Meta-Berisha në zgjedhje me koalicionin ‘Bashkë Fitojmë’/ Ish deputeti: Veprim absurd, nuk kanë moral! Avokati: KQZ nuk do e pranojë kërkesën

Zyrtarizimi i koalicionit Meta-Berisha mbrëmjen e sotme nën siglën ‘Bashkë-Fitojmë’ ka sjellë edhe debat lidhur me pikëpyetjen nëse do jetë i mundur regjistrimi i një koalicioni të tillë që brenda ka edhe PD-në e Berishës, pavarësisht  se nuk u pranua regjistrimi në zgjedhjet lokale.

Ish deputeti, Arben Meçaj e konsideroi këtë si një veprim absurd dhe tha se kërkesa nuk do të pranohet nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve. I ftuar në emisionin ‘Repolitix’ në Report TV, ai tha se nuk mund të përfaqësojë të djathtën një koalicion ku brenda është edhe partia Demokristiane e kryesuar nga Nard Ndoka. Më tej, shtoi se Berisha është braktisur nga e djathta në Shqipëri dhe se grupimi i Alibeajt ka më shumë moral krahasuar me atë të Berishës.

“Veprim absurd, por e sigurtë është që kërkesa nuk do pranohet. E djathta reale në Shqipëri, nuk iu bashkua Berishës në këtë proces. Nuk kemi të djathtë këtu, nëse do themi se Ndoka është simbol i të djathtës, ai është simbol i karagjozllëkut në politikën shqiptare. Do diskutohen gjithë batutat e tij, do jenë pjesë e këtij koalicioni.  Nesër pres që të gjithë grupimi i djathtë të bëhet një dhe të dalë në një koalicion. Ky koalicion nuk ka fare moralitet dhe faktori moral është faktor shumë serioz në zgjedhje. Populli i djathtë që nuk do t’ja shohë as fytyrën Metës, tashmë duhet ta votojë. Pavarësisht se deri dje dukej sikur e djathta përfaqësohej nga Berisha, sot ky i fundit është braktisur. Krahu tjetër i PD sot vjen shumë herë më me moral sesa ky grupim i bërë”-tha Meçaj.

Edhe avokati, Leonard Karaj tha se KQZ nuk do të pranonte një koalicion të tillë duke qenë edhe PD e Berishës në listë dhe u shpreh i bindur se kërkesa do të kthehet mbrapsht për rregullim.

“Aty nuk ka parti të Berishës apo të Alibeajt, kur një parti nuk është regjistruar në një palë zgjedhje nuk mund të jetë as në koalicion. Edhe në zgjedhjet e 6 marsit ishte e njëjta situatë. Berisha asokohe u detyrua ta tërhiqte mbrapsht pjesën e Rithemelimit për të shkuar në zgjedhje. Kjo kërkesë do kthehet mbrapsht nga Celibashi për rregullim dhe jam i sigurtë se Berisha do e heqë sepse do  ishte pa sens që 61 kandidatët të mos garojnë në këto zgjedhje”- u shpreh Karaj.

Ndërsa ish anëtari i kryesisë së PD-së, Gent Malko e komentoi këtë koalicion si një keqllogaritje të Berishës ose si një veprim të qëllimshëm për t’i kaluar gradualisht Metës drejtimin e opozitës.

"Koalicioni me PL-në është i çuditshëm. Ose është një keqllogaritje e jashtëzakonshme e Berishës që tregon se i ka humbur nervi politik dhe vizioni. Ky është fundi sepse e çon sot të futet nën sqetullën e Metës. Ose është një lëvizje që në mënyrë graduale për ta çuar drejtimin e opozitës në duart e Metës”-tha Malko.

Mbrëmjen e sotme, sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Endrit Braimllari ka dorëzuar në KQZ kërkesën për regjistrimin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” që kryesohet nga Partia e Lirisë. E dyta në renditjen e partive përbërëse të koalicionit, është edhe Partia Demokratike e Berishës, gjë që pritet të sjellë edhe kthimin e kërkesës për këtë koalicion pasi KQZ nuk e ka pranuar regjistrimin e PD-së së kryesuar nga ish kryeministri, me argument se Basha është ende kryetari ligjor i partisë. Pjesë e koalicionit janë edhe Partia Republikane dhe Partia e Bashkimit për të Drejtat e Njeriut. 

B.V/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ilir Meta sulmon kreun e SPAK, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Izraeli i përgjigjet Iranit, godet një bazë ushtarake në Isfahan! Teherani: Objektet bërthamore të sigurta

Izraeli i përgjigjet Iranit, godet një bazë ushtarake në Isfahan! Teherani: Objektet bërthamore të sigurta