Në mbledhjen e ditës së sotme të Komisionit për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes, është sjellë në tryezë dhe diskutimi për protestën e 21 janarit. Debati u nxit nga deputetët demokratë, të cilët folën për tubimin e dhunshëm të disa ditëve më parë.

Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu, replikoi ndaj akuzave të opozitës për dhunë ndaj protestuesve nga ana e policisë, duke kujtuar 4 qytetarët e vrarë më 21 janar 2011 nga plumbat e lëshuar nga godina e kryeministrisë.

“Një sqarim për sa i përket insinuatës që ju ngritët ose ankesës që ngritët me të drejtë në fillim të kësaj seance për sa i përket protestës dhe protestuesve. Dua t'ju them që qeveria shqiptare respekton pafundësisht protestën është e drejtë kushtetuese", tha Gogu.

Ministri rikujtoi ngjarjet e 21 janarit dhe përkujtimin çdo vit të  4 dëshmorëve të atdheut.

“Nga ana tjetër ju e keni parë që si forcë politike në çdo janar të nderojmë protestues të paqtë që janë vrarë me duar në xhepa në mes të bulevardit dhe, duke pritur që drejtësia shqiptare të vendosë atë të drejtë të mohuar për shumë vite dhe që është një plagë që rrjedh ende gjak atje. Në nivel personal, ju e dini që unë i përkas një tradite fetare që protestën e ka gjenezën e vet”, tha ministri i Shtetit, në përgjigje të deklaratave të opozitës.

Në vijim të diskutimeve në Komision, ministri Gogu iu përgjigj edhe aludimeve për keqmenaxhim dhe korrupsion, duke theksuar se Shqipëria ka kaluar në një fazë tjetër falë reformës në drejtësi dhe vullnetit politik.