TIRANE-Protesta e 2 marsit e organizuar nga Presidenti Ilir Meta do të zgjasë vetëm dy orë. Vetëm pak minuta pas mesazhit të ambasadës së SHBA-së në Shqipëri për qytetarët amerikanë që jetojnë në vendin tonë për të shmangur bulevardin 'Dëshmorët e Kombit' pasditen e së hënës kur do të organizohet protesta e thirrur nga Presidenti, ka ardhur reagimi i zëdhënësit të Ilir Metës. Në një postim në Facebook, Blushi njofton se kohëzgjatja e protestës do të jetë vetëm dy orë, ndërsa shton se nuk ka vend për asnjë alert për qytetarët shqiptarë dhe të huaj duke iu përgjigjur ambasadës së SHBA-së.

Zëdhënësi i kreut të shtetit është entuziast duke dhënë edhe shifra për pjesëmarrjen ditën e hënë. Ai thotë se këtij 'manifestimi do t’i bashkohen edhe mbi 200 shqiptaro-amerikanë, të cilët na kanë konfirmuar pjesëmarrjen në 2 mars dhe një pjesë e të cilëve sapo kanë mbërritur në Atdhe'. E ndërsa ende nuk ka asnjë vendim nga policia për leje për zhvillimin e tubimit të së hënës, zëdhënësi i kreut të shtetit thotë Ilir Meta ka pasur sot një takim me drejtuesit e lartë të Policisë së Shtetit, 'duke u konfirmuar bashkëpunimin maksimal të Institucionit dhe të tij, për mbarëvajtjen e këtij Manifestimi madhështor Mbarëkombëtar në mbrojtje të Kushtetutës dhe demokracisë!'.

Godina e Kryeministrisë dhe Ministrisë së Brendshme, thotë Blushi do të mbrohen nga aktivistë të identifikuar për të shmangur incidentet. "Çdo detaj është i mirëpërcaktuar me kohë. Manifestimi fillon në ora 17.00, me flamuj kuqezi dhe mimoza në duar, e përfundon në ora 19.00. Godina e Kryeministrisë dhe Ministrisë së Brendshme do të mbrohen nga aktivistë të identifikuar. Shtetasve të huaj, veçanërisht atyre shqiptaro-amerikanë që do të marrin pjesë do t’u dhurohet një degë mimoze dhe një Kushtetutë e Shqipërisë, e votuar me 140 vota dhe me bekimin e Komisionit të Venecias, SHBA-ve dhe BE-së.

Alerti i vetëm i 2 marsit, është për puçistët që tallen me Kushtetutën dhe sovranitetin e popullit shqiptar duke miratuar apo bekuar pabesisht ligje anti-kushtetuese! Të gjithë më 2 mars për Kushtetutën dhe kundër grushtit të shtetit. Për Shqipërinë dhe sovranitetin e popullit shqiptar! Zoti e bekoftë miqësinë e palëkundur shqiptaro-amerikane!  Pa Kushtetutë nuk ka demokraci! Pa demokraci nuk ka Shqipëri!" mbyllet mesazhi i zëdhënësit të Presidentit.

Postimi i plote i Tedi Blushit ne Facebook