Një grup protestuesisht të maskuar kanë hequr dhe kanë përdhosur mbrëmë flamurin e Ambasadës së Shtetit të Izraelit në Tiranë, duke shënuar kështu një ngjarje shumë të rëndë në ditën e 21-të të protestës.

Lajmin e dha fillimisht Ministria e Jashtme e Shqipërisë e cila thotë se dënon me forcë aktin që s’ka asnjë lidhje me të drejtën për të protestuar.

“Ato janë shfaqje të urrejtjes, intolerancës dhe nxitjes së saj, dhe janë krejtësisht të papajtueshme me parimet e respektit dhe bashkëjetesës që Shqipëria i ka në themel dhe i çmon me përkushtim”, shkruhet në reagimin zyrtar.

Ministria deklaron se ky akt i turpshëm bie ndesh me traditën e gjatë shqiptare të mikpritjes, harmonisë dhe respektit për tjetrin, vlera që kanë karakterizuar shoqërinë tonë për breza me radhë, teksa riafirmon angazhimin e palëkundur të Shqipërisë për mbrojtjen e misioneve diplomatike dhe simboleve të tyre.

I ashpër ishte reagimi edhe i zv. kryeministres Albana Koçiu, e cila shkroi se heqja e flamurit izraelit nga godina e Ambasadës së Izraelit në Tiranë është një akt i papranueshëm provokimi.

“Ky nuk është thjesht një sulm ndaj një simboli shtetëror. Çdo akt që synon të shenjëstrojë identitetin e një populli, të delegjitimojë praninë e tij ose të nxisë armiqësi mbi baza etnike apo fetare, krijon terren për intolerancë dhe antisemitizëm, fenomene që Europa i njeh nga kapitujt më të errët të historisë së saj dhe që nuk mund të kenë vend në shoqëritë demokratike”, shprehej Koçiu.

Nr. 2 i qeverisë u kujdes ta nënvizonte se këto janë akte të izoluara në Shqipërinë e mikpritjes dhe tolerancës.

Vetë ambasadorja e Izraelit në Tiranë, Galit Peleg në një postim në X falënderoi qeverinë shqiptare për reagimin, ndërsa ngjarjen e quajti një akti jo vetëm që nuk arrin të çojë përpara protestën, por gjithashtu turpëron popullin shqiptar dhe trashëgiminë e tij krenare.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:47
Grisja e flamurit izraelit në Tiranë, reagon Taulant Balla: Akt i rëndë dhe i turpshëm, organizatorët të distancohen nga akti

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka dënuar sot heqjen dhe përdhosjen e flamurit të Izraelit në Ambasadën izraelite në Tiranë gjatë protestës së mbajtur mbrëmjen e së shtunës.

Në një reagim në rrjetet sociale, Balla tha se çdo qytetar ka të drejtë të protestojë dhe të shprehë qëndrimet e tij politike, por theksoi se cenimi i përfaqësive diplomatike apo simboleve të kombeve të tjera nuk është në traditën e shqiptarëve. Ai gjithashtu u bëri thirrje organizatorëve të protestës të dënojnë dhe të distancohen nga ky \akt i rëndë dhe i turpshëm'.

"Çdo qytetar ka të drejtë të protestojë dhe të shprehë qëndrimet e tyre politike, por nuk është në traditën e shqiptarit të cënojë përfaqësitë diplomatike apo simbolet e kombeve të tjera. Populli shqiptar është njohur në histori për respektin ndaj tjetrit dhe për mbrojtjen e hebrenjve gjatë Holokaustit. Organizatorët e protestës, kushdo qofshin ata, duhet të dënojnë dhe të distancohen nga akti i rëndë e i turpshëm i heqjes dhe përdhosjes së flamurit të Shtetit të Izraelit tek Ambasada në Tiranë nga protestues të maskuar gjatë protestës së mbrëmshme" 

Ora 16:11
'Akt kriminal, ekstremist dhe antisemit', Berisha dënon grisjen e flamurit të Izraelit: Të ndëshkohet autori

Partia Demokratike tha të dielën përmes Sali Berishës se dënon me ‘forcën më të madhe’ grisjen e flamurit në ambasadën e Izraelit gjatë protestës së të shtunës në Tiranë.

Në një postim në rrjete sociale, Berisha e quan aktin ‘kriminal, ekstremist dhe antisemit’ që shkon ndesh lidhjes tradicionale të dy vendeve.

Berisha kërkon gjithashtu ndëshkimin sipas tij të merituar ligjor të autorit të aktit

“Partia Demokratike dënon me forcën më të madhe grisjen e flamurit të Izraelit të ngritur në ambasadën e këtij vendi si një akt kriminal ekstremist, antisemit që bie ndesh me ndjenjat dhe lidhjet tradicionale që bashkojnë dy kombet dhe dy vendet tona dhe kërkon ndëshkimin e merituar ligjor të autori”

Deklarata erdhi disa orë pas njoftimit të Ministrisë së Jashtme që dënoi aktin si kundër traditës shqiptare të mikpritjes, harmonisë dhe respektit për tjetrin duke e cilësuar si jo të denjë për Shqipërinë apo popullin shqiptar.

