Ministri i Jashtëm i Danimarkës, Lars Løkke Rasmussen, dhe ministrja e Jashtme e Groenlandës, Vivian Motzfeldt, po mbajnë një konferencë për shtyp në ambasadën daneze në Uashington.

Ai thotë se Danimarka është entuziaste të bashkëpunojë me SHBA-të dhe se janë të përgatitur të shkojnë edhe më tej. Danimarka kërkonte mirëkuptim nga bisedimet e sotme, shton Rasmussen. Më tej e përshkruan takimin e sotëm në Uashington si “të hapur, por konstruktiv”.

Ai thotë se qëndrimet e SHBA-së dhe Danimarkës për të ardhmen e Groenlandës duket se ndryshojnë. Ministri i Jashtëm danez shprehet se presidenti amerikan Trump i ka bërë të qarta pikëpamjet e tij, por Danimarka ka “qëndrim të ndryshëm”. “Ne ende kemi mospajtime, por do të vazhdojmë të diskutojmë”, thotë ai.

Rasmussen njofton krijimin e një grupi pune “të nivelit të lartë” së bashku me SHBA-të për të shqyrtuar nëse është e mundur që të dy vendet të gjejnë një “rrugë të përbashkët përpara”.

Ai thotë se grupi duhet të përqendrohet në adresimin e shqetësimeve të sigurisë së SHBA-së, duke respektuar njëkohësisht “vijat e kuqe të Mbretërisë së Danimarkës”. Ministri shton se grupi do të mblidhet për herë të parë brenda javëve të ardhshme.

Duke iu përgjigjur një pyetjeje nga BBC, Rasmussen tha se e njeh Trumpin prej kohësh nga detyra e tij e mëparshme si kryeministër i Danimarkës. Ai thotë se Danimarka ndan, deri diku, shqetësimet e Trumpit për sigurinë në Arktik.

Rasmussen përsërit se perspektiva e marrjes së Groenlandës nga SHBA-të është “absolutisht e panevojshme”. Ai vë në dukje se Danimarka ka “marrëdhënien diplomatike më të qëndrueshme” me SHBA-të se çdo aleat tjetër. Ministri thotë se ky është një “kornizë e përsosur që mund të përdoret” për të arritur një marrëveshje të përbashkët.

Rasmussen thotë se është e qartë që Trump ka dëshirën për të “pushtuar” Groenlandën, por beson se takimi ka arritur të “ndryshojë qëndrimin amerikan”. “E bëmë shumë, shumë të qartë se kjo nuk është në interes të Groenlandës,” thotë ai.

Rasmussen shtoi se takimi i sotëm me zëvendëspresidentin amerikan JD Vance dhe Sekretarin e Shtetit Marco Rubio pasoi një sërë komentesh publike “të jashtëzakonshme” në lidhje me Groenlandën. Ai thotë se qëllimi i tij për këtë takim ishte gjetja e një rruge të përbashkët për të rritur sigurinë në Arktik.

Mbretëria e Danimarkës tashmë ka rritur angazhimin e saj ndaj sigurisë, thotë ministri, duke shtuar financimin për ushtrinë, përfshirë anije, dronë dhe avionë luftarakë. Ai shprehet se janë të gatshëm të bëjnë edhe më shumë duke shtuar se SHBA-të tashmë kanë akses të gjerë ushtarak në Groenlandë, si pjesë e një marrëveshjeje mes dy vendeve që daton nga vitet 1950. Rasmussen vijon se Groenlanda, përmes Danimarkës, është anëtare e NATO-s dhe mbulohet nga Neni 5, i cili parashikon mbrojtjen kolektive kur një shtet sulmohet.

Rasmussen thotë se nuk ka ndonjë “kërcënim të menjëhershëm” nga Kina dhe Rusia që Danimarka dhe Groenlanda “nuk mund ta përballojnë”. Ai vijon se aktualisht nuk ka trupa kineze në Groenlandë dhe hedh poshtë shqetësimin se ky “do të jetë rasti pas 10 ose 20 vjetësh”. Ministri i Jashtëm danez thotë: “Danmarka është në anën e duhur të historisë.”

 

 

 

 


Lajmi kryesor:

Groenlanda, Trump këmbëngul sërish: S’mbështetem dot te Danimarka kundër Rusisë ose Kinës! Ministri danez thotë se ka ende “mospajtim”/ Vendet e NATO-s do të dërgojnë trupa