Nga fillimi i fushatës elektorale (e cila nisi zyrtarisht në 24 maj, por në realitet kishte nisur prej shumë javësh) KQZ dhe KKRT (që sot quhet Ama) kanë ngritur një grup monitorimi për të verifikuar, nëse televizionet respektojnë një informacion të ekuilibruar mes forcave politike parlamentare. Por ndërsa janë të njohur emrat e anëtarëve të bordit politik të monitorimit, nuk dihet asgjë se si dhe mbi kë po monitorohet konkretisht në televizionet.
Teorikisht, stafi misterioz teknik monitoron televizionet nga zyrat e KKRT, por në realitet nuk është e qartë nga ç’orë deri në ç’orë ndodh monitorimi, nuk dihet se sa vetë punojnë, se sa televizorë ata kanë në dispozicion, se si shënojnë kohët e transmetimi dhe nuk dihet se ç’lloj verifikimi kryhet mbi saktësinë e monitorimit.
Çështja është tepër serioze, pasi televizionet dhe gazetarët rrezikojnë gjoba prej disa milionë lekë (të reja) dhe rrezikojnë mbylljen e tyre për 48 orë. Në Shqipëri janë gati 90 televizione dhe po aq edhe radio të licencuara, dhe vërtet nuk ia dalim dot të imagjinojmë, se sa vetë do të duheshin për të kryer një monitorim të saktë dhe kaq delikat për efektet që ai mund të prodhojë.
Një mister për sa i përket edhe asaj se çfarë monitorohet saktësisht dhe kriteret që ndiqen. Kodi elektoral detyron operatorët radio-televizivë për një ekuilibër në hapësirat e dedikuara për forca të ndryshme politike në brendësi të edicionit të lajmeve dhe në debatet e mbrëmjes.
Por nëse është relativisht e lehtë të respektohet baraspesha në edicionet e lajmeve, bëhet e pamundur ta respektosh atë në debate, pasi përfaqësuesit e PD dhe PS refuzojnë të marrin pjesë njëkohësisht në të njëjtin debat. Dhe si duhet t’ia bëjnë atëherë televizionet, për të respektuar ekuilibrin, nëse njëri nga dy protagonistët mungon?!
Disa burime thonë se monitorimi përfshin edhe transmetimin e mitingjeve live, gjë që nuk parashikohet në kod. Por si do të bëhet edhe në këtë rast, për të respektuar një ekuilibër (që edhe ky nuk është i detyrueshëm në ligj), nëse tubimet ndodhin thuajse gjithmonë në të njëjtën orë nga ana e gjithë partive kryesore politike?!
Është e paevitueshme që, nëse transmetohet një parti, nuk mund të transmetohet tjetra. Është sikur bordi të vendoste të monitoronte edhe kohët e publicitetit elektoral: por nëse një parti ka vendosur të mos sjellë spotet e saj me pagesë për një televizion, si mund të ndëshkohet televizioni, që nuk i transmeton?
Rreziku është, që edhe monitorimi transformohet në një armë për të goditur televizionet e pavarura, që nuk mbështesin haptazi qeverinë.
Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)