Prokuroria e Posaçme ka përfunduar hetimet për fraksionin e ndarë të dosjes “Metamorfoza”, për 9 të pandehur, të cilët janë hetuar në mungesë, pasi masat e sigurisë për ta nuk janë ekzekutuar nga Policia e Shtetit prej gati 3 vitesh.
Prokurorët Arben Kraja dhe Bledar Maksuti mbyllën hetimet për Ervis Martinajn, një prej personave më të shumëkërkuar nga drejtësia shqiptare, për Denis Bajrin, Klaodor Hakajn, Prekë Kodrën, Aleks Ndrekën, Bardhyl Mavrajn, Eljon Haton dhe Arsad Bashlin.
Hetimet u mbyllën edhe për Nuredin Dumanin, person që po gjykohet edhe në megaoperacionin “Plumbi i Artë”. Ky i fundit mbahet në masën e sigurisë “arrest në burg” dhe ka statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë.
Ndaj të gjithë grupit, SPAK ka ngritur akuzat: "Vrasje me paramendim", kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, "Grupi i strukturuar kriminal", "Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale", "Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve për të kryer vrasje", "Mbajtje pa leje dhe prodhimi i armëve, shpërthyeseve dhe municionit".
Çështja ka zbritur në GJKKO dhe pritet të hidhet shorti për të caktuar gjyqtarin, i cili do të marrë në shqyrtim kërkesën e prokurorisë për kalimin ose jo të çështjes në gjyq.
Nga 9 personat e dërguar për gjykim, vetëm 2 janë të arrestuar, Aleks Ndreka i njohur si “Leksi Druve”, dhe Denis Bajri, i njohur edhe me mbiemrin Brajoviç.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Komente









