Mjeshtri italian i skulpturës: Vendin tuaj e kam njohur nga shkolla shqiptare e 513-s në Venecia

Mjeshtri italian i skulpturës: Vendin tuaj e kam njohur  nga shkolla shqiptare e 513-s në Venecia

Mjeshtri italian i dekorit dhe maskave veneciane Guerrino Lovato

Mjeshtri italian i skulpturës, Guerrino Lovato, ka mbërritur dje nga Venecia në Tiranë. Ideja e një udhëtimi në Shqipëri e ka zanafillën në periudhën kur u çel ekspozita e Vangjush Mios në Venecia. Vështrimi i  tij, gjithmonë i etur nga kërshëria, ka qëndruar gjatë përpara tablove të Mios dhe ashtu rastësisht u përfshi në diskutimet e mjeshtërisë e teknikave të pikturës.

Guerrino Lovato zhvilloi dje një aktivitet në Muzeun Historik Kombëtar, për të cilin ndihmuan artistët Vladimir Myrtezai dhe kuratorja Migena Hajdari, që drejton galerinë Blu Art në Itali.

Për vizitën e Lovato-s në Shqipëri ndihmuan Instituti Italian i Kulturës dhe vetë Muzeu Historik Kombëtar, ku u organizua dhe një takim me Mjeshtrin e skulpturës italiane. Pas këtij takimi artisti Vladimir Myrtezai rrëfen për “Shqiptarja.com” arsyet e iniciativës së mbërritjes së mjeshtrit Guerrino Lovato nga Venecia në Tiranë, duke u shprehur se “mjeshtri vinte nga vendi i artit të madh” dhe se një nga prioritetet e tij ishte që të thellohej në kulturën vendase, për të zbuluar qoftë dhe gjëra krejt të panjohura më parë për publikun. “Është një shkëmbim kulturash, nuk është se e promovojmë ne Guerrino-n, por Guerrino duhet të vinte të shkelte këtë tokë që ishte e pamundur në të shkuarën. Kështu Lovato për herë të parë vjen në Shqipëri dhe zgjodhi dhjetë tema dhe ne propozuam ato tema që janë më interesantet për të shkëmbyer përvoja”, tha Vladimir Myrtezai për “Shqiptarja.com”.

Myrtezai e vlerëson shumë mjeshtrin, por duke folur për “Shqiptarja.com” na fton të kuptojmë rëndësinë dhe diferencën e artit që ai përfaqëson.

“Kur u takuam duke folur si dy artistë, më pëlqeu ndershmëria e tij e lartë, kur ai e tha me gojën plot që jam një artizan. Ai në fakt është një skulptor, është një modelator, por ai nuk ka turp të thotë se jam një artizan pas një pune megjithatë kolosale”, thotë Myrtezai për “Shqiptarja.com”. Vladimir Myrtezai me këtë rast evidenton faktin që në artin skulptural shqiptar ende nuk bëhen ndarje të tilla konceptuale të artit dhe e konsideron këtë si një mangësi të formimit artistik në Shqipëri.

“Duke e njohur mjeshtrin Guerrino Lovato më ka bërë përshtypje se ai ka një njohje të thellë për teknikat e komunikimit me një model tjetër studimi dhe ai i ndan gjërat. Më ka bërë përshtypje për një njohje të thellë e ndarje teorike si studiues i artit dhe i historisë së artit”, -thotë Myrtezai, duke kujtuar se njohuritë e tij kanë shumë vlerë në kulturën italiane.

“Kur flet për historinë e artit, Guerrino Lovato flet me kompetenca të mëdha, dhe se është kaq kompetent, ai ka bërë një zbulim me El Greco-n, duke rizbuluar vlerën e një vepre që i përkiste Rilindjes dhe pikërisht pas këtij zbulimi shteti italian dha miliona dollarë për ta konservuar e ruajtur këtë vepër”, rrëfen Vladimir Myrtezai për “Shqiptarja.com”. Vladimir Myrtezai dhe Migena Hajdari me iniciativën e tyre private kanë ndihmuar nëpërmjet Galerisë Blu Art për udhëtimin dhe mikpritjen e mjeshtrit italian në Shqipëri.

“Unë vij për herë të parë në Shqipëri, por njohja me këtë vend ka nisur herët, gjatë studimeve të mia me kulturat e antikitetit shqiptar e kultura të tjera”, thotë Guerrino Lovato për “Shqiptarja.com”.  Ardhja e Guerrino Lovato-s pohojnë kuratorët e këtij takimi kulturor është një projekt spontan, një takim kulturash për të hapur nj dialog të gjerë kulturor edhe me artistë të tjerë në Venecia. Gjatë takimit, mjeshtri italian i skulpturës Lovato ka treguar përmes pamjeve që transmetoheshin nga projektori sesi kishte punuar për të realizuar 100 nga 500 punët e tij. “

