Miti i rremë dhe ai që na vodhi kujtesën

Miti i rremë dhe ai që na vodhi kujtesën

SHBA-të nuk kryen vetëm një veprim politik në mbrojtje të parimeve të tyre, më shumë se kaq, ata, duke shpallur « non grata » Sali Berishën dhe familjen e tij na bënë edhe një nder tjetër : tani ne duhet të nisim një debat të gjerë për të krijuar më në fund një kuptim tjetër për raportin e njeriut me historinë, për të ndriçuar mendjen dhe për t’u çliruar nga mentaliteti prej skllavi që e shpall çdo sindimtar « lider », çdo udhëheqës « hero », çdo administrator të të mirave tona materiale « legjendë ».

Sali Berisha, duke qëndruar me dhëmbë e me thonj në krye të Partisë Demokratike, pasi përjashtoi dhe eleminoi kundërshtarët e tij, duke manipuluar ndenjat dhe emocionet e turmave të skllavëruara nga afshi i luftës me armiq imagjinarë komunistë e sigurimsa, vodhi hapësirën publike dhe u vendos aty duke kërkuar që ai të njihej si « lideri », si « heroi », si « mesia » i së djathtës shqiptare. Ky ishte dëmi më i madh që ai i bëri së djathtës shqiptare dhe krimi më i madh antropologjik që ka kryer një njeri në kushtet e demokracisë.

Historia e Berishës në lëvizjen politike shqiptare është historia tipike e njeriut që vjedh çelësat e një godine dhe instalohet aty, pastaj falë talentit prej kapobandeje arrin të krijojë rreth vetes një frymë të tërë duke e ushqyer gjithnjë e më shumë atë me zjarrin e urrejtjes. Nuk ka pasur në historinë e politikës shqiptare asnjë udhëheqës tjetër si ai që aksionin politik ta ketë ngritur vetëm mbi urrejtjen dhe shpifjen. Po le t’i marrim gjërat me radhë.

Në konferencën e vet për shtyp ai e përmendi si nëpër dhëmbë që është edhe lideri historik i së djathtës. Të njëjtën gjë përsëritin edhe vitrinat e idiotëve që e mbështesin atë nëpër studio televizive. Në fakt, e vërteta është krejt ndryshe. Sali Berisha është pjesë e elitës së borgjezisë komuniste që deri në dhjetor të vitit 1990 pinte kafen të i famshmi « 15-katëshi ». Shkrimin e parë me një frymë joestablishment e ka bëri Ylli Popa në gazetën « Zëri i Popullit » në dy numra në 28 dhe 29 prill 1990 dhe jo Berisha. Ai artikull i gjatë titullohej « Në kërkim të kohës së humbur ». Sali Berisha përmend tri shkrime që ka botuar në vitin 1990 një në « Drita », një në « Bashkimi » dhe një në « Zëri i popullit ». Ndërsa në takimin me Ramiz Alinë në 12 gusht 1990, ai dhe asnjë tjetër nuk patën guximin të kërkonin pluralizmin politik. Pra, jemi në vitin 1990 dhe nuk kishte mbetur njeri me mend në kokë dhe intelektual që nuk e kuptonte se komunizmit shqiptar i kishte ardhur fundi. Në nënvetëdijen e arrivistëve kishte filluar të lëvrinte ideja se tani kishte ardhur koha që të projektoheshin për politikën e re. Dhe këtë dhuratë këtyre arrivistëve ua bëri Lëvizja e Madhe e Studentëve të Dhjetorit.

Të gjithë ata intelektualë që u mblodhën në shtëpinë e Gramoz Pashkos për të krijuar Partinë Demokratike, duhet ta ndiejnë veten të privilegjuar se studentët dhe pjesa më e madhe e popullit shqiptar u dha në dorë çelësat e Shqipërisë dhe u ngarkoi misionin më të shenjtë që të ndërtonin pluralizmin. Mirëpo, Sali Berisha kishte talentin e keq, të mbrapshtë dhe kriminal që e kapi këtë çast dhe e ktheu të gjithin përmbys. Ai ndërtoi një formacion politik me stilin stalinist dhe, për hir të së vërtetës, duhet pranuar se mashtroi, manipuloi dhe vodhi entuziazmin e ligjshëm të shqiptarëve për të kundërshtuar e për të mohuar kumunizmin. Ai përzuri nga Partia Demokratike të gjithë ajkën e ish-të burgosurëve politikë duke e eleminuar të djathtën historike. E ndërtoi PD-në mbi parimin e besnikërisë dhe shpërblimit. Numri dy i asaj partie dhe papagalli i tij u bë figura më qesharake politike e quajtur Tritan Shehu, njeriu që ishte fiksuar në tribunë me Enver Hoxhën, pinjoll i një familjeje komuniste dhe aktivist famëkeq i lëvizjes kundër fesë e zakoneve prapanike në vitin 1968. Ai eleminoi edhe Azem Hajdarin, studentin që u vu në krye të Lëvizjes së Dhjetorit.

