën historike në lidhje me personin e armikut Mehmet Shehu dhe të fryjë kultin e tij.

Ndreçi Plasari me “autokritikën” e tij u tregua i pasinqertë, ai u përpoq që të mbulonte oportunizmin, mungesën e vigjilencës dhe lëshimet në parime që i ka bërë armikut Mehmet Shehu, në dëm të interesave të Partisë dhe të popullit.

Ndreqi Plasari ka përgjegjësi të rëndë para Partisë, të cilën nuk e ka vënë në dijeni për një dokument zyrtar të Zbulimit Anglez që i ka rënë në dorë, ku ndër të tjera, për super agjentin Mehmet Shehu, thuhet se: “Ambicia e tij, ia kalon besnikërisë së Partisë”.

Plenumi i 5-të i Komitetit Qendror të PPSH duke marrë parasysh të gjitha këto,

Vendosi:

  1.  Ndreçi Plasari të përjashtohet nga Plenumi i Komitetit Qendror të PPSH.
  2. Çështjen e qëndrimit ose jo të tij në radhët e Partisë ta shohë Komisioni Qendror i Kontrollit dhe i Revizionimit të Partisë.
  3. Të shkarkohet nga të gjitha funksionet e tij shtetërore shoqërore.

 PLENUMI I 5-të I KOMITETIT QENDROR TË PARTISË SË PUNËS TË SHQIPËRISË

VENDIM PËR DËNIMIN E GABIMEVE DHE TË FAJEVE TË RËNDA TË ANËTARIT TË PPSH, NDREÇI PLASARI.

Organizata bazë e Partisë e Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste pranë Komitetit Qendror të PPSH-së, në mbledhjen e saj të datës 11 dhe 12 tetor 1982, analizoi gabimet e fajet e rënda të anëtarit të saj, Ndreçi Plasari, i cili me punën e tij studimore e botuese është përpjekur të mbulojë të vërtetën historike në lidhje me personin e Mehmet Shehut, e të fryjë kultin e tij.

Të gjithë komunistët, të pakënaqur nga autokritika me shkrim që e dorëzoi me 10 muaj vonesë, dhe jo me iniciativën e tij, si dhe nga autokritika me gojë në përgjigje të pyetjeve të shumta që iu bënë, njëzëri e kritikuan rreptë dhe e dënuan:

  • Për mungesë të theksuar sinqeriteti dhe autokritike shumë të dobët lidhur me marrëdhëniet e tij me krye agjentin Mehmet Shehu;
  • Për oportunizëm e mungesë vigjilence, për lëshim në parime që i kanë shërbyer synimeve të egra të armikut Mehmet Shehu në dëm të interesave të Partisë e të popullit;
  • Për shkelje në mënyrë flagrante të objektivitetit shkencor të dokumenteve në studime dhe në botimin e materialeve për Mehmet Shehun, duke rënë kështu në subjektivizëm dhe shtrembërim të së vërtetës historike;
  • Për mosinformim në asnjë instancë të Partisë për dokumente shumë komprometuese të Mehmet Shehut, të cilat i kanë kaluar nëpër duar, sidomos një dokument zyrtar i zbulimit anglez, (tërhequr si mikrofilma nga arkivat e Londrës), ku ndër të tjera për agjentin Mehmet Shehu thuhet: “ambicia e tij ia kalon besnikërisë ndaj Partisë” dhe kjo lidhej me një opozitë që ata mendonin të krijonin në gjirin e Lëvizjes Nacional-Çlirimtare shqiptare;
  • Për mosinformim të disa bisedave të Mehmet Shehut me të, të bëra jo pa qëllim, si për programin demokratiko-borgjez të shkruar nga ai më 1942, pa i thënë përmbajtjen e vërtetë, por që Ndreçi Plasari “nuk u kujtua” t’ia thotë Partisë edhe pse kaluan 10 muaj pas vetëvrasjes;
  • Për frikën që ka pasur se mos armiku Mehmet Shehu, “si ministër i brendshëm”, mund të hakmerrej “me ndonjë shpifje”. Kjo si dhe pyetja që ka bërë në Konferencën e Partisë të Tiranës të vitit 1956, për dy udhëheqës të Partisë “pse nuk kanë marrë takime me popullin”, e vunë organizatën e Partisë në dyshime.

Për të gjitha këto, organizata bazë vendosi njëzëri t’i propozojë udhëheqjes së Partisë që Ndreçi Plasari:

  1. Të përjashtohet nga plenumi i Komitetit Qendror të PPSH-së dhe nga radhët e Partisë.
  2. Të largohet nga Instituti dhe të shkarkohet nga të gjitha funksionet e tjera drejtuese.
  3. Organi përkatës i nomenklaturës të vendosë për punën me të cilën do të merret në të ardhmen. Memorie.al

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Sulmin në ditën e Krishtlindjes Zelensky e quajti çnjerëzor, reagon Moska: Ishte sukses! Ne i arritëm objektivat

Sulmin në ditën e Krishtlindjes Zelensky e quajti çnjerëzor, reagon Moska: Ishte sukses! Ne i arritëm objektivat