“Njohja me Lovaton, ishte shumë interesante, ku ai erdhi në ekspozitën e Mios që organizuam në Venecia. I pëlqeu stili dhe hyri për kuriozitet, se është një person i kulturës, një njohës i mirë i artit dhe artistëve të të gjitha kohrave. Erdhi brenda në ekspozitë. Unë  isha aty  dhe më bëri me njohje për pjesë të veçanta që kishin lidhje me veprat “Në studion e piktorit” dhe “Fëmijët në studio”. Pra ishin dy piktura të Mios, ku ai vuri re me shumë interes lidhjen e brendshme me skulpturat. I mora shënim  ato që tha dhe e falënderova, sepse ishin vërtet me shumë interes dhe të dhëna që ne nuk i kishim për momentin. Kështu që kur bëmë ekspozitën, e ftova që të rikthehej edhe njëherë për të folur për ato qw kishte zbuluar. Dhe aty u lidhëm. Lovato kishte shumë interes për artin, sidomos për artin bizantin dhe postbizantin. Ai e njeh mirë artin ikonografik dhe antikitetin. Është shumë njohës i mirë i kulturës e arteve.”, thotë kuratorja Migena Hajdari për “Shqiptarja.com”.   

Intervista
Mjeshtër Lovato, çfarë dinit ju për Shqipërinë para se të vinit këtu?

-Kam pasur njohuri shumë më para se të vija këtu në Shqipëri, njohuritë e mia janë të lidhura me studimet arkeologjike, për ishujt venecianë, historinë e Venecias në marrëdhëniet me vendin tuaj, por ajo që më ka mbetur më mendje është skulptura e Skënderbeut që ndodhet në Piazza Albania në Romë, e artistit Romanelli, e krijuar në 1930-n. Është një skulpturë shumë e bukur. Ndërsa në Venecia është një institucion që quhet shkolla e shqiptarëve, me piktura të Vittore Carpacco-s, të komisiouara nga shqiptarët, nga tregtarët shqiptarë të asaj periudhe.

Të cilës periudhë janë?
-Të 1518-s. Pra në vitet e fundit të 1400-s dhe në vitet e para të 1500-s.

Kam mësuar se ju jeni si një enciklopedi arti për sa u përket njohurive për kulturat e periudhave të ndryshme historike. Ccfarë ju bënë të lidheni me skulpturat?
-Faleminderit për komplimentin. Dashuria për artin dhe fakti që nuk kam pasur patentë të makinës. Unë nuk ngas makinën, unë jetoj në Venecia. Kam kohë për të studiuar dhe shumë pasion dhe dashuri për artin. Për këto që kam studiuar e këto njohuri do t’u flas edhe studentëve në Universitetin e Arteve në Tiranë.  

Përveç që jeni skulptor, çfarë ju ka lidhur me pasionin për maskat veneciane, një traditë që e ka ndjekur edhe Shkodra në Shqipëri. Ju shquheni ne Itali si një mjeshtër i maskave veneciane?
-Kam hapur dyqanin e parë në Venecia të maskave të kohës moderne. Kam prodhuar maska më shumë se 30 vjet. Maska është skulpturë. Më pëlqen t’i bëjë ato se jam skulptor. Por ato kanë edhe personazhe mitologjikë, por edhe personazhe apo figura të shpikura nga unë vetë.

Vizita juaj gati dyorëshe në Muzeun Historik Kombëtar çfarë synimi pati?
-Jam shumë kurioz, dhe muzeu më pëlqeu shumë. M’u shtua kurioziteti se kishte shumë për të parë dhe për të bërë studime më të thella. Ndaj do të kthehem sërish ta vizitojë.

Cilat nga figurat e mëdha historike do të doje të ribëje në një vepër arti?
-Aktualisht në Itali jam duke punuar për skulptorët e panjohur të 1500-s, dhe kemi të dhëna që t’i dimë sot, por ndërkohë kanë qenë edhe artistë shumë të aftë që punën e tyre duhet t’ua bëjmë të njohur publikut e njerëzimit.  

Kush është Guerrino Lovato
Guerrino Lovato është diplomuar në Akademinë e Arteve të Bukura të Venecias. Që prej vitit 1983 ai ka studion e tij, ku përveç maskave të famshme veneciane, ideon dhe krijon instrumente dhe makineri për teatrin, operën-kinemanë dhe në këtë drejtim ai ka bashkëpunuar me regjisorë të famshëm si Stanley Kubrick (për filmin "Eyes wide shut" me aktor kryesor Tom Cruise) dhe Paolo Sorrentino. 
Disa nga veprat e tij më të njohura janë: Projekti Presepe di Vennezia për Komunën e Parisit në Paris, tema e njohur që evokon lindjen e Krishtit; është autor i librit “Objekte dhe skulptura në kartapestë”. Disa skulptura për Parkun Guliver në Tokio. Ka organizuar kurse për maskat në disa shtete, si: Itali, Gjermani, Francë, Siri, Amerikë, Brazil, Rusi etj. Një ndër skulpturat e tij të njohura është një statujë e Jezusit në stilin e Mikelanxhelos, 6 metër e lartë, kjo me kërkesë të Vatikanit. Përvoja e tij kombëtare dhe ndërkombëtare është mjaft e pasur, e shoqëruar vazhdimisht me një energji tipike.


 

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Kë doni ju që të fitojë zgjedhjet në SHBA?



×

Lajmi i fundit

Përse Wisconsin është thelbësor në garën presidenciale të vitit 2024?

Përse Wisconsin është thelbësor në garën presidenciale të vitit 2024?