Partia Demokratike u modelua si një formacion politik brenda të cilit mund të bëje karrirë vetëm nëse shpallje besnikëri ndaj Berishës. Duke marrë monopolin e forcës opozitare në vend dhe duke u paraqitur si e kundërta e PS-së, Berisha ia doli që të mbante rreth vetes një formacion politik që nuk mund të vinte kurrë në pushtet, pas shkallmimit që i bëri rebelimi i armatosur i vitit 1997 që erdhi pas masakrës elektorale të vitit 1996, por që do ta justifikonte këtë dobësi me të keqen që kishte kundërshtari. Në gjithë karrierën e tij ky njeri nuk ka ndërtuar asnjë gjë sa i takon Shqipërisë ligjërimore. Teksti për Shqipërinë që ka shkruar dhe që u paraqet Sali Berisha shqiptarëve dhe të huajve është ai libër që e tregon këtë vend si më të ndyrin në planet, si vendin e mbushur me banda, me kriminelë dhe të zaptuar edhe nga Sorosi tani në fund. Ndërsa ai vetë dhe ata që e ndjekin janë jo vetëm luftëtarët e së keqes, por edhe heronjtë e luftërave imagjinare me armiq që nuk i sheh e nuk prek askush.

Të gjitha akuzat që i ka bërë SHBA-ja përmes zotit Blynken, ia kanë bërë më parë mediat dhe opinioni publik. Dosje të tëra gjenden në prokurori, por Berisha gjithnjë mbrohet me sigurinë që kanë kriminelët e luftës. E mbani mend Millosheviçin në Hagë, kur e pyesnin për genocidin ndaj shqiptarëve ? Ai thoshte se atë e ka bërë UÇK-ja. Edhe Berishën kur e pyesin për përfshirjen e djalit të tij në tragjedinë e Gërdecit, thotë që është i pafajshëm dhe është shpifje. Ndërkaq harron se kur prokurori Zamir Shtylla bëri gati dosjen dhe do ta çonte në gjykatë, ai e shantazhoi me ligjin e lustracionit. Kështu veproi edhe me të gjitha dosjet e tjera korruptive.

Ne mentalitetin e këtyre njerëzve që vjedhin memorein historike të popullit të tyre dhe u shiten atyre jo për atë që kanë bërë, por për atë që ata mendojnë se kanë krijuar duke ndërtuar në çdo ditë të karrierës së tyre platforma monumentesh për vepra të paqena dhe për heroizma të pandodhura, këta njerëz dhe Sali Berisha, sidomos, përpiqen që të luajnë me ndjeshëmritë historikë të liderit, të heroit, të udhëheqësit apo tribunit popullor, sepse shqiptarët, në pjesën më të madhe, vuajnë nga sindroma e të nështruarit dhe kanë dëshirë të identifikohen apo të struken në hijen e një të forti.

Ndërsa në tipologjinë politike perëndimore, heronjtë, apo ëngjëjt dhe martirët shenjojnë një kategori tjetër njerëzish dhe jo administratorët normalë të periudhave të caktuara historike. Në narrativën perëndimore, sot, këngëtarët e mëdhënj, artistët e shkrimtarët, sportistët dhe ata që kryejnë një akt heroik në mbrojtje të komunitetit shenjohen si modele të jetës që duhen ndjekur, jo si heronj. Koha e liderëve dhe heronjve ka perënduar.

Vetëm në Shqipëri mund të dëgjosh nga vitrina e idiotëve të zemëruar se Sali Berisha ishte lideri historik i së djathtës. SHBA-të na treguan se Sali Berisha jo vetëm që nuk ishte lider, po ai ishte njeriu që në tridhjetë vjet minoi demokracinë shqiptare, abuzoi me fondet publike duke pasuruar në mënyrë të paligjshme familjen e tij dhe aleatët, shantazhoi me retorikën e tij sistemin e drejtësisë dhe mori peng të djathtën shqiptare. Ai duhet të lëshojë hapësirën publike të kujtesës që ka pushtuar qysh nga dita kur u ngrit nga « 15-katëshi » për të shkruar në Qytetin Studenti.

I.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja