Minxhozi: PD nuk e meriton barin e PPSH për shkak të Sali Berishës

Minxhozi: PD nuk e meriton barin e PPSH për shkak të Sali Berishës

Sali Berisha

"Qeveria është problemi", deklaronte 40 vjet më parë presidenti amerikan Ronald Regan, teksa merrte detyrën si shefi i ri i Shtëpisë së Bardhë. Një aksiomë që ka bërë shkollë në mendimin politik konservator, por dhe më gjerë. Duhej të ishte kështu edhe për Shqipërinë, në kushte të tjera. Por ja që nuk është, sepse shpesh për ta zhvendosur vëmendjen nga qeveria tek opozita, nuk “kujdesen” vetëm kundërshtarët e Bashës, Berishës e Metës, por edhe vetë të sipërcituarit.

Merrni një shembull konkret të ditës së sotme, një nga ata shembuj flagrantë që të venë me shpatulla për muri: Sali Berisha e ka sjellë me dhunë partinë e tij dhe të gjithë opozitën shqiptare në kurs përplasjeje me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, garantin historik të çdo zhvillimi politik, reforme e procesi tjetër të rëndësishëm që ka ndodhur në 30 vitet e fundit në këtë vend. Ka bërë që sot vëmendja publike, por edhe mëdyshjet e dilemat më të vështira e komplekse, të mos ndodhin brenda selisë së qeverisë, aty ku drejtohet shteti, por brenda opozitës.

Duke mbrojtur veten, Berisha ka futur në krizë shumëplanëshe diplomatike, politike e personale, panelin e tij, kolegët e tij, duke bërë që selia e kundërshtarit të konsumojë në paqe e plot kënaqësi këtë skenë të pazakontë, ku një forcë politike e madhe ironizohet nga amerikanët, duke përdorur sloganet e Partisë së Punës! Paralelizmi me partinë që simbolizoi komunizmin shqiptar është sa i kërkuar, aq edhe tronditës. Sidomos kur përdoret kunder forcës politike dhe kundër njeriut që u ngjitën në skenë pas rënies së diktaturës!

Sali Berisha ka bërë që sot Lulzim Basha më i pari, të ulë kokën edhe më poshtë sesa në tre humbjet elektorale për të cilat anatemohet brenda e jashtë partisë. Ajo deklaratë plot nerv e Yuri Kim në shkallët e zyrës së Lulzim Bashës, ishte jo vetëm një paralajmërim i ashpër dhe i thatë për ish-kryeministrin, por edhe një karton i verdhë publik për kryetarin në detyrë. Basha ka 16 vjet në politikën aktive, ka qenë ministër disa herë e ka kaluar në plot momente të vështira në karrierën e tij. Ndoshta kjo është një ndër situata më komplekse e sfiduese për të si person e si politikan, por mbi të gjitha është një grykë e ngushtë shisheje nëpër të cilën duhet të kalojë një nga një çdo zyrtar e figurë publike e Partisë Demokratike.

Kur Sekretari i Shtetit e shpalli Berishën 'non grata', pati një garë të vogël brenda PD se cili t’i dilte më i pari në mbrojtje shefit historik. Nuk dihet sesa e mundur do të jetë kjo shfaqje simpatie kolektive më afrimin e shtatorit, kur do të ndahet shapi nga sheqeri. Me fjalë të tjera, kur sekretaria e Kuvendit të regjistrojë deputetët e legjislaturës së re parlamentare. Amerikanët po i thonë shqiptarëve, Bashës dhe të tjerëve pas tij, se është momenti final kur opozita duhet të marrë vendimin më të vështirë: me Amerikën apo me Sali Berishën! Të dyja bashkë nuk mund të qëndrojnë më. Vendim i vështirë, shumë i vështirë. Askush nuk do të donte të ishte sonte në rrobat e Lulit.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    2 Dhjetor, 20:45

    Jeni dakord që prokurorët e SPAK të kenë mundësinë për një mandat tjetër?



×

Lajmi i fundit

Rikthimi i Berishës në Parlament/ Meçe në 'Repolitix': Sot ishte krenar, por i dh*erë! Çaça: Ai sfumon çdo zë nga opozita! Tafani: PD pa bosht ideologjik

Rikthimi i Berishës në Parlament/ Meçe në 'Repolitix': Sot ishte krenar, por i dh*erë! Çaça: Ai sfumon çdo zë nga opozita! Tafani: PD pa bosht ideologjik