Ora 13:01
'Ky është një sinjal alarmi', Komuniteti Hebraik reagon pas përdhosjes së flamurit izraelit: Po tentohet të importohet urrejtja në Shqipëri

Komuniteti Hebraik Shqiptar ka dwnuar sot aktin e grisjes dhe pwrdhosjes sw flamurit tw Ambasadws Izraelite duke e quajtur njw akt urrejtje  dhe një sulm ndaj normave të së drejtës ndërkombëtare dhe misioneve diplomatike.

Shqetësim, sipas deklaratës, kanë shkaktuar edhe thirrjet e dëgjuara gjatë protestës, ku u artikulua se “Izraeli është armiku ynë”. Komuniteti Hebraik thotë se një gjuhë e tillë është përçarëse dhe synon të importojë në Shqipëri konflikte dhe narrativa ekstremiste që nuk kanë qenë pjesë e traditës shqiptare.

Deklarata e plotë:

Komuniteti Hebraik Shqiptar shpreh tronditjen, indinjatën dhe shqetësimin e tij më të thellë për aktin e rëndë të përdhosjes së flamurit të Shtetit të Izraelit pranë Ambasadës së Izraelit në Tiranë, si dhe për thirrjet publike të urrejtjes kundër Izraelit të artikuluara gjatë protestës së zhvilluar mbrëmjen e kaluar.

Ky nuk është thjesht një incident. Ky është një sinjal alarmi.

Përdhosja e flamurit të një shteti sovran dhe mik të Republikës së Shqipërisë nuk është një formë proteste. Është një akt urrejtjeje, një sulm ndaj normave të së drejtës ndërkombëtare, ndaj misioneve diplomatike dhe ndaj vetë kulturës së tolerancës që ka bërë Shqipërinë të nderohet në mbarë botën.

Akoma më alarmuese janë deklaratat e dëgjuara nga foltorja e protestës, ku persona të caktuar shpallën publikisht se “Izraeli është armiku ynë.” Kjo është një gjuhë e rrezikshme, përçarëse dhe nxitëse e urrejtjes, e cila synon të importojë në Shqipëri konflikte dhe narrativa ekstremiste që nuk kanë pasur kurrë vend në shoqërinë shqiptare.

Komuniteti Hebraik Shqiptar e konsideron këtë zhvillim jashtëzakonisht shqetësues, pasi për herë të parë po vërehen përpjekje të hapura për të normalizuar gjuhën antisemitike në hapësirën publike shqiptare. Historia ka treguar se antisemitizmi nuk fillon me dhunë; ai fillon me fjalë, me propagandë, me demonizim dhe me heshtjen përballë tyre. Pikërisht për këtë arsye, çdo akt i tillë duhet të dënohet menjëherë dhe pa asnjë relativizim.

Shqipëria nuk mund dhe nuk duhet të lejojë që individë të maskuar apo grupe radikale të njollosin reputacionin ndërkombëtar të vendit tonë. Ky është vendi që gjatë Holokaustit mbrojti hebrenjtë kur pjesa më e madhe e Evropës i dorëzonte drejt vdekjes. Shqipëria u bë simbol i Besës, i humanizmit dhe i guximit moral. Ky është identiteti ynë kombëtar dhe askush nuk ka të drejtë ta zëvendësojë atë me gjuhën e urrejtjes.

Ne theksojmë qartë se e drejta për të protestuar është një e drejtë themelore në një shoqëri demokratike. Por kjo e drejtë përfundon në momentin kur ajo shndërrohet në nxitje të urrejtjes, në përdhosje të simboleve shtetërore, në sulme ndaj përfaqësive diplomatike dhe në thirrje që ushqejnë antisemitizmin.

Komuniteti Hebraik Shqiptar përshëndet reagimin e menjëhershëm dhe të qartë të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, e cila dënoi këtë akt të papranueshëm. Njëkohësisht, u bëjmë thirrje institucioneve përgjegjëse që të hetojnë me seriozitet maksimal këtë ngjarje, të identifikojnë autorët dhe organizatorët e këtyre akteve dhe të garantojnë se Shqipëria nuk do të bëhet terren për propagandën e urrejtjes, antisemitizmit apo ekstremizmit.

I bëjmë thirrje gjithashtu të gjithë spektrit politik, medias, shoqërisë civile, komuniteteve fetare dhe çdo qytetari të përgjegjshëm që të refuzojnë pa mëdyshje çdo përpjekje për të mbjellë urrejtje ndaj hebrenjve apo ndaj Shtetit të Izraelit. Heshtja përballë gjuhës së urrejtjes nuk është neutralitet; është rrezik.

Komuniteti Hebraik Shqiptar mbetet i vendosur të mbrojë vlerat mbi të cilat është ndërtuar marrëdhënia historike mes popullit shqiptar dhe popullit hebre: respektin, dinjitetin, solidaritetin dhe mbrojtjen e jetës njerëzore.

Shqipëria nuk është dhe nuk do të jetë kurrë vend i antisemitizmit. Ata që përpiqen të importojnë urrejtjen në vendin tonë nuk përfaqësojnë Shqipërinë, nuk përfaqësojnë popullin shqiptar dhe nuk përfaqësojnë historinë tonë. Historia e Shqipërisë është histori e Besës, jo e urrejtjes.

Ora 12:22
'Ky akt nuk i nderon shqiptarët', ambasadorja Peleg dënon përdhosjen e flamurit izraelit: Falënderoj ministrin Hoxha për dënimin e menjëhershëm të aktit

Ambasadorja e Izraelit në Tiranë, Galit Peleg, ka reaguar pas përdhosjes së flamurit izraelit gjatë protestës së mbajtur mbrëmjen e së shtunës në kryeqytet, duke e cilësuar ngjarjen si një akt që “turpëron popullin shqiptar dhe trashëgiminë e tij krenare”.

Në një postim në rrjetin social X, Peleg tha se akti cënon dinjitetin e popullit shqiptar dhe trashëgiminw krenare të tij

“Mbrëmë në Tiranë, protestues hoqën flamurin izraelit dhe e grisën atë mes brohoritjeve të turmës së mbledhur në vendngjarje. Si ambasador i një shteti demokratik, unë besoj në të drejtën e popullit shqiptar për të ushtruar të drejtën e tij qytetare për të protestuar. Megjithatë, një akt i tillë jo vetëm që nuk i shërben kauzës së protestës publike, por gjithashtu cenon dinjitetin e popullit shqiptar dhe trashëgiminë e tij krenare. Falënderoj @HoxhaFer për dënimin e menjëhershëm dhe të qartë të këtij akti, shkroi ajo.

Reagimi vjen pak orë pasi Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dënoi heqjen dhe përdhosjen e flamurit të Ambasadës së Izraelit në Tiranë, duke deklaruar se akte të tilla nuk përfaqësojnë Shqipërinë dhe popullin shqiptar.

Ora 12:09
Heqja e flamurit të Izraelit nga ambasada në Tiranë, reagon Koçiu: Akt i papranueshëm provokimi, synon të shënjestrojë identitetin e një populli

1780753699_albanakoiu.jpg

Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu ka dënuar heqjen e flamurit të Izraelit nga ambasada që ka në Tiranë, nga protestues të maskuar gjatë tubimit të zhvilluar mbrëmë.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Koçiu thotë se "çdo akt që synon të shënjestrojë identitetin e një populli, të delegjitimojë praninë e tij ose të nxisë armiqësi mbi baza etnike apo fetare, krijon terren për intolerancë dhe antisemitizëm, fenomene që Europa i njeh nga kapitujt më të errët të historisë së saj dhe që nuk mund të kenë vend në shoqëritë demokratike".

Reagimi i plotë i Albana Koçiut:

Heqja e flamurit izraelit nga godina e Ambasadës së Izraelit në Tiranë është një akt i papranueshëm provokimi, që cenon normat themelore të respektit ndaj përfaqësive diplomatike dhe bie ndesh me frymën e Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike.

Ky nuk është thjesht një sulm ndaj një simboli shtetëror. Çdo akt që synon të shënjestrojë identitetin e një populli, të delegjitimojë praninë e tij ose të nxisë armiqësi mbi baza etnike apo fetare, krijon terren për intolerancë dhe antisemitizëm, fenomene që Europa i njeh nga kapitujt më të errët të historisë së saj dhe që nuk mund të kenë vend në shoqëritë demokratike.

Shqipëria është një vend mikpritës, një partner i besueshëm, pa asnjë tolerancë ndaj antisemitizmit apo gjuhës së urrejtjes. Ky akt i turpshëm dhe i izoluar bie ndesh me traditën tonë të gjatë të harmonisë, respektit dhe mbrojtjes së tjetrit, parime këto që kanë karakterizuar popullin shqiptar përgjatë historisë.

Shprehim solidaritetin tonë të plotë me Ambasadën e Shtetit të Izraelit dhe rikonfirmojmë angazhimin e palëkundur të Shqipërisë për respektimin e së drejtës ndërkombëtare, mbrojtjen e misioneve diplomatike dhe promovimin e vlerave europiane të tolerancës, respektit dhe bashkëjetesës.